Vendimi për të mbajtur samit në Moldavi, ish-republikën sovjetike me më shumë se 2 milionë banorë, është parë si mesazh për Kremlinin nga BE-ja dhe qeveria moldave pro-perëndimore, e cila në qershor të vitit të kaluar ka marrë statusin e vendit kandidat për BE.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka kërkuar më shumë armë dhe përkrahje në samitin e 50 liderëve evropianë që është mbajtur të enjten në Moldavi. Ai ishte zëri kryesor i tubimit me të cilin është synuar të qetësohen konfliktet rajonale dhe të shfaqet uniteti përballë luftës së Rusisë.
Në takimin gjithëkontinental të Komunitetit Politik të Evropës, në të cilin janë të ftuar të gjitha shtetet, përveç Rusisë dhe Bjellorusisë, krerët e shteteve kishin për vëmendje jugun dhe lindjen e Evropës - rajone që kanë rëndësi për shkak të marrëdhënieve me Moskën në kohën e pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
BE-ja dëshiron që të përdorë samitin për të arritur te sa më shumë shtete të Evropës Lindore, të cilat ose kanë qenë në Bashkimin Sovjetik, ose nën sferën e ndikimit të saj. Qëllimi kryesor është zëri i unifikuar kundër agresionit rus.
Vendimi për të mbajtur samit në Moldavi, ish-republikën sovjetike me më shumë se 2 milionë banorë, është parë si mesazh për Kremlinin nga BE-ja dhe qeveria moldave pro-perëndimore, e cila në qershor të vitit të kaluar ka marrë statusin e vendit kandidat për BE.
Teksa po u adresohej liderëve në ceremoninë hapëse, kryeministri holandez, Mark Rutte, ka përmendur rëndësinë e lokacionit të samitit, rreth 20 kilometra larg kufirit me Ukrainën.
“Samiti ynë në Moldavi flet vetë. Kufijtë e shtetit janë me Ukrainën dhe kërcënimi rus është i qartë”, ka thënë Rutte.
Moldavia, shteti më i varfër në Evropë, që është i rrethuar nga Ukraina në të tri anë, synon të anëtarësohet në BE deri në fund të dekadës dhe vazhdimisht ka sinjalizuar përkrahjen për Ukrainën dhe ka pranuar refugjatë lufte.
Zelenskyy ishte lideri i parë i huaj që arriti në samitin e së enjtes që është mbajtur në një kështjellë të shekullit të 19, rreth 35 kilometra larg kryeqytetit Chisinau.
I veshur me bluzën e zakonshme ngjyrë ulliri dhe pantallona ushtarake, ai u përpoq të largonte dyshimet për pranimin e vendit të tij në BE dhe NATO dhe u ka thënë udhëheqësve të mbledhur se dyshime të tilla do të shfrytëzoheshin nga Moska.
Që nga fillimi i pushtimit, ka shtuar ai, “kufijtë e sigurisë në Evropë kanë qenë në fakt kufijtë e vendosmërisë sonë, aftësisë sonë për të vepruar së bashku për hir të interesave të popujve tanë dhe të gjithë Evropës. Aq sa mund të refuzojmë dyshimin, mund të hedhim poshtë të keqen e agresionit.”
Zelenskyy bëri thirrje për vazhdimin e ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën, duke thënë se kjo po shpëtonte jetë dhe “fjalë për fjalë po përshpejtonte paqen”. Ai këmbënguli që të gjitha vendet që kufizojnë Rusinë duhet të jenë anëtarë të plotë të BE-së dhe NATO-s, pasi Moska “përpiqet të gëlltisë vetëm ata që janë jashtë hapësirës së përbashkët të sigurisë”.
“Kur nuk ka garanci sigurie, ka vetëm garanci lufte”, ka thënë ai.
Pjesëmarrës të tjerë të samitit ishin edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak.
Scholz dhe Macron do të bashkohen me presidentin e Këshillit Evropian Michel për një nga takimet kryesore të samitit: diskutime me liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit, dy ish-shtete kaukaziane sovjetike që kanë luftuar për territorin e kontestuar. Nagorno-Karabakh, ishte epiqendër e një konflikti midis Armenisë dhe Azerbajxhanit në vitin 2020, në të cilin mbetën të vdekur më shumë se 6 mijë persona. Lufta përfundoi me armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia, sipas të cilit Armenia hoqi dorë nga territoret përreth këtij rajonit.
Përktheu: Gent Mehmeti