Gjykatësja Prisca Matimba Nyambe ka siguruar një vend në librat e historisë për kryesimin e një prej rasteve më peshëmëdha para Dhomës së Apeleve për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, pasi që nuk ishte pajtuar me pothuajse asnjërin prej vendimeve të Gjykatës.
Juristja 69-vjeçarja nga Zambia është përshkruar nga Instituti për Gratë Afrikane në Drejtësi si “një shembull i jashtëzakonshëm guximi dhe frymëzimi për madhështinë ligjore”. Ajo thuhet të jetë e rrjedhshme në dialektet tonga, soli dhe bemba, teksa ka njohuri të mira edhe të frëngjishtes, swahilit dhe lozit.
Ishte pjesë e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Ruandën, gjykatë kjo simotër e asaj të Hagës për ish-Jugosllavinë, duke u ngritur në pozitën e krye këshilltares.
Të martën, ajo përsëriti vazhdimisht fjalët “me mospajtimin e gjykatëses Nyambe” teksa obligimi ia kërkonte që t’i lexonte vendimet e Dhomës, ndonëse nuk pajtohej me to.
Me mospajtimet e saj, ajo sinjalizoi se besonte që gjykimi i shkallës së parë, i cili përfundoi me shqiptimin e dënimit me burgim të përjetshëm për Ratko Mladiqin rreth gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzit, kishte të meta të rënda dhe se gjenerali i serbëve të Bosnjës meritonte rigjykim.
Nyambe ka lënë të kuptohej gjithashtu se e kishte pranuar versionin e Mladiqit se zhvendosja e më shumë se 30.000 myslimanëve nga Srebrenica, pasi që enklava kishte rënë në duart e forcave të tij, ishte kryer për “shkaqe humanitare”.
Edhe
Krimineli Mladiq kërkon lirim të menjëhershëm sepse “po i afrohet fundit të jetës”
Ishte e vetme në mospajtimin ndaj të gjitha vendimeve të panelit pesëanëtarësh dhe dhembshuria e saj për vendimin e të tjerëve shfaqej herë pas here në transmetimin e drejtpërdrejt të adresimit nga gjykata, porse qëndrimet e saja nuk ishin të befasishme. Më 2012, ajo kishte shkaktuar shqetësime për vëzhguesit ligjorë meqë e kishte kundërshtuar dënimin nga gjykata të njërit prej gjeneralëve të Mladiqit, Zdravko Tolimir, me ç’rast kishte thënë se masakra e rreth 8.000 burrave dhe djelmoshave nga Srebrenica ishte punë “e një grup të vogël individësh që vepronin në mënyrë të paautorizuar dhe të fshehtë”.
Me këtë rast, ajo gjithashtu kishte thënë se ndarja e burrave dhe djelmoshave myslimanë nga familjarët e tjerë të tyre ishte bërë “me qëllim të shpërfaqjes legjitime të kriminelëve të luftës”. Kishte shprehur madje fjalë admirimi për vet Mladiqin, duke aluduar në shembullin e një takimi në Hotelin Fontana, ku ai ia kishte rrudhur vetullat komandantit të pashpirt holandez nga radhët e OKB-së për dorëzimin e civilëve myslimanë, duke cekur se gjenerali ishte “mikpritës dhe u ofronte të mira pjesëmarrësve, si cigare, bira dhe sanduiçe për drekë”.