“Bota duhet ta dijë për këta fëmijë që u vranë nga Izraeli, sepse ata nuk janë numra, por emra, histori dhe ëndrra të vrara nga pushtimi izraelit në Gaza”, ka thënë Sara al-Khalidi, nëna e katër fëmijëve që përjetojnë tmerrin e bombardimeve izraelite në Gaza. Gjatë tri javëve të fundit, bombardimi i pamëshirshëm i Izraelit mbi Rripin e rrethuar të Gazës ka shkaktuar vrasjen e më shumë se 8 mijë palestinezëve, prej tyre afro 3 mijë fëmijë
(Al Jazeera) – Derisa bombat izraelite gjëmuan dhe tronditën botën përreth tyre, Sara al-Khalidi dhe katër fëmijët e saj u shtrinë afër njëri-tjetrit në dyshemenë e dhomës së tyre, në lagjen “Tal al-Hawa” të qytetit të Gazës, duke u dridhur nga frika.
Shpërthimet nuk u ndalën gjatë gjithë natës, duke krijuar atë që Sara tha se ishte një brez zjarri në zonë.
“Në atë moment mendova se nëse shtëpia goditet nga një bombë e fortë, fëmijët e mi do të vdisnin dhe askush nuk do të ishte në gjendje t’i identifikonte”, u shpreh 40-vjeçarja. “Kisha frikë nga kjo”.
Familja mbijetoi dhe të nesërmen u nis për në jug, për në Khan Younis, për të qëndruar në shtëpinë e një të afërmi ku menduan se do të ishin më të sigurt. Megjithatë, Sara u trondit kur pa anëtarët e familjes së saj të gjerë duke shkruar emrat e fëmijëve të tyre në trupat e tyre.
Ideja e bëri atë të qante dhe u shqetësua se nëse do ta bënte të njëjtën gjë, atëherë do t’u sillte fat të keq fëmijëve të saj.
Por pasi pa një nga mjekët në spitalin “Al-Shifa” duke shkruar emrat e fëmijëve në trupat e tyre, Sara ndryshoi mendjen.
“Bota duhet ta dijë për këta fëmijë që u vranë nga Izraeli, sepse ata nuk janë numra, por emra, histori dhe ëndrra të vrara nga pushtimi izraelit në Gaza”, tha ajo.
Gjatë tri javëve të fundit, bombardimi i pamëshirshëm i Izraelit mbi Rripin e rrethuar të Gazës, një nga zonat më të populluara në botë, ka shkaktuar përmasa marramendëse të masakrës. Më shumë se 8 mijë palestinezë janë vrarë, duke përfshirë afro 3 mijë fëmijë. Rreth 1650 palestinezë të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënojat e shtëpive dhe ndërtesave të tyre, gjysma e të cilëve fëmijë.
Të premten mbrëma Izraeli gjithashtu ndërpreu të gjitha shërbimet e komunikimit në Gaza, duke shkaktuar shqetësime për krime të mundshme lufte të kryera nën mbulesën e një ndërprerjeje informacioni.
Ofensiva filloi pas një sulmi të befasishëm nga Hamasi më 7 tetor, kur luftëtarët e tij vranë rreth 1400 njerëz në jug të Izraelit.
Përveç vendosjes së një bllokade totale në enklavën bregdetare, ku karburanti, uji i pastër dhe energjia elektrike kanë mbaruar, avionët luftarakë izraelitë kanë synuar gjithashtu infrastrukturën kritike. Më shumë se 200 mijë njësi banimi janë shkatërruar pjesërisht ose tërësisht.
Sipas Kombeve të Bashkuara, 1.4 milionë palestinezë – më shumë se gjysma e popullsisë totale të Gazës – janë zhvendosur brenda vendit, pas bombardimeve të forta së bashku me paralajmërimet nga ushtria izraelite për ata që jetojnë në Gazën veriore, për të ikur në jug. Megjithatë, palestinezët thonë se askund nuk është sigurt, pasi bombardimet kanë shënjestruar pa dallim të gjithë Rripin – jo vetëm veriun.

“Kemi frikë se mos humbasim fëmijët”
Shkrimi i emrave të fëmijëve në krahët ose këmbët e tyre është një përpjekje për t’i identifikuar, në rast se fëmijët vriten, në mënyrë që të jenë në gjendje t’i varrosin në varre me të dhënat e tyre, në krahasim me varrezat masive.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e cila publikoi një raport prej 212 faqesh të emrave të palestinezëve të vrarë, njoftoi se janë 200 trupa që janë dëmtuar shumë, dhe për këtë arsye është e pamundur të identifikohen.
Mohammed Abu Odeh, një banor në Gaza, tha se ai beson se Izraeli, me armët e tij precize, synon fëmijët me qëllim.
Gjatë ofensivës së majit të 2021-s, ai dërgoi dy nga fëmijët e tij te vëllai i tij dhe mori dy nga fëmijët e vëllait të tij, në mënyrë që në rast se njëra prej shtëpive të tyre ishte në shënjestër të Izraelit, të mbetej dikush nga familja tjetër.
“Ishte një përvojë shumë e dhimbshme”, shtoi 27-vjeçari. “Ne kishim frikë të humbnim të gjithë fëmijët tanë”.
Këtë herë, Abu Odeh i ka mbajtur fëmijët e tij bashkë, por ka shkruar emrat e tyre në krahët dhe këmbët e tyre.
“Kur fëmijët e mi më pyesin pse po e bëj këtë, unë u them se është për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre”, tha ai. “A mund ta durojë dikush në botë atë që po kalojnë fëmijët tanë?”
Si prind, përgatitja e vetvetes fizikisht dhe psikikisht për më të keqen është rraskapitëse, u shpreh ai. Abu Odeh nuk i ka të gjitha përgjigjet për pyetjet që i bëjnë fëmijët e tij, nëse bëhet fjalë për miqtë e tyre që janë vrarë ose se si trupi i një fëmije mund të përballojë forcën e një rakete.
“Nuk di çfarë t’u them atyre”, tha ai. “I gënjej që të jenë të fortë. Si mund t’i qetësoj ata kur kam frikë nga kjo luftë shkatërruese që po na rrëmben çdo gjë të shtrenjtë dhe të çmuar? Si mund t’u them atyre se trupat e tyre janë shumë të fortë dhe mund të sfidojnë raketat?”
Ai thotë se fëmijët meritojnë një jetë ku nuk do të duhet të ngujohen nën rrënoja, me zhurmën e bombardimeve mbi ta. Ai gjithashtu thotë se prindërit nuk duhet të përjetojnë realitetin e dhimbshëm të përpjekjes për të identifikuar trupat e fëmijëve të tyre, të cilët janë shpërfytyruar në mënyrën më të tmerrshme nga raketat izraelite.
“Të shkruash emrat e fëmijëve të mi në trupat e tyre është zgjidhja në mënyrë që bota t’i njohë ata”, tha ai. “Të gjithë janë një objektiv”.
Kjo praktikë e dhimbshme është gjithashtu e përhapur në shumë prej shkollave të drejtuara nga Kombet e Bashkuara, ku më shumë se 629 mijë palestinezë janë strehuar nga bombardimet.
Sipas Salwa Khattabit, e cila tani është strehuar me familjen e saj në një shkollë të tillë, nuk ka vend të sigurt në Gaza, madje as në objektet e drejtuara nga UNRWA-ja, agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë.
“Kjo luftë po synon të gjithë”, tha ajo. “Ne nuk ndihemi të sigurt këtu. Shikoni se çfarë i bëri Izraeli shkollës në kampin e refugjatëve Al-Maghazi… Ata bombarduan dhe vranë një numër njerëzish të zhvendosur”.
Midis të mërkurës dhe të enjtes, agjencia e OKB-së bëri të ditur se tri nga shkollat e saj kishin pësuar dëme për shkak të sulmeve izraelite aty pranë. Një person u vra dhe 15 të tjerë pësuan lëndime të lehta.
Khattabi ka mbledhur nipërit dhe fëmijët e saj më të vegjël në klasën ku ata kanë qëndruar dhe ka shkruar emrat e tyre në duar dhe këmbë.
“Dua që bota t’i njohë ata, të përmendë emrat e tyre si martirë të vrarë nga Izraeli pa mëshirë”, tha ajo.
Khattabi nuk mund të durojë të shohë imazhet e fëmijëve të vdekur dhe thotë se pasojat e gjithë kësaj do të jenë shumë të vështira.
“Unë qaj çdo ditë për atë që po përjetojmë për shkak të luftës”, tha ajo. “Shpresoj se do të ndalet dhe do të përfundojë. Mjaft është mjaft”.
Përktheu: Forca Jashari