Botë

“Qyteti fantazmë” në zemër të xhunglës në Indonezi

fantazme

Në zemër të xhunglës së Borneos, Indonezia po ndërton Nusantarën, një kryeqytet të ri “të gjelbër” që synon të revolucionarizojë jetën urbane. Megjithëse infrastruktura është ende e paplotë dhe e ardhmja e qytetit mbetet e pasigurt, banorët e rinj e shohin si një mundësi për një mënyrë të re jetese, ndërsa turistët vijnë për të vizituar monumentet dhe hapësirat e pazakonta. Projekti përballet me sfida mjedisore dhe logjistike, por ambicia për të krijuar një qytet modern dhe të qëndrueshëm mbetet e madhe

 

(NYT) - Në një cep të largët të ishullit të Borneos, një vrapues kalonte pa u shqetësuar në mes të një rruge të saposhtruar me gjashtë korsi. Nuk kishte fare trafik. Aty pranë, mbi një kodër, ishte vendosur një zog gjigant i ngjashëm me shqiponjën, i ndërtuar nga mijëra shufra bakri.

Kjo është zemra e Nusantarës, një metropol i ri dhe “i gjelbër” që po ngrihet nga hiçi, në mes të pyjeve të Indonezisë.

Por tre vjet pasi autoritetet hodhën themelet e qytetit, e ardhmja e asaj që u reklamua si kryeqyteti i ardhshëm i Indonezisë mbetet e paqartë. Vetëm një pjesë e vogël e nëpunësve civilë që pritej të shpërnguleshin aty e kanë bërë realisht këtë hap. Furnizimi me ujë është ende i pasigurt. Banorëve u duhet të udhëtojnë me orë të tëra për të shkuar në një qendër tregtare apo kinema. Shumë indonezianë tashmë e quajnë Nusantarën  “qytet fantazmë”.

Megjithatë, turistët e vizitojnë rregullisht Nusantarën; shumë prej tyre xhirojnë video për TikTok përpara monumentit gjigant të Garudës - zogut mitik që është simbol kombëtar i Indonezisë, i cili është rreth 76 metra i lartë dhe gati 180 metra i gjerë. Shumica vijnë me makinë nga qytetet fqinje të provincës Kalimantan Lindor, ndërsa të tjerë fluturojnë drejt aeroportit të Balikpapanit, rreth dy orë larg me makinë.

 

“Të jesh pjesë e historisë”

 

Sa u përket banorëve të qytetit, shumë prej tyre janë të rinj që kanë ardhur nga pjesë të tjera të Indonezisë dhe e shohin veten si pionierë të një mënyre të re jetese urbane.

Fachri Syamdoni Nawik, 26 vjeç, konsulent i të dhënave, u shpërngul në mars. “Është bukur të jesh pjesë e historisë, apo jo?” tha ai.

Nusantara synon të jetë një “qytet 10-minutësh”, që do të thotë se çdo destinacion duhet të arrihet brenda 10 minutash në këmbë, me biçikletë ose me transport publik. Banorët përdorin autobusë elektrikë dhe lejohen të drejtojnë vetëm automjete që konsiderohen miqësore me mjedisin. Ky është një koncept revolucionar për indonezianët që janë rritur duke u përballur çdo ditë me trafikun kaotik të qyteteve si Xhakarta, kryeqyteti aktual.

“Nuk kisha parë kurrë ndonjë vend në Indonezi si ky”, tha Adji Pramono, 48 vjeç, ndihmësdrejtor për ushqim dhe pije në hotelin Swissotel në Nusantara.

Adji, i lindur dhe rritur në Xhakartë, tha se nuk do të kthehej më kurrë të punonte atje, ku i duhej të zgjohej në orën 4 të mëngjesit për të arritur në punë në orën 8. “I takoja njerëzit çdo ditë dhe ata ishin gjithmonë të zemëruar”, tha ai.

Atmosfera në Nusantara, sipas tij, është krejt ndryshe.

Ky transformim ishte pjesë e vizionit të ish-presidentit Joko Widodo për të zhvendosur kryeqytetin rreth 1.300 kilometra larg Xhakartës, e cila po fundoset gradualisht në Detin e Javës. Emri Nusantara do të thotë “arkipelag” në gjuhën e vjetër javaneze dhe simbolizon larminë e ishujve dhe popujve të Indonezisë.

Por kritikët thonë se Nusantara, me një kosto të vlerësuar rreth 30 miliardë dollarë, përfaqëson mendjemadhësinë e Joko Widodos, i cili nisi shumë projekte infrastrukturore, përfshirë një linjë treni me shpejtësi të lartë në ishullin Java, që është zhytur në borxhe.

Pasardhësi i tij, Prabowo Subianto, nuk e ka vizituar ende Nusantarën që nga marrja e detyrës vitin e kaluar dhe ka shkurtuar buxhetin për zhvillimin e saj. Së fundmi, ai dukej se hodhi dyshime mbi të ardhmen e qytetit, duke thënë se ai do të vazhdojë të shërbejë si një “kryeqytet politik”.

Gazetari i “New York  Times”-it qëndroi në Swissotel, një nga dy hotelet e Nusantarës dhe i vetmi me markë ndërkombëtare. Menaxheri i përgjithshëm, Chrestian Pesik, tha se kohët e fundit në hotel kishin qëndruar nëntë ambasadorë të huaj, të cilët po shqyrtonin mundësinë e hapjes së ambasadave në qytet.

“Personat që nuk e njohin rrugëtimin e këtij qyteti mund t’i mbyllin sytë dhe të thonë: ‘Ky do të jetë një qytet fantazmë’”, tha Chrestian, 40 vjeç. “Por kur vijnë këtu, e ndiejnë që qyteti po rritet”.

Kur u pyet nga gazetari se çfarë bëjnë njerëzit për t’u argëtuar këtu, ai u përgjigj me humor: “Vrapojmë!”

Ditën që gazetari mbërriti, organizatorët po përfundonin një garë vrapimi malor prej 50 kilometrash. Nusantara, e njohur në Indonezi si I.K.N., duket se është shndërruar në vendin kryesor për zhvillimin e garave sportive në provincën e Kalimantanit Lindor.

Njëherazi post kufitar pionierësh dhe qytet universitar, mbetet e paqartë nëse Nusantara do të shndërrohet në metropolin që Joko kishte imagjinuar. Zyrtarët thonë se popullsia aktuale është rreth 155 mijë banorë, por zona përreth monumentit të Garudës dhe pallatit të ri presidencial ka vetëm rreth 10 mijë banorë, shumica dërrmuese prej tyre punëtorë ndërtimi.

Parashikohet që Nusantara të shtrihet në gati 2.600 kilometra katrorë, afërsisht dyfishi i madhësisë së Los Anxhelosit. Për momentin, zona është kryesisht e mbuluar me pemë. Hapësirat e zbrazëta janë të shumta. Ka pak restorante dhe dyqane ushqimore, megjithëse po ndërtohet një treg tradicional. Dhe pavarësisht gjelbërimit, ka shumë pak hije, gjë që e bën vapën e pasdites thuajse të padurueshme.

 

“Qytet pa shpirt”

 

Energjia elektrike sigurohet përmes një kombinimi të energjisë diellore dhe rrjetit kombëtar, por synimi afatgjatë është që qyteti të funksionojë tërësisht me energji të pastër.

Putri, 23 vjeçe, nëpunëse civile, u diplomua vitin e kaluar për inxhinieri elektrike dhe u zhvendos në Nusantara në qershor. Ajo tha se krijoi shpejt miq të rinj dhe se nuk mërzitet kurrë, sepse merr pjesë në festivale ushqimi dhe në aksione mbjelljeje pemësh çdo muaj.

Shumë banorë thonë se cilësia e jetës në Nusantara është më e mirë.

Fachri tregoi se jeton pa qira në një apartament në katin e dhjetë, të siguruar nga qeveria. Ai ka një televizor me ekran të sheshtë të lidhur me Netflix dhe, për herë të parë në jetën e tij, kondicioner ajri në dhomën e gjumit. Jashtë apartamentit ndodhen tre kosha për ndarjen e mbeturinave. Ai e përshkroi banesën aktuale si vendin më të bukur ku ka jetuar ndonjëherë. Poshtë ka një palestër, si edhe hapësira për futboll dhe pingpong.

Sipas qendrës së vizitorëve, Nusantara synon të jetë një qytet “i jetueshëm dhe i dashur”. Kur isha atje, kjo qendër ishte pothuajse bosh. Këto janë synime ambicioze, por kritikët argumentojnë se qyteti po dëmton mjedisin. Ambientalistët thonë se mijëra hektarë pyje, habitat i majmunit hundëgjatë (proboscis monkey), një specie e rrezikuar, janë shkatërruar.

Ndërtimi i autostradës që e lidh qytetin me Balikpapanin, qytetin më të afërt, ka ndërprerë burime jetike uji dhe ka shkaktuar përmbytje më të shpeshta atje, tha Mappaselle, kreu i Grupit të Punës për Bregdetin e Balikpapanit, një organizatë mjedisore. Mappaselle, i cili njihet vetëm me një emër, tha se autoritetet nuk kanë publikuar një raport për vlerësimin e ndikimit mjedisor.

Bambang Susantono ishte drejtues i Autoritetit të Kryeqytetit Nusantara deri sa dha dorëheqje në vitin 2024. Ai tha se Joko këmbënguli që një pjesë e madhe e ndërtimit të përfundonte para se të largohej nga detyra atë vit, por Bambang mendonte se përshpejtimi i afateve mund të sillte probleme. Ai tha se kishte parasysh atë që ndodhi pasi Brazili ndërtoi Brasílian, kryeqytetin e ri që sot rrethohet nga lagje të varfra.

“Ndërtimi i një qyteti do të thotë ndërtim i një komuniteti, jo vetëm i infrastrukturës fizike”, tha ai. “Përndryshe, rrezikon të krijosh një qytet pa shpirt”.

Një tjetër problem i mundshëm për qytetin është uji. Sipas Bambang diga e ndërtuar mbi lumin Sepaku i siguron ujë qytetit deri në vitin 2030”. Më pas, autoritetet do të duhet të ndërtojnë një digë tjetër ose të sjellin ujë nga lumenj të tjerë.

Në një mbrëmje disa turistë po pozonin për fotografi në parqe. Mes tyre ishte edhe Puput Rianti, 23 vjeçe, e cila po realizonte foto martese me të dashurin e saj.

Ajo kishte ardhur nga Penajami, një qytet rreth 50 kilometra larg, dhe tha se do të dëshironte shumë të jetonte këtu. “Duam ta ndiejmë përparimin”, tha ajo.

Në të gjithë qytetin, vinçat vazhdonin të lëviznin. Andrinof Chaniago, ish-ministër i Planifikimit Kombëtar të Zhvillimit të Indonezisë dhe nismëtari i zhvendosjes së kryeqytetit, tha se shqetësimet për fatin e projektit janë të pabazuara.

“Është e pamundur të kthehemi pas tani”, tha ai. “Anulimi i tij do të bënte që gjithçka që është ndërtuar të shkojë dëm”.