Botë

Pse pakistanezët po marrin rrugën e rrezikshme për në Evropë

Mijëra pakistanezë po marrin rrugën përmes Libisë, për të gjetur punë në Evropë. Kjo rrugë përfshin një udhëtim me varkë, rreziqet e të cilit u theksuan kur një anije e mbipopulluar u fundos në Greqi, në muajin qershor, e si pasojë pati humbje të mëdha jetësh. Nga afro 13 mijë pakistanezë që janë nisur për në Libi dhe Egjipt këtë vit, shumica nuk janë kthyer - përfshirë dy adoleshentë, fjalët e fundit të të cilëve, për nënën e tyre, ishin “mos u shqetëso”

Në stacionin e policisë, në provincën Punjab, është 35 gradë Celsius, ajri është i lagësht dhe atmosfera është e qetë. Djersa na rrjedh nëpër shpinë.

Në fund të një korridori të shkurtër e të hapur, pranë dhomave të mbushura me letra të shpërndara pa asnjë rregull, shihet një qeli e vogël. Gjashtëmbëdhjetë burra ulen krah për krah në dyshemenë e çimentos, lagështia depërton nëpër mure, vetëm njëri prej burrave vërtitet pas hekurave të qelisë dhe një tualet shihet pas një muri të ulët.

Të gjithë këta burra dyshohet se kanë qenë të përfshirë në kontrabandën e qenieve njerëzore, shumica e tyre të lidhur direkt me anijen e emigrantëve që u largua nga Libia dhe u fundos në Greqi më 14 qershor. Gati 300 pakistanezë që mendohet se kanë qenë në bord janë ende të zhdukur e dyshohet se kanë vdekur, duke përfshirë edhe adoleshentët Farhad, 15 vjeç dhe Touheed, 18 vjeç.

Ne i pyesim nëse dikush dëshiron të flasë. Shumica i shmangin sytë, por një burrë, Husnain Shah, hidhet përpjetë. Ky është arrestimi i tij i tretë; ai ka qenë kontrabandist për më shumë se një dekadë, thotë ai, megjithëse mohon se ka luajtur një rol të madh në fundosjen e anijes në brigjet e Greqisë.

“Ka kaq shumë papunësi këtu sa njerëzit vijnë në shtëpitë tona dhe na kërkojnë t'i lidhim me dikë që mund t'i dërgojë jashtë vendit”, thotë ai.

“E nisa këtë punë sepse nuk kishte punë tjetër. Unë nuk kam rol kryesor, janë njerëzit që janë ulur në Libi që janë shumë të mëdhenj dhe të pasur; ne nuk e marrim as pjesën kryesore të pagesës, as një të dhjetën e shumës”.

Kur e pyes nëse ndjen ndonjë pikë faji për atë që u ka ndodhur atyre që kanë vdekur duke kaluar këto rrugë, toni i tij ndryshon.

“Më erdhi shumë keq, ne jemi vërtet të turpëruar për këtë. Por çfarë mund të bëjmë? Nëse nuk e bëj unë, dikush tjetër do ta bëjë”.

Papunësia në rritje

Me ekonominë buzë greminës, inflacionin që arrin gati 40% dhe rupia-n pakistaneze në rënie, shumë banorë kërkojnë të dalin jashtë vendit.

Sipas një sondazhi të vitit të kaluar, 62% e djemve dhe të rinjve të moshës 15-24 vjeç donin të largoheshin. Disa përpiqen të ikin legalisht, të tjerët gjejnë rrugë alternative.

Përshkak të natyrës së tij, numri i migrimeve të paligjshme është i vështirë që të llogaritet, por autoritetet pakistaneze na thanë se anija e fundit greke vuri në pah një rrugë të re popullore për pakistanezët.

Pakistani ka tani më pak dalje nga rrugët e tjera, thotë Mohammed Alam Shinwari, i cili është i ngarkuar me hetimin e fundosjes së anijes greke.

Ai tha për BBC-në se gati 13 mijë njerëz janë nisur nga Pakistani për në Libi ose Egjipt në gjashtë muajt e parë të 2023-s, krahasuar me rreth 7 mijë në të gjithë vitin 2022. Nga ata 13 mijë, 10 mijë nuk janë kthyer.

“Ne nuk e dimë nëse ata janë ende në Libi apo nëse kanë shkuar në ndonjë nga vendet evropiane”.

Është për t’u habitur se si policia nuk e ka kuptuar se sa pakistanezë po merrnin këtë rrugë, deri në fundosjen e anijes.

Në muajin shkurt, pakistanezët ishin në bordin e një anijeje e cila u fundos në brigjet e Italisë që ishte nisur nga Libia.

Por Shinwari argumenton se hetimi i këtyre rrugëve është i ndërlikuar kur familjet nuk lajmërohen në polici për atë që ka ndodhur.

“Është shumë e vështirë për ne që t’i ndjekim ato raste dhe të mbledhim informacione, sepse kjo duhet të vijë nga familjet dhe në shumicën e rasteve nuk na tregojnë asgjë”, thotë ai.

Ka edhe komplikime të tjera; shumë prej këtyre udhëtarëve, udhëtojnë me dokumente të vlefshme, me viza të vlefshme, për në Dubai ose Egjipt, duke e bërë të vështirë ndalimin e tyre. Kjo do të thotë gjithashtu se udhëtimi është më i shtrenjtë se rrugët e mëparshme - midis 8.725 - 10.470 dollarë.

Pakistani po punon për të ndaluar migrimin e paligjshëm; Shinwari më thotë se ata ndaluan 19 mijë njerëz që të dilnin jashtë vendit, vitin e kaluar, pasi kishin frikë se mund të ishin viktima të kontrabandës së njerëzve, dhe se ata kishin deportuar 20 mijë pakistanezë.

“Se sa njerëz po shkojnë”, thotë ai. “Nuk kemi asnjë ide”.

“Po vdesim këtu”

Disa nga ata që kanë udhëtuar tani janë të bllokuar në Libi. Në një fshat në Punjab, ne ndalemi për të folur me një familje, por shpejt na bashkohen burra nga e gjithë zona.

Disa nga fëmijët e tyre udhëtuan për në Libi javë më parë dhe janë ende atje. Ata u dërgojnë të afërmve dhe miqve të tyre mesazhe dhe video, duke i lutur për më shumë para.

Një baba na tregon një video me më shumë se 100 burra, në një dhomë pa dritare me mure dhe dysheme të bardha. Shumica e burrave janë zhveshur vetëm në të brendshme, për t’i bërë ballë të nxehtit.

Situata është aq konfuze sa familjet e tyre nuk e dinë nëse ata mbahen ende nga kontrabandistët, nga autoritetet libiane apo nga dikush tjetër. Ata na kërkuan që të mos zbulojmë identitetin e tyre për shkak të frikës nga hakmarrja, ndaj të rinjëve në mbajtje.

“Ata u japin ushqim vetëm një herë brenda dy-tre ditësh”, më thotë një baba. “Djali qan shumë, është vetëm 18 vjeç, thotë se në çfarë halli kemi rënë, lekët i kemi dhënë dhe po vdesim këtu”.

Duke pasur parasysh këto kushte, familjet nuk janë të vetëdijshme për atë që duan të ndodhë më pas. Fillimisht kur u pyetën, ata thanë se donin një rrugë të sigurt për të rinjtë për në Evropë, por më pas thanë se donin që ata të ktheheshin në shtëpi.

Ministria e Punëve të Jashtme të Pakistanit është në dijeni dhe po punon për këtë, thotë policia.

Pavarësisht rreziqeve, ne folëm me njerëz të shumtë në të gjithë Pakistanin, të cilët thanë se në mënyrë aktive po kërkonin të udhëtonin ilegalisht.

Një kontrabandist, me bazë në Evropë, tha se rrugët po funksionojnë ende jashtë Pakistanit. Edhe autoritetet policore pranuan se e dinë se njerëzit ende po largohen ilegalisht nga vendi.

Nga shumë njerëz me të cilët biseduam, të cilët ose donin të iknin ose kishin dërguar me dëshirë djemtë e tyre, të gjithë folën me shpresën për një jetë më të mirë.

Disa folën për presionin social; Një burrë tha se shumica e kushërinjve dhe vëllezërve të tij e kishin bërë tashmë kalimin, dhe se tani ai i bie pishman pse nuk kishte shkuar.

“Ky është mesazhi ynë i fundit”

Të tjerë folën për shtëpitë e ndërtuara me paratë e fituara jashtë vendit, për presionin e ushtruar mbi ta nga kontrabandistët që jetonin pranë tyre, për të bërë atë që do të ishte më e mira për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Disa madje kishin bërë vetë udhëtimin, duke përfshirë babain e Farhad-init dhe Touheed-it.

Fareed Hussain-i shkoi në Gjermani ilegalisht tetë vjet më parë, duke udhëtuar përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë, Serbisë, Kroacisë dhe Sllovenisë. Pas katër vjetësh ai u kthye kur babai i tij u sëmur dhe duhej të kujdesej për familjen. Më pas ai u bind nga i njëjti kontrabandist që të niste djemtë e tij adoleshentë.

“Ai na bënte të besojmë se Evropa ishte pikërisht para nesh”, thotë Fareed-i. “Që fëmijët do të shkojnë dhe do të krijojnë jetën e tyre”

“Mendova se jemi njerëz të varfër, se edhe nëse shkollohen këtu nuk do të gjejnë punë dhe ne nuk kemi shumë tokë. Mendova se do të shkojnë, do të shkollohen dhe do të punojnë”.

Fareed-i shiti pasurinë e tij në mënyrë që djemtë e tij, Farhad-i dhe Touheed-i të udhëtojnë nëpërmjet Egjiptit dhe Dubait. Prindërit e tyre kanë ende një notë zanore dërguar nga djemtë, në orën 04:00, në ditën e largimit.

“Po ikim, thuaj nënës ky është mesazhi ynë i fundit”.

Familja nuk dëgjoi më kurrë nga Farhad-i dhe Touheed-i. Të dy besohet se janë mbytur në ujërat e Greqisë më 14 qershor. Prindërit e tyre mund të mos i kenë kurrë trupat e tyre për t’i varrosur.

Tani nëna e tyre thotë se i dëgjon mesazhet e tyre zanore dhe qan për orë të tëra.

“Edhe nëse këtu ka varfëri dhe po vdisni nga uria, nuk duhet të ikni”, thotë Fareed-i.

Përktheu: Forca Jashari