Një hulumtim i realizuar nga BBC-ja ka zbuluar se si një rrjet kriminal kurd po u mundëson emigrantëve të punojnë në mënyrë të paligjshme në mini-markete nëpër rrugët kryesore të qyteteve në Mbretërinë e Bashkuar
Drejtorët e rremë të kompanive paguhen që të vendosin emrat e tyre në dokumente zyrtare, por në të vërtetë nuk merren me drejtimin e bizneseve. Ata kanë dhjetëra kompani të regjistruara në Companies House, por nuk kanë lidhje me menaxhimin e tyre.
Dy gazetarë të fshehtë, vetë me prejardhje kurde, u shtirën si azilkërkues treguan sa e lehtë është për ta që të marrin një dyqan dhe të fitojnë para të mëdha duke shitur cigare dhe “vape” të paligjshme.
BBC-ja ka lidhur më shumë se 100 mini-markete, berberhane dhe lavazhe makinash, nga Dundee deri në jug të Devonit, me një rrjet kriminal. Por një hetues financiar i ka thënë BBC-së se rrjeti është edhe më i madh.
Ministria e Brendshme ka thënë se do të hetojë gjetjet e BBC-së.
Duke reaguar ndaj hetimit, Sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, tha: “Punësimi i paligjshëm dhe krimi i organizuar që lidhet me të krijojnë nxitje për njerëzit që të vijnë këtu në mënyrë të paligjshme. Ne nuk do ta lejojmë këtë”.
Për herë të parë, BBC-ja ka zbuluar se si funksionon një sistem kriminal që u mundëson azilkërkuesve të punojnë hapur në rrugët tregtare të Britanisë, në mini-markete që fitojnë kryesisht nga shitja e cigareve dhe cigareve elektronike apo të njohura si vape, të paligjshme.
Një burrë u tha gazetarëve se të ardhurat javore nga shitja e duhanit të paligjshëm në dyqanin e tij mund të arrijnë “nganjëherë deri në 3.000 funte”.
Njerëzit që e bëjnë të mundur këtë, të quajtur “drejtorë fantazmë”, kanë secili dhjetëra biznese të regjistruara në Companies House, por në shumë raste nuk janë të përfshirë fare në drejtimin e tyre.
“Dyqani nuk është i imi, është vetëm në emrin tim”, u tha njëri prej tyre gazetarëve të fshehtë.
Shumë nga këto biznese mbyllen pas rreth një viti dhe rihapen përsëri me ndryshime të vogla në dokumentet zyrtare.
Një hetues i krimeve financiare i tha BBC-së se këto biznese kanë “të gjitha shenjat e qarta” të veprimtarisë së krimit të organizuar.
Gjatë hetimit, BBC-ja zbuloi:
- Një azilkërkues, që tha se kërkesa e tij ishte refuzuar, po përpiqej t’i shiste një dyqan gazetarit për 18.000 funte
- Një grup në Facebook për kurdët që publikonte dhjetëra njoftime për shitje mini-marketesh, berberhane, lavazhe makinash dhe fast food
- “Drejtorë fantazmë” që u kërkonin punëtorëve të paligjshëm deri në 300 funte në muaj për t’u regjistruar mini-markete në emrin e tyre
- Ndërtues kurdë që ofronin të krijonin vende të fshehta për cigare dhe vape të paligjshme që nuk zbulohen nga qentë nuhatës
- Azilkërkues që thanë se Ministria e Brendshme i ka lënë në një situatë të paqartë ligjore, duke punuar 14 orë në ditë për vetëm 4 funte në orë.
Në pritje të lejes për punë
Dy gazetarët kurdë që morën pjesë në hetimin e BBC-së janë të vetëdijshëm se tensionet mbi emigracionin janë të larta. Ata shqetësohen se raportimi për aktivitete të paligjshme brenda komunitetit kurd mund të nxisë armiqësi.
Njëri prej tyre, ish-azilkërkues vetë, tha: “Doja të luaja një rol në zbulimin e këtyre veprimtarive të paligjshme për të thënë me zë të lartë se ata nuk na përfaqësojnë”.
Gjatë katër muajve, gazetarët monitoruan një grup kurd në Facebook ku publikoheshin njoftime për shitje biznesesh në të gjithë Britaninë. Çdo javë dilnin njoftime të reja.
Ata kontaktuan tre persona që kishin nxjerrë për shitje mini-markete në Crewe, Hull dhe Liverpool. Gazetarët u shprehën se ishin të interesuar të drejtonin një mini-market dhe të tregtonin cigare të paligjshme.
Në Cheshire, burri që menaxhonte një mini-market në Crewe të quajtur Top Store tha se do t’ia shiste dyqanin njërit prej gazetarëve për 18.000 funte në dorë.
Shitësi, që e quante veten Surchi, i siguroi gazetarët se “nuk ju duhet asgjë” për të zotëruar dhe drejtuar një mini-market si azilkërkues.
Surchi tha se edhe vetë ishte azilkërkues kurd që kishte mbërritur në Britani në vitin 2022, por kërkesa e tij për azil ishte refuzuar.
Kur BBC-ja e përballi më vonë me këtë, ai tha se kishte dokumente që vërtetonin të drejtën e tij për të punuar. U kërkua t’i tregonte këto dokumente, por ai nuk i ka dorëzuar.
Në përgjithësi, azilkërkuesit nuk kanë të drejtë të punojnë në Britani gjatë kohës që kërkesa e tyre është ende në shqyrtim. Leja për punë jepet vetëm në raste të kufizuara dhe me kushte shumë të rrepta.
Nëse azilkërkuesve u jepet leje për të punuar, ata mund të aplikojnë vetëm për punë që gjenden në Listën e Pagave të Imigracionit.
Kjo listë nuk përfshin vende pune si menaxher dyqani apo shitës në dyqan.
Ashtu si gazetarët tanë të fshehtë, Surchi tha se vinte nga rajoni gjysmë-autonom i Kurdistanit në Irak, një zonë që shtrihet midis kufijve të Irakut, Iranit, Turqisë dhe Sirisë.
Kjo zonë shpesh quhet thjesht Kurdistan, por nuk është një shtet i pavarur.
Për të shmangur kontrollin nga autoritetet, Surchi tha se i paguante dikujt të quajtur “Hadi” rreth 250 funta në muaj që emri i tij të figuronte në dokumentet zyrtare.
“Ky është profesioni i tij dhe ndoshta ka 40 deri në 50 dyqane në emrin e tij. Nuk ka problem, nuk i intereson çfarë shet,” shpjegoi ai.
Kjo marrëveshje i mundësonte Surchit të fshihej nga autoritetet e emigracionit dhe të shiste çfarë të donte. Ai tha se nuk kishte paguar kurrë taksë bashkiake dhe se gazetari nuk do të kishte nevojë ta regjistronte zyrtarisht kompaninë.
Sipas tij, zyrtarët e emigracionit kishin ardhur vetëm një herë gjatë pesë viteve të fundit -dhe atëherë ai nuk ndodhej në dyqan. Ata nuk ishin kthyer më.
Surchi tha gjithashtu se një herë zyrtarët e kontrollit tregtar (Trading Standards) kishin bastisur dyqanin dhe ai ishte gjobitur me 200 funta për shitje të cigareve dhe vapeve të paligjshme.
Pronarët e dyqaneve në Britani që kapen duke shitur produkte të tilla mund të gjobiten deri në 10.000 funte, por fitimet nga këto mallra janë shumë më të mëdha se dënimet.
Gjatë një vizite në ambientet e dyqanit, Surchi i nxori jashtë për të treguar një makinë të quajtur “stash car” - ku ai tha se fshihte pjesën më të madhe të mallrave deri në orën 17:00 çdo ditë, kur zyrtarët e kontrollit mbaronin punën.
Ai i tha gjithashtu gazetarit se mund të “bënte një vend fshehjeje” për mallrat në bodrumin e dyqanit - ku tregoi edhe si manipulonte matësin e energjisë elektrike për të mos paguar faturat e shërbimeve.
Ndërsa ishim në dyqan, Surchi u shiti vape disa adoleshentëve. Ai tha:
“Kam klientë që janë vetëm 12 vjeç, nuk kam asnjë problem me ta”.
Klientët paguanin me makinën e kartave bankare, dhe llogaria bankare si edhe pajisja, sipas tij, ishin në emrin e kushëririt të tij, i cili kishte një mini-market rreth 15 milje larg, në Stoke.
“Punë e mirë” për të mashtruar
Në Facebook, gazetarët zbuluan ndërtues kurdë të gatshëm t’i ndihmonin të fshihnin cigare dhe vape të paligjshme.
Një nga gazetarët shpërndau lajmin se kishte blerë një mini-market në Manchester dhe po kërkonte “një specialist për të ndërtuar një hapësirë për të fshehur cigare në dyqan”.
Gjashtë ndërtues u lidhën me ta. Njëri prej tyre dërgoi një video që tregonte diçka që ngjante me një makinë shitëse të cigareve të paligjshme, e fshehur në tavan, e cila, me shtypjen e një butoni, hidhte paketat poshtë.
Kushtonte 6.000 funte, duke pretenduar se ishte e garantuar të mashtronte qentë nuhatës të Standardit të Tregtisë.
Një rrjet drejtorësh fantazmë
Ndërsa gazetarët i thelluan hetimet për të zbuluar se kush ishte pronari zyrtar i këtyre mini-marketeve, doli një rrjet drejtorësh fantazmë.
Një emër që u përmend vazhdimisht ishte ai i Hadi Ahmad Ali – burri nga Birminghami, të cilit Surchi i paguante tarifën mujore. Në dokumentet e Companies House, e gjetën Ahmad Ali të regjistruar si person nga Iraku, rreth të 40-ave, dhe drejtor i më shumë se 50 bizneseve të tjera – mini-markete, berberë dhe lavazhe makinash.
Një nga gazetarët e telefonoi duke u shtirur si azilkërkues që donte të blinte biznesin në Crewe për të shitur cigare të paligjshme Ahmad Ali tha se dyqani nuk ishte i tij, por kontrata e qirasë ishte në emrin e tij. Ai konfirmoi se mund ta mbante në emrin e tij për gazetarin tonë nën mbulim, për një pagesë prej 250–300 funte në muaj.
Ahmad Ali ende figuron si drejtor aktiv në disa biznese në Companies House. Më vonë mësuam se në tetor 2024 ai ishte pezulluar nga detyra e drejtorit për pesë vjet.
Ndalesa pasoi pas shitjeve të cigareve të paligjshme në një dyqan në emrin e tij në Chorley, Lancashire - përfshirë shitjen e tyre një 16-vjeçari.
Veçmas, ai pranoi fajësinë për përfshirje në shitjen e cigareve të paligjshme në Lincolnshire dhe u dënua me gjashtë muaj burg, me pezullim për 18 muaj.
Kur më vonë u përball me BBC-në, z. Ahmad Ali tha se këto mini-markete nuk kishin lidhje me të dhe se kishte kontaktuar Companies House për të hequr emrin e tij nga bizneset.
Një zëdhënës i Companies House tha se institucioni “tani ka më shumë kompetenca për të ndarë informacion dhe për të mbështetur hetimet penale”.
“Atje ku dyshohet për veprimtari kriminale, informacionet dhe inteligjenca ndahen me partnerët përkatës”.
Kërkimet e BBC-së e lidhën Ahmad Alin me një tjetër burrë, Ismael Ahmedi Farzanda, i cili rezultoi të ishte drejtor fantazmë dhe përgjegjës për 25 mini-markete.
Emri Farzandas doli në dritë sepse dokumentet e Companies House tregonin se ai kishte marrë detyrën e drejtorit nga Ahmad Ali në shtatë biznese mini-markete. Të dy gjithashtu ndanin bashkë-drejtorinë në një dyqan në Blackpool.
Një nga gazetarët arriti ta telefonojë. Farzandan, duke përdorur të njëjtin identitet të rremë si me Ahmad Ali.
“Unë thjesht i vendos dyqanet nën emrin tim për njerëzit e tjerë”, tha Farzanda, i cili, ashtu si Ahmad Ali, jetonte në West Midlands. Ai tha se një “kontabilist” do të kujdesej për dokumentet, llogaritë bankare dhe pagesat për të, dhe se nuk do të kishte asnjë problem që ne të shisnim cigare të paligjshme.
Kërkesa e vetme e tij ishte që, nëse gazetari nën mbulim do të kapej ndonjëherë nga policia, ta njoftonte menjëherë.
“Nëse e di që je kapur, na thuaj që gjatë intervistave të mund ta ndryshojmë emrin dhe të mos kemi telashe”, i tha ai.
Farzanda u gjobit me 4.500 funte në gusht, pasi një dyqan i regjistruar në emrin e tij në Haslingden, Lancashire, u kap duke shitur vape të paligjshme një 14-vjeçari, sipas raporteve të mediave lokale.
Sipas burimeve të Standardit të Tregtisë, shtatëmbëdhjetë dyqane të regjistruara nën emrat e Ahmad Alit dhe Farzandas janë bastisur që nga viti 2021, dhe prej tyre janë sekuestruar duhan dhe “vape” të paligjshme.