Presidenti Brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, mbrojti sovranitetin e Brazilit në një fjalim televiziv kombëtar, në prag të Ditës së Pavarësisë së vendit.
Në një fjalim pesëminutësh, Lula përmendi deklaratën e pavarësisë së Brazilit në vitin 1822 për të mbledhur mbështetje për atë që ai e përshkroi si një komb sovran, demokratik dhe të bashkuar.
“Ne nuk jemi dhe nuk do të jemi më koloni e askujt. Ne jemi të aftë të qeverisim dhe të kujdesemi për tokën dhe popullin tonë, pa ndërhyrjen e asnjë qeverie të huaj. Ne mbajmë marrëdhënie miqësore me të gjitha vendet, por nuk pranojmë urdhra nga askush”, tha Lula.
Edhe pse nuk e përmendi presidentin amerikan, Donald Trump me emër, komentet e Lulës erdhën mes tensioneve të vazhdueshme diplomatike me Shtetet e Bashkuara. Trump e ka justifikuar tarifën prej 50% për shumë mallra të importuara braziliane me situatën gjyqësore të aleatit të tij, ish-Presidentit Jair Bolsonaro, i cili aktualisht është nën arrest shtëpiak.
Presidenti brazilian, Lula gjithashtu kritikoi rolin e platformave digjitale, ndërsa Kongresi i Brazilit vazhdon të debatojë legjislacionin që synon rregullimin e përmbajtjes online.