Pasi që Gjermania po vëren rritje në qëndrimin anti-rus, stafi i restorantit ukrainas dhe rus po bashkohen kundër luftës
Berlin, Gjermani - Po afron mesdita në Prenzlauer Berg, ndër pjesët më në trend të Berlinit lindor dhe tavolinat në “Pasternak” kanë filluar të mbushen me mysafirë për drekë. Me paksa ndjesi të pranverës në gjysmën e marsit dhe me lehtësimin e masave kundër pandemisë, nuk iu desh shumë restorantit hebraik rus t’i nxjerrë edhe tavolinat jashtë. Është pamje për qejfi për pronarin, Ilja Kaplan, restoranti i të cilit ka pësuar dëme qëkur Rusia e pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.
Sherri i luftës
“Gjatë javës së parë të luftës, kemi pasur shumë anulime të rezervimeve dhe kemi parë njerëz që nuk ishin konsumatorë tonë të dalin kundër nesh për shkak që servojmë ushqime ruse”, thotë Kaplan, 60 vjeç, përderisa rri ulur në karrigen jashtë restorantit. “Njerëzit po linin komente të ashpra kundër restorantit vetëm për shkak të luftës dhe jo për kualitetin e ushqimit. Situata është qetësuar dhe tani po na vijnë më shumë konsumatorë”.
Por pronari i restorantit thotë që biznesi po fiton shkaku i ndryshimeve klimatike dhe po humb shkaku i masave kundër pandemisë. “Gjatë ditës, disa njerëz fare nuk e vërejnë simbolin rus jashtë restorantit. Gjatë mbrëmjeve nuk ka edhe aq njerëz sikur para luftës”, thotë Kaplan, që flet i shqetësuar me stafin dhe konsumatorët.
Kaplan, i lindur në Moskë dhe i diplomuar në fushën e gastronomisë, jeton në Berlin qe 3 dekada dhe tani është pronar dhe mbikëqyrës i shumë ndërmarrjeve të gjithë qytetit që ofrojnë ushqime dhe pije nga Rusia, por edhe nga vendet ku gjuha ruse flitet, duke përfshirë edhe Ukrainën, Letoninë dhe Gjeorgjinë.
Edhe
Sulmi në Moskë ua sjell rusëve luftën në shtëpi
Në nivel personal, Kaplan thotë që javëve të fundit, bashkëpunëtori i tij ukrainas ka hasur vështirësi ta lërë shtëpinë e tij në Berlin shkaku i gjendjes emocionale të shkaktuar nga lufta.
Ai thotë që lufta e ka dëmtuar rëndë edhe kompaninë e tij, që është pronare edhe e shumë ndërmarrjeve të tjera, edhe stafin - 70% prej të cilëve janë ukrainas.
“Ishte me të vërtetë shokuese në fillim”, thotë ai. “Kishim një punëtor ukrainas në restorantin tonë që ishte në pushime në vendlindjen e tij dhe pas fillimit të luftës, na tregoi që nuk mund të vinte, sepse tani edhe ai po luftonte kundër ushtrisë ruse. Gjithashtu, na u desh ta marrin një punëtor tonin, që gjithashtu ishte në pushime në Ukrainë në kufirin me Poloninë”.
Kompania mori qëndrim të fortë kundër luftës, duke publikuar në faqen e tyre lajmin duke theksuar diversitetin e stafit dhe unitetin përbrenda ekipit, ku ka njerëz nga Gjermania, Greqia, Lituania, Ukraina, Rusia, Moldavia, Romania, Gjeorgjia, Argjentina, Spanja dhe Franca.
“Gjatë këtyre 30 viteve, asnjëherë nuk kemi pasur konflikte ndëretnike. Punojmë bashkë duke krijuar atmosferë të mirë dhe inspiruar mysafirët tanë”, njoftoi kompania. “Jemi të njëjtit mendim që agresioni i një shteti ndaj tjetrit është i papranueshëm në shoqërinë tonë moderne. Jemi kundër çdo lëvizjeje ushtarake që përfshinë pasoja dhe dhunë. Asnjë kombësi nuk duhet mbajtur përgjegjëse për veprimet e gabueshme të politikanëve shkurtpamës”.

“Padrejtësia e diskriminimit ndaj rusëve”
Maxim Schidko, kuzhinier në “Pasternak” dhe me prejardhje nga Kievi, i fsheh shqetësimet përmes sjelljeve shoqërore e duke qeshur. Ai thotë që në ditën e parë të luftës, gruaja dhe fëmija i tij u desh të udhëtonin prej Kievit, ku kompania e Kaplanit i ndihmoi atij ta merrnin në kufirin me Poloninë dhe tani ata janë të sigurt në Berlin.
Megjithatë, familjarë të tjerë ende janë në Ukrainë. “Djali im 18-vjeçar po përgatitet t’i bashkohet ushtrisë dhe dy të afërm vetëm i janë bashkuar dhe tani po luftojnë për ushtrinë ukrainase”, thotë ai. “Prindërit e mi ishin në funeralin e gjyshes në fshat kur lufta filloi dhe që atëherë po qëndrojnë aty. Sigurisht që merakosem për familjen, por jam i sigurt që Ukraina do të fitojë”.
Gjermania është shtëpi e numrit më të madh të popullsisë që flasin rusisht jashtë ish-Bashkimit Sovjetik, mes 3.5 dhe 4.5 milionë njerëzve, proporcion i madh me ata që jetojnë në Berlin.
Me shpërthimin e luftës, ka pasur raporte për sulme kundër komunitetit rus, duke përshirë sulme me zjarr ndaj shkollës ruso-gjermane në Berlin dhe vandalizëm ndaj dyqanit ushqimor ruso-polak në pjesën tjetër të Gjermanisë.
Edhe
“Ata janë të izoluar… janë vetëm” - Zelensky flet për Rusinë dhe gënjeshtrat e Putinit
Përderisa nuk kanë pasur probleme në “Pasternak”, një nga restorantet e Kaplanit ka pranuar thirrje kërcënuese duke iu kërkuar rusëve t’i mbledhin plaçkat e të ikin.
Sulmet e banorëve lokalë kanë shkaktuar shqetësime, thekson Marina Bernz, punëtore në “Pasternak”. “Punoj në ndërrimin e hershëm dhe gjatë ditëve të para të luftës isha shumë e shqetësuar se çka do të shihja kur të shkoja në punë dhe nëse dritaret do të jenë të thyera. Ishte hera e parë që jam ndier e pasigurt në Gjermani”.
Me temën e luftës që po zotëron gjatë darkës, Bernz thotë që të gjithë anëtarët e stafit kanë qenë mbështetës për njëri-tjetrin. “Jemi familje”, thotë ajo.
Por Bernz, që është kundër luftës, thotë që rusët po keqtrajtohen. “Nuk është e drejtë t’i diskriminosh rusët, sidomos ata që jetojnë jashtë Rusisë. Ata nuk kanë fare asgjë të bëjnë me luftën”.
Ajo mendon që ata nuk duhen fajësuar për ngjarjet aktuale, kështu që ajo nuk e fsheh prejardhjen e vet. “Ende nuk ndihem e lehtësuar, por tani si kurrë më parë po flas rusisht në rrugë. Nuk është faji ynë, kështu që pse duhet të fshihemi?”
Kaplan thotë që përbrenda diasporës ruse në Berlin ka prej atyre që e mbështesin luftën dhe ka prej atyre që nuk e mbështesin. “Haptazi e kundërshtoj luftën dhe i përkrah vlerat demokratike të lirisë, barazisë dhe drejtësisë”, thotë ajo, duke shtuar që shumë rusë e përkrahin Ukrainën, por frikësohen ta ngrenë zërin.
“E shoh që numri i rusëve që nuk e përkrahin luftën është më i madh se që duket, por ata frikësohen që do të quhen tradhtarë, kështu që nuk flasin fare. Për mua, nuk ka dallim ndërmjet ukrainasve dhe rusëve”, thotë ai, duke iu referuar historisë, kulturës dhe ushqimit të përbashkët - llojeve të ushqimeve që iu janë shërbyer në Moskë dhe që tani i shërben në restorantin e vet.

Rikthim në mbledhjet e viteve 1930 të letërsisë
I emërtuar sipas shkrimtarit rus dhe njëkohësisht fituesit të çmimit “Nobel” për letërsi, Boris Pasternak, që shkroi novelën “Doktor Zhivago” gjatë viteve 1950 e që u ndalua në Bashkimin Sovjetik për portretizimin negativ të jetës nën qeverisjen e sistemit sovjetik, restoranti e dominon hapësirën që është futur në historinë e ditëve të fundit. Pasi u bë i njohur për komunitetin e artistëve hebre, restoranti u bë pjesë e Berlinit Lindor gjatë kohës së ndarjes. Me qëllim të restaurimit dhe rinovimit të disa ndërtesave historike në këtë hapësirë, janë bërë investime të shumta pas rënies së Murit të Berlinit më 1989. Tani, si ndër vendet më të rregulluara në qytet, gjithashtu njihet si ndër vendet më të shtrenjta për të jetuar.
“Pasternak” u hap pesë vjet pas ribashkimit, ku Kaplan e mori nën menaxhim më 2002. Restoranti ka përballë të njohurin Wasserturm, që është ndërtuar në fund të shekullit 19. Disa pjesë të terrenit të kësaj kulle janë përdorur si kampe përqendrimi nga nazistët. Tani, është park dhe shesh lojërash.
Edhe
Gjermania thotë se po hapet një dritare për dialog mes Evropës dhe Rusisë për Ukrainën
Matanë gjendet sinagoga më e madhe gjermane dhe një shkollë ku sot dëgjohen zërat e fëmijëve duke luajtur dhe afër aty gjenden edhe restorante duke përfshirë edhe restorantin hebre. “Ka qenë e imja dikur”, thotë Kaplan, duke u drejtuar nga ajo.
Përktheu: Shukrie Sadiku
