Joe Biden ka ndarë mendjen që të kërkojë besimin e amerikanëve edhe për një mandat në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti amerikan ka bërë të ditur gjithashtu se bashkëgaruese do ta ketë zëvendëspresidenten Kamala Harris në zgjedhjet e vitit 2024.
Tani 80 vjeç dhe tashmë presidenti më i moshuar në historinë amerikane, Bideni ka sinjalizuar kaherë se do të kërkojë edhe një mandat katërvjeçar.
Në një xhirim të lansuar për të ruajtur fronin në krye të Shtëpisë së Bardhë, ai ka vlerësuar se zgjedhjet e ardhshme do të jenë luftë për demokraci dhe për lirinë personale. “Le të kryejmë punën deri në fund”, ka deklaruar ai.
“Liria. Liria personale është themelore për atë çfarë jemi si amerikanë. Nuk ka asgjë më të rëndësishme, asgjë më të shenjtë. Detyra ime në mandatin e parë ka qenë lufta për për demokracinë tonë”, ka thënë presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Por republikanët kanë vlerësuar se vendimi i Bidenit për të kandiduar përsëri dëshmon se presidenti amerikan është shkëputur nga realiteti. Madje i kanë bërë thirrje që të mendojë për mbledhjen e plaçkave.
Donald Trumpi tashmë ka shpallur kandidaturën, duke e ngritur mundësinë për ballafaqimin e tyre të dytë në nëntorin e vitit të ardhshëm. xhin
“Çdo gjeneratë e amerikanëve është përballur me momentin kur u desh ta mbronin demokracinë, të ngriheshin për liri personale, të ngriheshin për të drejtën e votimit dhe për të drejtat tona civile, dhe ky është momenti ynë”, është shprehur Biden.
Me demokratët e Bidenit që patën rezultate më të mira se u prit në zgjedhjet e mesmandatit vjet, ai nuk pritet të përballet me garë të fortë brenda partisë.
Në një anketim të kryer nga NBC News, është mësuar se 70 për qind e amerikanëve dhe vetëm gjysma e demokratëve, besojnë se ai nuk duhet të garojë përsëri.