Shkolla është hapur dy muaj më parë. Shënoi herën e parë në 20 vjetët e fundit që vajzat e fshatit shkelin në një klasë apo diçka të tillë. Në mungesë të objektit, mësimet mbahen në dhomën e ditës në shtëpinë e mësuesit Wali Khan
Mina Ahmed me përzierje çimento forcon muret e shtëpisë së shkatërruar nga lufta në Afganistanin rural. Duart e saj, të vrazhda nga puna, janë të mbështjella me copa plastike, por nuk i bëhet vonë. Mirëpret epokën e re të paqes nën talebanët.
Dikur ishte e shqetësuar për stilin e ashpër të sundimit të talebanëve në fshatin e saj Salar. Mirëpo, e gjetur mes dy zjarresh në luftën 20-vjeçare, i ka ofruar asaj një perspektivë të re.
Kontrolli i talebanëve është me kufizime, madje edhe për gratë. Kjo është krejt në rregull, thotë 45-vjeçarja. “Me këto kufizime të paktën mund të jetojmë jetën tonë”.
Mirëpo, përmend kufi vetëm për një gjë: Të bijat e moshave 13, 12 dhe 6-vjeçare duhet të shkojnë në shkollë.
Nga perspektiva e zogut, fshati Salar është i kamufluar përballë vargmalit të provincës Wardak. Komuniteti prej mijëra banorësh, gati 90 kilometra larg kryeqytetit Kabul, shërben si mikrokozmos i kapitullit të fundit të historisë afgane – raundit të dytë të regjimit talebanë – duke treguar se çfarë ka ndryshuar e çfarë jo qëkur u ngritën në pushtet për herë të parë në fund të viteve ’90.
Edhe
Dëshpërimi i vajzave të reja në Afganistan nga privimi i mundësisë për t’u shkolluar
Banorët e fshatit Salar, qe tash e dy vjet është nën kontrollin e talebanëve, kanë përqafuar stabilitetin e ri tani kur ka përfunduar lufta e kryengritësve me Ushtrinë amerikane. Të zhvendosurit nga luftimet po kthehen nëpër shtëpitë e tyre. Megjithatë, ata ende i frikësohen përkeqësimit të krizës ekonomike dhe thatësisë që ndihet në provincën e varur krejtësisht nga të korrurat.
Në Kabul dhe qytetet e tjera, pakënaqësia publike ndaj talebanëve është e përqendruar te kërcënimet e lirive personale, përfshirë të drejtat e grave.
Në Salar, këto pakënaqësi nuk bëhen gjallë. Hendeku ideologjik midis lidershipit taleban dhe komunitetit konservator rural nuk është shumë i madh. Fshatarët mbështetën kryengritjen talebane dhe festuan për rënien e Kabulit më 15 gusht që konsolidoi kontrollin e talebanëve në të gjithë Afganistanin.
Mirëpo, edhe në Salar po ndodhin ndryshimet, duke filluar me këmbënguljen e fshatarëve për hapjen e shkollës fillore për vajza.
Kjo këmbëngulje ndikoi që talebanët të pranonin hapjen e një shkolle të vogël, të financuar nga donatorët ndërkombëtarë. Mirëpo, ajo që do të bëhet shkollë – zyrtare dhe publike që hap rrugën për arsimim të lartë, medrese fetare apo diçka në mes – mbetet e pasigurt, siç është e ardhmja e fshatit dhe krejt Afganistanit.
Kërkesa e fshatit
Deri në orën tetë të mëngjesit, 38 fytyra të vogla të mbështjella me vello, janë ulur në dyshemenë e mbuluar me qilim. Ia ngulin sytë mësuesit të tyre, Qari Walli Khan. Me shkop të hollë në dorë dhe vetulla të përdredhura, u thotë nxënëseve të lexojnë Kuran.
Rokia, 10-vjeçare, qëlloi e para e pafat. Mezi thotë tri fjalë të arabishtes së vjetër kur Wali Khan e ndërpret dhe korrigjon shqiptimin. Kur ajo përsërit fjalët, ai bërtet: “Afarin!” – “Shkëlqyeshëm” në gjuhën pashtune.
Për tri orë, nxënëset e moshës 9-12-vjeçare, mësojnë përmendësh Kuranin, matematikë, dorëshkrim dhe studime të tjera islame. Detyrë shtëpie: Sa bëjnë 105 here 25?
Shkolla është hapur dy muaj më parë. Shënoi herën e parë në 20 vjetët e fundit që vajzat e fshatit shkelin në një klasë apo diçka të tillë. Në mungesë të objektit, mësimet mbahen në dhomën e ditës në shtëpinë e mësuesit Wali Khan.
Klasat janë produkt i bisedimeve të Kombeve të Bashkuara me talebanët.
Në vitin 2020, OKB-ja nisi punën në programin për të ngritur qendrat arsimore të vajzave në zonat konservatore dhe shumë të largëta, duke përfshirë ato që kontrolloheshin nga talebanët, siç ishin Sayedabad, aty ku ndodhet edhe fshati Salar.
Negociuesit talebanë fillimisht hezitonin të pranonin idenë, por një marrëveshje u arrit në nëntorin e vitit 2020, thotë Jeanette Vogelarr, shefe e arsimimit në UNICEF. Fondet ndërkombëtare ishin siguruar, 35 milionë dollarë çdo vit për të financuar gati 10 mijë qendra të tilla.
Hapja e shkollave u vonua për shkak të COVID-19. Deri në kohën kur qendrat pritej të hapeshin, talebanët kishin marrë kontrollin e Kabulit. Për habinë e të gjithëve, ata lejuan që projekti të vazhdonte, madje duke përdorur plan-programin e qeverisë së mëparshme – ani pse ata donin më shumë mësime islame dhe insistonin në ndarjen gjinore të klasave dhe mësueseve.
Wali Khan, mësues medreseje, siguroi punën në Wardak sepse shumica e grave të arsimuara ishin larguar drejt kryeqytetit.
Programi ua mundëson vajzave pa shkollë formale që të përfundojnë gjashtë klasa në tre vjet. Pas përfundimit, ato duhet të jenë gati për të hyrë në klasën e shtatë.
Mbetet e mjegullt mundësia nëse vajzat mund të vazhdojnë shkollimin e lartë. Në shumicën e provincave, talebanët ua kanë ndaluar vajzave mes moshave 12-17-vjeçare që të shkojnë në shkollat publike.
Megjithatë, është fillim i mirë, thotë Vogelaar. “Bazuar në atë që shohim, disi talebanët nuk duket të jenë të njëjtë në mënyrën se si silleshin më parë”.
Dhjetë vjet më parë, talebanët ishin në krye të fushatës vdekjeprurëse që kishte cak zyrtarët qeveritarë në Wardak. Helm të veçantë kishin për ata që bënin fushatë për shkollimin e vajzave. Dy të moçëm të fshatit panë me sy ekzekutimin e Mirajuddin Ahmedit, drejtorit të shkollës dhe përkrahës i madh i arsimimit të vajzave.
Disa shkolla publike për vajzat u dogjën në këtë provincë. Sot e asaj dite, krejt janë rrafsh me tokë.
Ndryshimi i kohërave
“Nëse nuk lejojnë shkollimin e vajzave tani, do të ketë kryengritje”, thotë plaku i fshatit Abdul Hadi Khan.
Ndryshimi i qëndrimeve mund të jetë pjesë e një trendi të gjerë për përkrahjen e arsimimit. Në vitin 2000, kur talebanët për herë të fundit ishin në pushtet, kishte vetëm 100 mijë vajza në shkollë nga 1 milion nxënës. Tani janë katër milionë shkollare nga 10 milionë nxënës, vlerëson OKB-ja.
Fshatarët e Salarit nuk donin diçka tjetër. Bindën Wali Khan që të jepte mësim.
“Ata më besuan, më thanë se është një nevojë për shoqërinë tonë”, thotë ai.
Kjo mund të jetë një arsye përse talebanët vendosën të bashkëpunonin; me ekonominë e rrënuar, ata rrezikojnë një zonë të madhe elektorale që i mbështeti gjatë gjithë kryengritjes.
Edhe
Fëmijët në Gazë i kthehen shkollës pas dy vjetësh lufte
Ka shqetësime se si do t’i japin formë shkollimit. OKB-ja është e vetëdijshme që talebanët kanë ndikim në fshatra dhe ngulmojnë për më shumë studime islamike, thotë Vogelaar.
Shumica e familjeve nuk janë kundër kësaj. Rajoni i Sayedabadit përbëhet kryesisht nga grupi etnik pashtun që dominon në Afganistan. Talebanët janë tërhequr nga ky grup. Feja dhe konservatorizmi janë pjesë qendrore e jetës së përditshme të fshatit.
Mirëpo, arsimimi i stilit të medresesë “nuk ishte qëllimi”, thotë Vogelaar.
Wali Khan thotë se mori urdhra nga drejtoria e kontrolluar nga talebanët në Sayedabad që të përfshinte më shumë studime fetare në kurrikulë. Ai u bind menjëherë.
Në fund të muajit tetor, zyrtarët talebanë erdhën për vizitë te Wali Khan. Donin të dinin se si po shkonin orët mësimore.
“Vajzat janë të etura për dije”, u tha mësuesi talebanëve.
Krenaria e babait
Pas orës mësimore, 12-vjeçarja Sima vrapon për në shtëpi, duke kaluar shtëpitë me tulla prej qerpiçi. Pas saj ngrihet pluhuri.
Babai i saj, Nisari, është larguar nga shtëpia për të mbledhur domate për 2.5 dollarë në ditë. Ai është i vetmi që u sjell ushqim. Nëna e saj, Mina, ende po përzien çimenton.
Mina pret që të kalojë kohë e gjatë para se shtëpia të bëhet strehë për të jetuar.
Po e ndërton shtëpinë pak nga pak, duke blerë qese me çimento për 1 dollar kurdo që mundet. Ka marrë borxh 1 mijë e 100 dollarë nga të afërmit dhe miqtë.
Familja u kthye në shtëpi një muaj më parë. Vetëm një nga katër dhomat e shtëpisë mund të përdoret. Muret ende janë të mbushura me vrima plumbash.
Kishin ikur para 11 vjetësh, duke u zhvendosur në krahun tjetër të fshatit që kishte më shumë siguri. Shtëpia ishte shumë e rrezikshme. Ishte e vendosur në pjerrtësi strategjike me pamje kah autostrada numër 1, e cila lidh Kabulin me jugun. Qe vatër e kryengritjes gjatë gjithë luftës.
I kujtohet dita kur qëndroi në acar teksa amerikanët kontrollonin shtëpinë e tyre për ndonjë talebanë. Që prej vitit 2007, pritat ndaj autokolonave të ushtrisë u bënë të shpeshta. Nga dritarja e kuzhinës, Mina shihte tanket e ushtrisë që merrnin flakë. Kishte humbur dy kunetërit.
Rrënojat e një postblloku gjenden afër shtëpisë së Minas. Ushtria afgane qëndroi për 18 vjet, derisa talebanët morën kontrollin e fshatit para dy vjetësh.
Mina ka bërë pak progres për ndërtimin e shtëpisë, por ka frikë se çfarë do të ndodhë me uljen e temperaturave dhe ngritjen e çmimeve.
Afganistani po përballet me krizë të madhe ekonomike pasi SHBA-ja ngriu ndihmat ndaj afganëve nën sanksionet ndërkombëtare kundër talebanëve. Ndihma e huaj që dikur përbënte 75 për qind të shpenzimeve shtetërore gjithashtu është bllokuar.
Mina ka gjashtë fëmijë. Të gjithë kanë nevojë të ushqehen, thotë ajo. Të gjithë të kthyerit kanë histori pothuajse të njëjtë.
“Nuk do të gjeni një person në këtë fshat që është në gjendje të mirë”, thotë Mahad Rizak.
Mungesa e ushqimit po dëmton fort. Spitali Mohammed Khan, i vetmi në rrethinë, po përballet me një numër të madh të të porsalindurve të kequshqyer që vajtojnë në repartin e maternitetit.
Në kirurgji, një muze i pazakontë kujtimesh varet në mur. Përbëhet nga plumbat dhe gurët e veshkave të hequr nga pacientët.
“Të tregon gjithçka për këtë vend”, thotë mjeku Gul Makia.
Thatësia ka shkatërruar të korrat, duke lënë shumë njerëz, jeta e të cilëve sillet rreth punimit të tokës dhe rritjes së bagëtisë pa mjete për të siguruar jetesën.
Kur të mbarojë tetori, përfundon edhe sezoni i mbledhjes së domates dhe Nisari do të jetë pa punë. Do t’i bashkohet gruas në përzierjen e çimentos.
Ai tregon dhomën e pushtuar dikur nga ushtarët afganë, dhe më pas kryengritësit talebanë pas tyre. “Vajza ime do të bëhet mësuese një ditë dhe ne do ta bëjmë atë një shkollë për të për të edukuar vajza të tjera.”
Edhe
Gratë afgane humbin shpresën e fundit pasi talebanët ndërpresin internetin
“Ajo do të jetë krenaria jonë”, thotë ai.
Përktheu: Gent Mehmeti