Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rritet numri i të vdekurve në Itali nga koronavirusi në 24 orët e fundit

Foto: Reuters

Në 24 orët e fundit në Itali janë regjistruar 369 raste me fatalitet të lidhura me COVID-19, krahasuar me 236 sa ishin një ditë më parë, ka njoftuar Agjencia Italiane për Mbrojtjen Civile.

Ndërkohë numri i rasteve të reja me COVID-19 po ashtu është rritur, në 1444 nga 1075 sa ishin të martën.

Numri i të vdekurve nga koronavirusi në Itali që nga 21 shkurti është 29.684, numri i tretë më i madh në botë pas SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Numri i rasteve të konfirmuara është 214.457.

Agjencia për Mbrojtjen Civile ka thënë se numri i të infektuarve ka rënë nga 98.467 në 91.528. Ndërsa janë vetëm 1333 persona në kujdes intensiv, krahasuar me 1427 sa ishin të martën.

Numri i të shëruarve në total është 93.245.

Agjencia ka njoftuar se 1.55 milionë persona janë testuar për koronavirus në Itali.