Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Presidenti libanez i bën thirrje Hezbollahut të çarmatoset

Joseph Aoun

Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, i ka bërë thirrje grupit militant Hezbollah dhe partive të tjera politike të enjten që t’ia dorëzojnë armët e tyre ushtrisë, lëvizje kjo që po kundërshtohet nga lidershipi i ri i grupit, teksa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shtuar trysninë për asgjësimin e plotë të arsenalit.

“Është detyra e të gjitha partive politike....që ta shfrytëzojnë këtë mundësi historike pa hezitim dhe të angazhohen që këto armë të përfundojnë në duart e ushtrisë dhe forcave të sigurisë, dhe askujt tjetër”, ka deklaruar Aoun gjatë një fjalimi televiziv.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Hezbollahu, i cili doli i dëmtuar rëndë nga lufta me Izraelin vitin e kaluar, ka bërë të ditur se thirrjet për çarmatosjen e grupit, që është në aleancë me Iranin, i shkojnë për shtati vetëm Izraelit.

“Ata që kërkojnë dorëzimin e armëve praktikisht kërkojnë dorëzimin e tyre te Izraeli… Ne nuk do të dorëzohemi ndaj Izraelit”, është shprehur të mërkurën shefi i grupit, Sheikh Naim Qassem.

Shtetet e Bashkuara e kanë shtyrë Libanin që të formulojë një vendim të qeverisë që angazhohet për çarmatosjen e Hezbollahut para se të rifillojnë bisedimet për ndalimin e operacioneve ushtarake izraelite në vend, kanë njoftuar pesë burime të afërta me agjencinë e lajmeve Reuters.

Aoun ka shtuar se një propozim për Washingtonin, që do t’i prezantohet kabinetit qeveritar javën e ardhshme, thekson se Izraeli duhet të ndalojë sulmet ndaj Libanit dhe të tërhiqet nga pozicionet që mban në jug të vendit, krahas dorëzimit të armëve të Hezbollahut në duart e ushtrisë libaneze.

Propozimi synon të sigurojë nga 1 miliard dollarë për çdo vit në 10-vjeçarin e ardhshëm si mënyrë për ta fuqizuar ushtrinë dhe forcat e sigurisë, si dhe përfshin plane për organizimin e një konference ndërkombëtare që do të mbahet më vonë gjatë këtij viti për të mbështetur përpjekjet e rindërtimit në Liban.