Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pse francezët nuk duan të pensionohen më vonë

Sindikata e grumbulluesve të plehrave në Paris ka bërë thirrje për greva të reja më 13 prill, me sindikatat e tjera që premtojnë të vazhdojnë rezistencën derisa Ligji për rritjen e moshës së pensionit të anulohet. Publiku francez është në masë të madhe kundër reformës së pensioneve dhe demonstratat e pandërprera kundër saj janë shndërruar në zemërim më të gjerë

Paris (AP) – Qindra mijëra njerëz kanë marshuar në rrugët e Francës të enjten, në ditën e 11-të të rezistencës mbarëkombëtare ndaj propozimit të Qeverisë për të ngritur moshën e pensionit nga 62 në 64 vjeç. Reagimi i ashpër i publikut ndaj planit ka goditur dhe dobësuar presidentin francez, Emmanuel Macron.

Organi më i lartë i Francës për çështjet kushtetuese do të shqyrtojë moshën më të lartë të pensionit. Këshilli Kushtetues pritet të nxjerrë një vendim këtë muaj dhe kundërshtarët e Macronit shpresojnë se ai do të kufizojë ashpër propozimin e tij.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në shumë vende rritja e moshës së daljes në pension me dy vjet nuk do ta çonte vendin në një rrëmujë të tillë. Por publiku francez është në masë të madhe kundër reformës së pensioneve dhe demonstratat e pandërprera kundër saj janë shndërruar në zemërim më të gjerë.

Sa të zemëruar janë francezët?

Deri në 10 mijë tonë plehra u grumbulluan në rrugët e Parisit gjatë një greve javore nga punonjësit sanitarë mbi një plan që do të rriste moshën e tyre të pensionit nga 57 në 59 vjeç – më e ulët se mosha kombëtare, sepse punët e tyre janë fizikisht më të vështira.

"Njerëzit janë të zemëruar", tha Jerome Villier, një studiues 43-vjeçar në Paris. "Është e qartë".

Shumë qeveri në botën e zhvilluar janë në situata të ngjashme. Rritja e popullsisë është në rënie, njerëzit jetojnë më gjatë, mjekësia është më e mirë dhe të mirat kushtojnë më shumë. Përpjekjet e demokracive për të balancuar buxhetet duke ulur përfitimet, veçanërisht në vendet me plane bujare si Franca, i vënë administratat në rrezik. Shumë pajtohen se Macroni ka bërë disa gabime thelbësore.

Opsioni bërthamor

Nga frika se mund të mos merrte vota të mjaftueshme në Parlament për të miratuar projektligjin, Macroni iu drejtua "opsionit bërthamor" duke përdorur një nen të veçantë të Kushtetutës franceze që lejonte Qeverinë ta kalonte projektligjin pa votim. Kjo nxiti zemërim në të gjithë Francën duke rënduar më tej pakënaqësinë, zvogëloi popullaritetin e tij dhe galvanizoi imazhin e kritikëve për të si një udhëheqës monarkik.

Macroni humbi shumicën e tij në Parlament vitin e kaluar dhe qeveria e tij u mbijetoi dy votave të mosbesimit muajin e kaluar – pasi ai krijoi zemërim në komb duke e kaluar reformën në Parlament.

Ekspertët thonë se protestat tregojnë se Macroni u rizgjodh për shkak të antipatisë ndaj kandidates së ekstremit të djathtë, Marine le Pen, më shumë sesa nga entuziazmi për të. E edhe nëse protestat shuhen, presidenti francez do të ketë ende një hundë të gjakosur politike dhe njollë të përhershme në autoritetin e tij.

“Jam i shqetësuar për Francën. Për shkak se njerëzit e urrejnë vërtet Macronin – ne e urrejmë atë – dhe jemi vetëm në fillim, kemi edhe katër vjet të tjerë”, tha agjenti i sigurimeve, Mohamed Belmoud, 28 vjeç. “Ai vazhdoi të merrte vendime nga lart-poshtë. Francezët duhet të shohin më shumë kompromis”.

Çfarë do ndodh tani?

Ligji i pensioneve ka nevojë për një dritë jeshile nga Këshilli Kushtetues më 14 prill. Sindikata e grumbulluesve të plehrave në Paris ka bërë thirrje për greva të reja më 13 prill, me sindikatat e tjera që premtojnë të vazhdojnë rezistencën derisa ligji i diskutueshëm të anulohet. Disa parashikojnë se entuziazmi i publikut francez dhe burimet për protesta dhe greva po pakësohen.

“Të hysh në grevë është çështje e shtrenjtë, kështu që nuk mund ta bësh përgjithmonë”, tha Jean-Daniel Levy, zëvendësdrejtor i sondazhit të Harris Interactive. Dhe ulja e fuqisë shpenzuese është një çështje reale, duke i lënë shumë të pafuqishëm të protestojnë më shumë, tha ai.

Të tjerë thonë se dhuna e parë në protestat mbarëkombëtare, me dhjetëra demonstrues dhe policë të plagosur, ka shuar njerëzit e rregullt.

“Demonstratat janë bërë më të dhunshme ndërsa kanë vazhduar. Kjo do të thotë se shumë në Francë tani janë duke qëndruar larg”, tha Luc Rouban, drejtor kërkimor i CNRS në Sciences Po.

Sa të rëndësishme janë këto protesta?

Gjykata më e lartë kushtetuese e Francës përbëhet nga gjyqtarë të quajtur "të mençurit" dhe kryesohet nga ish-kryeministri socialist, Laurent Fabius. Nëse vendos që një pjesë ose i gjithë ligji është në kundërshtim me Kushtetutën, ose sferën e qëllimeve të ligjit, Këshilli mund ta rrëzojë atë. “Të mençurit” do të vendosin gjithashtu nëse kritikët e ligjit mund të ecin përpara me përpjekjet e tyre për të detyruar një referendum mbarëkombëtar për ndryshimin e pensioneve.

Ndërsa këshilli ka për qëllim të vendosë mbi baza thjesht kushtetuese, ekspertët thonë se ai tenton të marrë parasysh opinionin publik.

"Sondazhet tregojnë ende se një shumicë dërrmuese e francezëve janë kundër reformave të pensioneve, kështu që një skenar i mundshëm është që këshilli mund të heqë pjesë të projektligjit", tha Dominique Andolfatto, profesor i shkencave politike në Universitetin e Burgundy.

“Ka një urrejtje të caktuar në ajër që rrallë e kemi parë kundër një lideri francez”, tha ai. "Ky është ujë i patrazuar".

Përktheu: Forca Jashari

Image