Këshilltari i presidentit të Ukrainas, Volodymyr Zelensky, Mykhailo Podolyak, ka kritikuar shtetet perëndimore për “pavendosmëri” lidhur me dërgimin e tankeve në Ukrainë.
“Pavendosmëria po vret më shumë nga njerëzit tanë”, ka thënë ai.
Sipas tij, kujdesi dhe vendimmarrja e ngadaltë nëse do të dërgohen tanke Leopard 2 në Ukrainë po kushtojnë me jetë, raportoi The Guardian të shtunën.
Podolyak postoi në Twitter të shtunën zhgënjimin e tij për "pavendosmërinë globale" për furnizimin me armë në Ukrainë.
“Ju do ta ndihmoni Ukrainën me armët e nevojshme gjithsesi dhe do të kuptoni se nuk ka asnjë mundësi tjetër për t'i dhënë fund luftës përveç se me humbjen e Rusisë. Por pavendosmëria e sotme po vret më shumë nga njerëzit tanë. Çdo ditë vonese është vdekja e ukrainasve. Mendoni më shpejt”, ka thënë ai.
Deklarata e tij vjen në kohën kur presidenti amerikan, Joe Biden, u tha gazetarëve pas një ngjarjeje të premten mbrëma se "Ukraina do të marrë të gjithë ndihmën që i nevojitet", në përgjigje të një pyetjeje nëse ai mbështet Poloninë në dërgimin e tankeve Leopard 2 në Ukrainë.