Botë

Presidenti i Kolumbisë thotë se grupi i Dritan Gjikës u përpoq ta vriste

Gustavo Petro & Dritan Gjika

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka deklaruar se një rrjet ndërkombëtar narkotrafikantësh, i udhëhequr nga shtetasi shqiptar Dritan Gjika, ka tentuar ta vrasë, shkruan gazeta kolumbiane “Infobae”. 

Sipas Petros, ky grup i fuqishëm kriminal, që ai e quan “Junta e Narkotrafikut” dhe që sipas tij ka selinë në Abu Dhabi, është përgjegjës për një sërë veprash të rënda, përfshirë vrasjen e prokurorit paraguajan Marcelo Pecci dhe kontrollin e strukturave brenda sistemit të drejtësisë kolumbiane.

“Kjo strukturë kriminale ka planifikuar edhe atentate ndaj meje, por fatmirësisht nuk kanë pasur sukses”, ka shkruar Petro në “X”.

Dritan Gjika, i konsideruar si drejtuesi i rrjetit, është arrestuar më 27 maj në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe dyshohet për trafikimin e mbi 9.5 tonëve kokainë nga Kolumbia drejt Evropës. Ai vepronte kryesisht nga Ekuadori.

Nuk është hera e parë që presidenti kolumbian flet për këtë strukturë. Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Ministrave më 10 mars 2025, ai deklaroi publikisht se jeta e tij është në rrezik dhe e akuzoi drejtpërdrejt të ashtuquajturën “Junta e Re Drejtuese e Narkotrafikut”, me seli në Dubai, si organizatë që po planifikon vrasjen e tij.

Në postim, presidenti i Kolumbisë ka ndarë një diagram të publikuar nga organizata ndërkombëtare “InSight Crime”, e cila merret me hetimin dhe analizën e krimit të organizuar në Amerikën Latine dhe Karaibe. Në këtë hartë si figurë kryesore paraqitet Dritan Gjika dhe Mario Sanchez Rinaldi, të cilët konsiderohen si kontrollues të disa kompanive të përfshira në aktivitete kriminale.

Përveç tyre, në diagram përmenden edhe persona të tjerë të lidhur me këtë rrjet, si Julio Lalangui, Ruben Cherres, Bryan Lalangui dhe Erjon Spahiu.

Diagrami i paraqitur nga presidenti kolumbian

Çfarë thotë raporti i “InSight Crime”

Më 6 shkurt 2024, Policia Kombëtare e Ekuadorit kreu një operacion në një vilë luksoze në periferi të Guayaquilit, qytetit më të madh portual të vendit për ta kapur Gjikën. Në banesë u gjetën një grua dhe vajza e saj, së bashku me armë zjarri dhe municion. Por jo edhe personi që po kërkohej.  

Ky operacion ishte pjesë e një aksioni të përbashkët mes autoriteteve ekuadoriane dhe spanjolle, që përfundoi me arrestimin e 31 personave të dyshuar si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës. Pas arrestimeve, u ngrinë pasuri me vlerë mbi 51 milionë dollarë të lidhura me grupin.

Sipas “InSight Crime”, Gjika kishte ndërtuar një strukturë të sofistikuar për trafik dhe pastrim parash, në bashkëpunim me biznesmenë me ndikim dhe me mbrojtje nga zyrtarë të lartë të policisë. Ai kishte shkuar në Ekuador në vitin 2009 dhe kishte krijuar bazën e tij në Guayaquil, duke e fshehur aktivitetin kriminal përmes kompanive të ndërtimit dhe eksportit bujqësor.

Grupi përdorte këto kompani si mbulesë për trafikun dhe pastrimin e parave. Me kalimin e kohës, ata përshtatën metodat e tyre për të shmangur zbulimin, duke e futur drogën në kontejnerë të kompanive të treta, çka e bënte më të vështirë gjurmimin.

Në raport përmendet edhe përfshirja e ish-shefes së Policisë Kombëtare të Ekuadorit, Tannya Varela, e cila po hetohet për lidhje të mundshme me rrjetin. Ndërkohë, Mario Sanchez Rinaldi, biznesmen me banim në Spanjë, akuzohet për përfshirje në pastrimin e parave të rrjetit.

Pas goditjeve të vitit 2023, rrjeti pësoi humbje të mëdha me vrasjen e Ruben Cherres, një bashkëpunëtor i ngushtë i Gjikës, dhe arrestimin e disa anëtarëve të tjerë.

Hetimet mbi këtë rrjet ndërkombëtar vazhdojnë, ndërsa deklaratat e presidentit Petro kanë shkaktuar debat të madh në opinionin publik dhe politikën kolumbiane.