Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rrëfimi i gazetarit që u torturua për 53 ditë

“Më trajtuan si kafshë në kopshtin zoologjik. Gjithnjë kisha sytë e mbyllur – të vetmen herë kur më hoqën prangat nga duart ishte kur haja ushqim”.

Gazetari nga Bangladeshi, Shafiqul Islam Kajol, i njohur si Kajol, ka rrëfyer se është mbajtur në qeli nëntokësore për 53 ditë dhe pretendon se është torturuar.

“Shpesh më torturonin para se të më merrnin në pyetje. Nuk mund të tregoj me fjalë se sa e dhimbshme ishte. Më pyetën për raportimet që kisha shkruar. Jam torturuar shumë. Mezi flas për këto raste”, thotë Kajol.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Transmetuesi britanik BBC nuk ka mundur të verifikojë pretendimet e gazetarit Kajol.

“Nuk ka të drejta të njeriut në këtë shtet. Jetoj në frikë të vazhdueshme”, thotë 54-vjeçari nga një lokacion sekret.

Kajol ka vendosur të rrëfejë për BBC-në në të njëjtën javë kur forcat e sigurisë u përplasën me partinë opozitare në Dhaka, para protestave masive kundër qeverisë që janë mbajtur të shtunën. Partia Kombëtare e Bangladeshit u ka bërë thirrje njerëzve që të protestojnë kundër qeverisë së prirë nga kryeministres Sheikh Hasina dhe partisë së saj Liga Awami.

Ndër shqetësimet e tyre kryesore janë thirrjet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, shqetësimet për rritjen e kostos së jetesës dhe raportet për shkelje të të drejtave të njeriut.

Ndërkohë, zyrtarë të opozitës janë arrestuar gjithashtu nga policia, në atë që kritikët thonë se është përpjekje e drejtpërdrejtë për të shtypur çdo formë të disidencës.

Heshtja e qeverisë

Qeveria e Bangladeshit ka mohuar se po shtyp lirinë e shprehjes.

Në një intervistë për BBC, ministri i Jashtëm i vendit, Abdul Momen, thotë se protestuesit po mblidheshin jashtëligjshëm. Ai hodhi poshtë raportimet se qeveria e tij po shtypte lirinë e fjalës, duke theksuar se shteti i tij, i formuar në vitin 1971 pas një lufte me Pakistanin, u themelua “për të mbështetur demokracinë, të drejtat e njeriut dhe drejtësinë”.

Kur Kajol u zhduk në marsin e vitit 2020, Kombet e Bashkuara ishin ndër organizatat që shprehën shqetësime. Në një deklaratë thuhet se “shënjestrimi i gazetarëve hulumtues si Shafiqul Islam Kajol ngre pyetje serioze në lidhje me angazhimin e Bangladeshit për media të lira dhe të pavarura”.

Një ditë para se të zhdukej, Kajol kishte botuar një artikull ku detajonte akuzat për një rrjet të trafikut seksual që përfshinte politikanë. Menjëherë pas kësaj, avokati i tij tha se një anëtar i partisë në pushtet Liga Awami ngriti rast kundër tij dhe të tjerëve për këtë raportim.

Të nesërmen, pasi e mori të birin nga shkolla në shtëpi, doli nga zyra me motoçikletën e tij, thotë se u ndoq nga një grup prej tetë deri në 10 burrash me motoçikletat e tyre. Kajol thotë se u fut në një furgon dhe u dërgua në qelinë nëntokësore.

Torturimi i gazetarit

Gjatë marrjes në pyetje, Kajol thotë se ishte i lidhur në një karrige. “Ata më pyetën pse shkrova për skandalin. Ai vazhdoi për pesë deri në gjashtë orë në të njëjtën kohë. Ishte një përvojë e tmerrshme”.

Në një deklaratë, ministri i Brendshëm i Bangladeshit i tha BBC-së se Kajol ishte arrestuar për modifikimin e fotove të disa vajzave dhe publikimin e tyre në mediat sociale si një formë ngacmimi. “Ato vajza bënë një ankesë në forcat e sigurisë kundër Shafiqul Islam Kajol. Më pas forcat e sigurisë e arrestuan Kajol dhe e nxorën para gjykatës të nesërmen sipas ligjit”.

Ministri mohoi gjithashtu që Kajol të ishte mbajtur në qelinë nëntokësore për më shumë se 50 ditë.

Human Rights Watch thotë se ka dëgjuar prova për ekzistencën e vendeve sekrete të paraburgimit në Bangladesh dhe i ka bërë thirrje qeverisë që të hetojë këto akuza dhe të lirojë këdo që ende mbahet në këto qeli.

“Ne kemi dëgjuar se të arrestuarit janë shpesh nën tokë, me shumë pak dritë natyrore. Disa njerëz kanë thënë se mund të dëgjojnë njerëz të tjerë duke u torturuar. Është shumë shqetësuese”, thotë për BBC-në Meenakshi Ganguly, drejtori i organizatës në Azinë Jugore.

Qeveria mohon ekzistencën e këtyre qelive nëntokësore.

Muaj më vonë, pasi u zhvendos në dy qeli të tjera në të njëjtin vend, këtë herë jo nën tokë, Kajol thotë se u hodh në një fushë afër Indisë, i prangosur dhe me sy të lidhur me pëlhurë. Atje, ai u kap nga zyrtarët kufitarë dhe u dërgua në një burg ku kaloi edhe 237 ditë të tjera përpara se, pas 13 apelimeve, ai të lirohej me kush në muajin dhjetor të vitit 2020.

Teksa ishte në burg, Kajol u akuzua për shpifje sipas aktit të sigurisë digjitale të Bangladeshit (DSA), ligj që kritikët thonë se është drakonian dhe kriminalizon çdo lloj kritike në internet - duke përfshirë shpërndarjen e postimeve në Facebook që mund të konsiderohen kritike. Që kur hyri në ligj në 2018, mijëra njerëz janë akuzuar.

Human Rights Watch thotë se sprova e Kajol është tipike e taktikave të përdorura nga forcat e sigurisë për të heshtur kritikat ndaj qeverisë.

Sipas grupeve të të drejtave të njeriut në Bangladesh, rreth 600 burra kanë qenë viktima të “zhdukjeve të detyruara” nga forcat e sigurisë së Bangladeshit që nga viti 2009.

Dhjetëra të zhdukur

Raporti i grupit të punës të Kombeve të Bashkuara i publikuar në gusht 2022 thoshte se kishte 72 viktima të zhdukjeve të detyruara, rezultojnë ende të zhdukur.

Ministri i Jashtëm, Momen, hodhi poshtë këto shifra, duke pretenduar se shifrat e mbledhura nga OKB-ja vinin nga “disa qarqe që janë të motivuara politikisht”. Ai akuzoi grupet lokale që mbledhin shifrat për “zmadhimin” dhe “përpunimin” e informacionit.

Por familjet e atyre që ende presin kthimin e të afërmve të tyre thonë se historitë që po jetojnë janë shumë të vërteta.

Sajidul Islam Shumon, organizator lokal i partisë për Partinë Kombëtare të Bangladeshit në opozitë, u pa për herë të fundit në dhjetor 2013.

Me zgjedhjet e përgjithshme vetëm disa javë larg në janar 2014, nga frika e frikësimit nga qeveria e partisë Liga Awami, ai u largua përkohësisht nga shtëpia për sigurinë e familjes së tij.

Një ditë ata dëgjuan nga dëshmitarët se Sajidul ishte arrestuar, lidhur me pranga nga forcat e sigurisë nga Batalioni elitar paraushtarak i Veprimit të Shpejtë (RAB), përpara se ta hipnin në një autobus me një grup burrash.

Motra e tij Sanjida e kishte parë atë disa ditë më parë, kur doli në shtëpi për të parë familjen, veçanërisht vajzën e tij Arwa njëvjeçare.

“Ishte ftohtë pasi ishte dhjetor, kështu që i dhashë kapele për ta veshur”, thotë Sanjida, duke rrëfyer përqafimin e tyre të fundit lamtumirë.

“Kjo është gjëja e fundit që i dhashë atij. Unë as nuk e di nëse ai ishte në gjendje ta mbante apo jo”.

Arwa tani është 10 vjeç dhe sa herë që Sanjida i tregon një foto të babait të saj, ajo puth kornizën e xhamit, duke e pyetur se kur do të kthehet babi i saj.

Sanjida tani drejton një rrjet mbështetës, Mayer Daak, për dhjetëra gra të tjera që thonë se kanë humbur gjithashtu vëllezërit, burrat, djemtë dhe baballarët e tyre për shkak të zhdukjeve të detyruara.

Shumë prej familjeve kanë humbur mbajtësin e tyre të vetëm dhe po luftojnë me varfërinë mbi dhimbjen e tyre personale.

Disa, përfshirë Sanjida, thonë se do të dalin në rrugët e Dhakës këtë fundjavë për t'iu bashkuar protestave antiqeveritare, ndërsa vazhdojnë të kërkojnë drejtësi.

Sanjida dhe të afërmit e tjerë thonë se janë përpjekur të ngrenë çështje për të afërmit e tyre të zhdukur në stacionin e policisë, por u refuzuan nëse nuk hiqnin çdo akuzë ndaj forcave të sigurisë qeveritare.

Nëna e saj - tani në të shtatëdhjetat dhe shëndetligë- shkonte në komisariat çdo javë për të ngritur çështjen e djalit të saj. Familja refuzon të heqë dorë nga shpresa.

“Derisa të dimë se çfarë ka ndodhur me të, nuk mund të vendosim nëse ai është gjallë apo jo”.