Nëna e saj mezi priste që të bëhej gjyshe e nipave dhe mbesave, por tinëz Adami e shtrëngoi gruan që të abortonte dy herë radhazi, për shkak se nuk e përballonte presionin e të qenit baba.
Për pesëmbëdhjetë vjet me radhë ai e gënjeu familjen e tij, duke thënë se Lejla nuk mund të mbeste shtatzënë, megjithëse gruaja e tij donte me mish e me shpirt që të bëhej nënë. Lejla ishte lindur në një familje të pasur në metropolin jugor pakistanez, Karachi, dhe kishte kryer shkollën fillore në një institucion privat goxha me emër në vend, shkruan sot Koha Ditore.
Por kur ajo ishte vetëm trembëdhjetë vjeçe, prindërit, të cilët vijnë nga kultura baluke, e nxorën vajzën nga shkolla private dhe ia organizuan martesën me një burrë 28 vjeç.
Pa e parë kurrë burrin para martese
“Kurrë nuk e kisha parë burrin tim në jetë para ditës së martesës”, thekson Lejla, teksa nis të tregojë ngadalë rrëfimin e jetës së saj. Pas ceremonisë, ajo u vendos me burrin në shtëpinë e prindërve të tij. “Isha shumë e frikësuar. Askush nuk më kishte folur për rëndësinë dhe kuptimin e martesës ose diçka lidhur me seksin”, tregon Lejla.
Në natën e martesës, ajo e mori vesh se marrëdhëniet seksuale shkaktonin dhimbje në fillim dhe po përjetonte gjakderdhje të madhe në shtratin e martesës.
“U zgjova në mëngjes dhe disa prej zonjave më thanë se duhej të bëja një dush për shkak se duhej të pastrohesha sipas besimit mysliman. Pastaj ato më veshën me rroba të reja dhe më bënë grim. Pastaj më detyruan të palosesha si nuse në karrige në dhomë gjithë ditën derisa të gjithë vinin që të na shihnin, që të na dhuronin para dhe të na bekonin”...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)