Meksika është vend më i sigurt se Shtetet e Bashkuara, ka deklaruar presidenti meksikan, Andrés Manuel López Obrador të hënën, disa javë pasi rrëmbimi i katër amerikanëve në shtetin e tij tërhoqi vëmendjen globale ndaj krizës së sigurisë së vendit.
“Meksika është më e sigurt se SHBA-ja. Nuk ka asnjë problem me udhëtimin e sigurt nëpër Meksikë. Kjo është diçka që qytetarët amerikanë e dinë gjithashtu, ashtu si meksikanët tanë që jetojnë në SHBA”, ka thënë presidenti meksikan gjatë konferencës së tij të përditshme për shtyp.
Amerikanët e rrëmbyer po udhëtonin në qytetin kufitar meksikan të Matamoros në fillim të marsit, kur u sulmuan me armë zjarri nga persona të armatosur që besohet se ishin të lidhur me kartelin e Gjirit. Dy nga amerikanët dhe një kalimtar meksikan vdiqën si pasojë e sulmit.
Të premten, Departamenti i Sigurisë Publike në Teksas këshilloi që banorët të shmangin udhëtimin në Meksikë gjatë pushimeve të pranverës, duke përmendur rrezikun e dhunës së kartelit.
I pyetur nga një gazetar lokal për sigurinë në Meksikë, López Obrador përmendi popullaritetin e vendit të tij me turistët dhe emigrantët amerikanë, të cilët siç ka thënë kanë zbritur në zonat e njohura bregdetare si dhe në Mexico City në vitet e fundit për të përfituar nga moti më i ngrohtë dhe kostoja më e lirë e jetesës.
Udhëtarët amerikanë gjenerojnë miliarda të ardhura për Meksikën çdo vit.
Edhe
Meksika premton siguri gjatë Kupës së Botës
“Alarmet e Qeverisë amerikane thonë se është e sigurt të udhëtosh vetëm në Campeche dhe Jukatan. Nëse do të ishte kështu, kaq shumë amerikanë nuk do të vinin për të jetuar në Mexico City dhe në pjesën tjetër të vendit. Në vitet e fundit më shumë amerikanë kanë ardhur për të jetuar në Meksikë. Pra, çfarë po ndodh? Pse paranojë?”, ka deklaruar López Obrador.