Botë

Roja i paarmatosur neutralizon sulmuesin me armë në Ambasadën azere në Iran

Një zyrtar u vra dhe dy persona u plagosën kur një person i armatosur hapi zjarr brenda Ambasadës së Azerbajxhanit në Iran. Është publikuar edhe një video e sulmit, ku shihet një përplasje mes rojeve të sigurisë dhe sulmuesit.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, shihet se sulmuesi hyn në Ambasadë dhe fillon të qëllojë. Por pas kësaj, ai u sulmua nga një roje sigurie i paarmatosur, i cili arriti ta neutralizonte dhe shpëtoi dhjetëra jetë të tjera.

Policia në Teheran njoftoi se kishte arrestuar të dyshuarin dhe po hetonte motivin e sulmit.

I dyshuari hyri në ambasadë me dy fëmijë të vegjël dhe mund të jetë motivuar nga “probleme personale”, njoftoi agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve iraniane Tasnim, duke cituar shefin e policisë, raporton Reuters.

Megjithatë, Azerbajxhani reagoi ashpër pas këtij sulmi, duke akuzuar Teheranin se qëndron direkt pas sulmit. Siç shtojnë ata, qëllimi i sulmuesit ishte të vriste të gjithë punonjësit e ambasadës, “gjë që u pengua nga një roje i guximshëm sigurie”.