“Ju keni ministrin e Sigurisë Kombëtare që e ka bërë shumë të qartë se ai beson në vrasjen e palestinezëve, ju keni një ministër të Financave që e ka bërë të qartë se (palestinezët) janë këtu vetëm përkohësisht”, tha për “Al-Jazeeran”, analistja me bazë në Haifa, Diana Buttu
(Al-Jazeera) - Rritja e dhunës kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Jerusalemin Lindor ngjall frikë pas planeve të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për ta bërë më të lehtë për izraelitët blerjen e armëve të zjarrit.
Të shtunën, Netanyahu tha se do t’i përshpejtonte lejet e armëve për qytetarët izraelitë dhe do të shtonte përpjekjet për të mbledhur “armë të paligjshme”. Zyra e tij premtoi gjithashtu hapa të rinj për të “forcuar" vendbanimet ilegale izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Njoftimet u bënë pas një takimi të kabinetit të sigurisë të Netanyahut – i mbushur me politikanë të linjës së ashpër – mbi dy të shtëna që përfshinin një sulm në Jerusalemin Lindor të pushtuar.
Shtatë persona u vranë në të shtënat jashtë një sinagoge në Jerusalemin Lindor të premten.
Ashpërsim diskursi
Të shtënat ndodhën në fund të një muaji të konfrontimit në rritje dhe pas një sulmi izraelit në qytetin e pushtuar të Jeninit në Bregun Perëndimor që vrau nëntë palestinezë dhe shkëmbime zjarri midis Izraelit dhe Gazës. Në total, forcat izraelite kanë vrarë 32 palestinezë këtë muaj.
Qeveria e re izraelite, e inauguruar muajin e kaluar, është më e djathta në historinë e vendit dhe ka ngjallur frikë për palestinezët që jetojnë nën okupimin e paligjshëm ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor dhe në Izrael, si dhe izraelitët e krahut të majtë.
Pjesë e Qeverisë së re janë ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, dhe ministri i Financave, Bezalel Smotrich, të dy të hapur për qëllimin e tyre për të zgjeruar vendbanimet ilegale në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe aneksimin e tokës palestineze, dhe janë të njohur për nxitjen e dhunës kundër palestinezëve.
Të dy janë kolonë që jetojnë thellë brenda Bregut e pushtuar Perëndimor.
“Ju keni ministrin e Sigurisë Kombëtare që e ka bërë shumë të qartë se ai beson në vrasjen e palestinezëve, ju keni një ministër të Financave që e ka bërë të qartë se (palestinezët) janë këtu vetëm përkohësisht”, tha për “Al-Jazeeran”, analistja me bazë në Haifa, Diana Buttu.
“Dhe ju keni gjithashtu një kryeministër që po e bën të qartë se njerëzit duhet të armatosen dhe nuk do të bëjnë asgjë për të ndaluar vrasjen e palestinezëve. Ju mund të shihni se receta është se gjithnjë e më shumë palestinezë do të vriten”.
200 palestinezë u vranë vjet
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Autoritetit Palestinez, më shumë se 200 palestinezë u vranë në vitin 2022. Kombet e Bashkuara thanë se ishte viti më vdekjeprurës për palestinezët në 16 vjet.
Në mesin e të vrarëve ishte gazetarja e “Al-Jazeeras”, Shireen Abu Akleh. Ndërsa raportonte, ajo u qëllua për vdekje nga forcat izraelite me një plumb në kokë gjatë një sulmi ushtarak në qytetin e pushtuar të Jeninit në Bregun Perëndimor në maj.
Muajin e kaluar, Rrjeti Mediatik Al-Jazeera paraqiti një kërkesë zyrtare në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat përgjegjës.
"Në asnjë nga ato raste (të palestinezëve të vrarë) - as një - nuk u hap një hetim që çoi në akuza, madje as në rastin e Shireenit, ndoshta vrasja më e hetuar që kemi parë ndonjëherë”, tha Buttu, duke shtuar se në më shumë se 90 për qind e sulmeve që kolonët kryejnë kundër palestinezëve, “policia nuk bën asgjë, ushtria nuk bën asgjë, ata thjesht mbyllin dosjen, nuk ka asnjë akuzë”.
“Dënim kolektiv”
Redaktori diplomatik i “Al-Jazeeras”, James Bays, duke raportuar nga Jerusalemi Lindor i pushtuar, tha se planet e Netanyahut për të miratuar më shumë leje armësh për qytetarët izraelitë vijnë pasi policia izraelite po inkurajonte gjithashtu ata me licenca ekzistuese të mbanin armët e tyre.
“Ndërsa Netanyahu po u kërkon izraelitëve të mos e marrin ligjin në duart e tyre, ai gjithashtu po vendos më shumë armë në të njëjtat duar”, tha Bays, i cili vazhdoi të përshkruajë masat si “dënim kolektiv” dhe “një shkelje të qartë të drejtat e njeriut”.
Yara Hawari, bashkëpunëtore e lartë e politikës në institutin e mendimit Shabaka, i tha “Al-Jazeeras: se njoftimi është “një përshkallëzim shqetësues që pa dyshim do të çojë në më shumë sulme dhe më shumë vrasje jashtëgjyqësore të palestinezëve”.
“Me këtë lëvizje, Netanyahu po u jep dritën jeshile të gjithë izraelitëve që të ushtrojnë dhunë mbi palestinezët pa u ndëshkuar plotësisht”, tha Hawari.
Buttu shtoi se Izraeli tashmë është “i armatosur deri në dhëmbë” dhe “të qëlloni mbi palestinezët është shumë e zakonshme”.
“Nuk është aspak e pazakontë të shohësh kolonë izraelitë që ecin me jo vetëm pistoleta, por edhe me pushkë sulmi”, tha Buttu. “Është mjaft e zakonshme nëse është në qendër tregtare, në autobus, në tren, në vende fetare për të parë njerëz që mbajnë armë.
“Problemi këtu është se nuk është vetëm çështja e armatosjes së njerëzve. Është se kjo qeveri u ka dhënë gjithmonë izraelitëve një dritë jeshile për të shkuar përpara dhe për të qëlluar mbi palestinezët”, qoftë në nivelin e policisë apo ushtrisë, tha ajo.
Si pjesë e masave ndëshkuese kundër palestinezëve, Netanyahu tha gjithashtu se shtëpitë e sulmuesve të dyshuar do të vulosen përpara prishjes “në mënyrë që të kërkohet një çmim shtesë nga ata që mbështesin terrorizmin”.
