Rusia dhe Turqia kanë hapur një qendër të përbashkët për të vëzhguar armëpushimin në Nagorno-Karabakh që ishte arritur vitin e kaluar, ka bërë të ditur sot ministri i Mbrojtjes i Azerbajxhanit.
Qendra për të cilën ishin pajtuar në nëntor të vitit të kaluar të dy vendet, është hapur zyrtarisht në rajonin e Agdamit të Azerbajxhanit.
Qendra do të ketë një staf prej 60 personash nga Rusia dhe Turqia, bëri po ashtu të ditur ministri i Mbrojtjes, shkruan Reuters.
Pas gjashtë javësh luftime, Azerbajxhani dhe Armenia kishin nënshkruar armëpushimin për enklavën e cila ndërkombëtarisht është e njohur si pjesë e Azerbajxhanit por që është e populluar me shumicë armene.