Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pritja e Vitit të Ri në Time Square, pavarësisht rritjes së rasteve me COVID-19

Qyteti i New Yorkut do të kumbojë në vitin 2022 në Times Square siç ishte planifikuar, pavarësisht numrit rekord të infeksioneve me COVID-19 në qytet dhe në mbarë vendin, ka bërë të ditur të enjten kryebashkiaku, Bill de Blasio.

"Ne duam të tregojmë se po ecim përpara dhe duam t'i tregojmë botës se New York City po lufton përmes kësaj”, ka thënë Blasio, për NBC.

Pas ndalimit të argëtuesve nga Times Square një vit më parë për shkak të pandemisë, zyrtarët e qytetit njoftuan më parë planet për një festë të reduktuar të Vitit të Ri, me turma më të vogla dhe vaksinime të nevojshme.

Derisa qytete të tilla si Atlanta, kanë anuluar festimet e natës së Vitit të Ri, de Blasio ka thënë se shkalla e lartë e vaksinimit ndaj COVID-19 në qytetin e New York-ut e bën të mundur mirëpritjen e turmave të maskuara, me mbajtjen e distancës, për të parë topin të bjerë në Times Square.

“Ne duhet t'i dërgojmë një mesazh botës. Qyteti i New Yorkut është i hapur”, ka thënë ai.

Falë variantit tejet ngjitës Omicron që u identifikua për herë të parë si një variant shqetësues muajin e kaluar, rastet e reja të COVID-19 në SHBA janë rritur në nivelet e tyre më të larta, duke shënuar rekord me mbi 265,000 raste mesatarisht në ditë. Qyteti i New Yorkut raportoi një numër rekord të rasteve të reja, të konfirmuara - më shumë se 39,590 vetëm të martën, sipas shifrave të qytetit.