Para një viti, rinia me maska të zeza e Hong-Kongut u mblodh para parlamentit. Tjegullat dhe gurët u ndeshën me plumba gome dhe me gaz lotsjellës. Territori tani, kur është goditur nga protestat dhe pandemia, po përballet me një sfidë tjetër qenësore. A do të mbijetojë?
Gjatë dymbëdhjetë muajve të kaluar, pothuajse të gjithë në Hong-Kong kanë mbajtur një maskë për një arsye a për një tjetër. Për protestuesit paqësorë ishte një maskim i pëlqyer për të shpëtuar nga identifikimi. Madje po shuhej edhe si njëfarë deklarate. Për të tjerët, maska po përdoret për t’u mbrojtur nga pandemia që është përhapur anembanë botës.
Të frikësuar prej kujtimeve të epidemisë së Sars-it të vitit 2003 në qytet, pothuajse të gjithë qytetarët në Hong-Kong bartin maska, dhe andaj qyteti nuk e kishte problem që të mësohej me mbajtjen e maskave – madje edhe në kohën kur bota është zhytur në krizë shëndetësore, hong-kongasit nuk është se e bëjnë të madhe punën e maskave.
Maskë pas maske
Pastaj Kina doli me një qëndrim të paparalajmëruar.
Pekini zyrtar planifikonte zbatimin e një ligji të ri të sigurisë kombëtare – asi që e bën krim çfarëdo që e quan “subversion, ndarje, terrorizëm dhe ndërhyrje të jashtme”. Ligji po draftohet dhe me gjasë do të kalojë edhe në instancat e fundit.
Për shumë kritikë të ligjit të propozuar, me këtë veprim mëtohet që të kthehet në krim edhe liria e shprehjes, e protestës dhe e pakënaqësisë – dhe kjo do të mund të përdorej për t’iu dhënë fund lirive të garantuara në Hong-Kong sipas marrëveshjes sino-britanike me të cilën i ishte kthyer Kinës kontrolli i Hong-Kongut nga Britania e Madhe më 1997.
“Hong-Kongu ka hyrë në një fazë të re. Pas asaj çfarë ndodhi vjet, Hong-Kongu do të mund të kthehej në një vend krejt ndryshe në të ardhmen”, ka thënë Alice Cheung, ish-lidere studentore.
Ka qenë një vit me mungesë besimi në institucione publike, shton ajo. Nuk do të mund ta merrte me mend se si do të dukej qyteti i saj i lindjes – dhe mbase do të shtrëngohej të bartte shumë maska. Dhe si shumëkush në këtë qytet, edhe ajo druan se e ardhmja e qytetit do të jetë e zymtë.
Pekini e konsideron këtë ligj si masë të domosdoshme për një qytet ku nuk ka kontroll real në të gjitha poret e jetës, por asnjëherë nuk do të shtrinte dorën në mënyrë paqësore për shkak të refuzimit ngulmues të qytetarëve të Hong-Kongut. Dhe tani pas një vale refuzimi edhe në rrugë, Pekini ka ashpërsuar diskursin dhe mbështetjen për autoritetet hongkongase, besnike ndaj autoritetit të Kinës kontinentale.
Brezi i protestave
Për Cheung dhe të tjerët, si puna e saj, kanë propozuar që ligji për sigurinë kombëtare të mos aprovohet për shkak se mendojnë se thyen shpirtin e qytetit, duke cenuar identitetin politik të Hong-Kongut si çerdhe ndërkombëtare e suksesit në biznes. Qytetarët e rëndomtë thonë se ligji i ri do të prekë edhe përditshmërinë e tyre.
Megjithatë, disa prej qytetarëve vendas thonë se mbështesin ligjin e ri, megjithëse do të mund të kishte pasoja shkatërrimtare për ekonominë e Hong-Kongut. Dhe për ta përshkruar këtë ndjenjë, Cheung përdor shprehjen “laam chau”, që në slengun kantonez do të thotë “shkatërrim i përbashkët”. Sipas kësaj teorie, nëse Pekini merr kontrollin e plotë të Hong-Kongut, Perëndimi do të duhej të sanksiononte Kinën, duke ia revokuar trajtimin special për Hong-Kongun. Kjo në fakt do ta dëmtonte ekonominë e Kinës.
SHBA-ja ka kërcënuar muajin e kaluar me heqje të privilegjeve speciale për Hong-Kongun dhe me vënie sanksionesh zyrtarëve kinezë, të cilët kanë minuar autonominë e qytetit.
Kishte njëherë e një kohë. Tani, Britania e Madhe është zotuar se nëse Pekini e çon para planin për ligjin, do t’ua japë të drejtën e shtetësisë më shumë se tre milionë qytetarëve të Hong-Kongut. Po përdor një mekanizëm ligjor që ia lejon Londrës zyrtare t’ua japë pasaportat qytetarëve që vijnë nga ish-kolonia britanike.
Kërcënimi kinez për hakmarrje
Implikimet e zotimit britanik nuk janë të vogla. Pekini ka paralajmëruar Londrën se do të hakmerret për çfarëdo ndërhyrjeje në punët e tij të brendshme, dhe Hong-Kongu do të mund të kurthohej ndërmjet dy zjarreve të një përplasjeje ndërkombëtare.
Cheung ishte protestuese paqësore, por ajo nuk dëshiron të distancohet nga njerëzit e dhunshëm në ballë të protestave – edhe për shkak se ka humbur besimin e madh në policinë. Policia është kthyer në institucionin me mbështetjen më të ulët popullore, për shkak se politika e përdori për të shtypur protestat për të ruajtur autonominë e qytetit.
Cheung ka parë bashkëqytetarë të arrestuar dhe të akuzuar vetëm pse mendonin si ajo dhe vetëm pse i përkisnin qytetit të saj të lindjes. “Disi jam mpirë”, thekson ajo. “Nuk është se kam shumë ndjenja kur i shikoj lajmet. Nuk e di nëse po i shtyp ndjenjat, apo çfarë po ndodh me mua”. \ BBC