Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Porti rumun i vogël për sasinë e madhe të grurit ukrainas

Comvex mund të përpunojë deri në 72 mijë tonë drithëra në ditë. Kjo dhe afërsia e Constantas nga toka me Ukrainën, dhe nga deti me Kanalin e Suezit, e bëjnë atë rrugën më të mirë aktuale për eksportet bujqësore ukrainase. Alternativa të tjera përfshijnë dërgesat rrugore dhe hekurudhore përtej kufirit perëndimor të Ukrainës në Poloni dhe portet e saj të Detit Baltik.

Me portet detare të Ukrainës të bllokuara ose të pushtuara nga forcat ruse, porti fqinj i Rumanisë në Detin e Zi, Constanta, është shfaqur si kanal kryesor për eksportet e grurit të vendit të shkatërruar nga lufta, mes një krize ushqimore botërore në rritje.

Është porti më i madh i Rumanisë, shtëpia e terminalit të drithit me ngarkimin më të shpejtë në Evropë dhe ka përpunuar gati një milion ton drithë nga Ukraina, një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të grurit dhe misrit, që nga pushtimi i 24 shkurtit.

Por operatorët e portit thonë se ruajtja, e lëre më rritja e volumit që ata trajtojnë, së shpejti mund të jetë e pamundur pa mbështetjen dhe investimet e përbashkëta të Bashkimit Evropian.

“Nëse duam të vazhdojmë të ndihmojmë bujqit ukrainas, kemi nevojë për ndihmë për rritjen e kapaciteteve tona”, tha Dan Dolghin, drejtor i operacioneve të drithërave në operatorin kryesor Comvex të portit të Detit të Zi.

“Asnjë operator i vetëm nuk mund të investojë në infrastrukturë që do të bëhet e tepërt pasi të përfundojë lufta”, shtoi ai.

Lidhja me botën

Comvex mund të përpunojë deri në 72 mijë tonë drithëra në ditë. Kjo dhe afërsia e Constantas nga toka me Ukrainën, dhe nga deti me Kanalin e Suezit, e bëjnë atë rrugën më të mirë aktuale për eksportet bujqësore ukrainase. Alternativa të tjera përfshijnë dërgesat rrugore dhe hekurudhore përtej kufirit perëndimor të Ukrainës në Poloni dhe portet e saj të Detit Baltik.

Përpjekjet për të hequr bllokadën ruse nuk kanë arritur askund, dhe Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë po projekton se deri në 181 milionë njerëz në 41 vende mund të përballen me krizë ushqimore ose nivele më të rënda urie këtë vit në lidhje me luftën në Ukrainë.

Vetëm disa ditë pas pushtimit rus, Comvex investoi në strukturën e re të shkarkimit, duke parashikuar se vendi fqinj do të duhej të ridrejtonte eksportet e tij bujqësore.

Kjo i mundësoi portit gjatë katër muajve të fundit të transportonte rreth një milion ton drithë ukrainas, shumica e të cilave arrinte me maune poshtë lumit Danub. Por me 20 herë më shumë se sasia e bllokuar ende në Ukrainë dhe me sezonin e vjeljes së verës që po afrohet me shpejtësi në vetë Rumaninë dhe vendet e tjera që përdorin Constantan për eksportet e tyre, Dolghin tha se ka të ngjarë që ritmi i transportit të grurit ukrainas përmes portit të tij të ngadalësohet.

"Ndërsa të korrat e verës në Rumani po marrin vrull, të gjithë operatorët e portit do t'u drejtohen drithërave rumune", paralajmëroi ai.

Zëvendësministri i Bujqësisë i Ukrainës, Markian Dmytrasevych, është gjithashtu i shqetësuar.

Paralajmërimet e Rumanisë

Në një fjalim në Parlamentin Evropian në fillim të këtij muaji, Dmytrasevych tha se kur operatorët e Constantas t'u drejtohen furnitorëve evropianë të drithërave gjatë verës "kjo do të ndërlikojë më tej eksportin e produkteve ukrainase".

Zyrtarë rumunë dhe të tjerë të BE-së kanë shprehur gjithashtu shqetësim, duke u rreshtuar në javët e fundit për të premtuar mbështetje.

Në një vizitë të fundit në Kiev me krerët e Francës, Gjermanisë dhe Italisë, presidenti rumun, Klaus Iohannis, tha se vendi i tij po kërkonte mënyra të mundshme për të kapërcyer "armatizimin e eksporteve të grurit nga Rusia".

"Si një pjesë e rëndësishme e zgjidhjes së pasigurisë ushqimore të krijuar nga Rusia, Rumania është e përfshirë aktivisht në lehtësimin e tranzitit të eksporteve të Ukrainës dhe në shërbimin si një qendër për drithërat", për të arritur tregjet tradicionale në Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe pjesë të Azisë, tha ai.

Zgjidhjet e diskutuara në Kiev, tha Iohannis, përfshinin përshpejtimin e dërgesave me maune të Danubit, rritjen e shpejtësisë së shkarkimit të tyre në portet rumune, kalimet e reja kufitare për kamionët me grurë ukrainas dhe rihapjen e një hekurudhe të dekomisionuar që lidh Rumaninë me Ukrainën dhe Moldavinë.

Një analist rumun tha se gjetja e rrugëve alternative për eksportet e grurit të Ukrainës shkon përtej kompanive private të logjistikës ose ndonjë vendi të vetëm, duke i bërë jehonë thirrjes së Iohannis në Kiev për një "koalicion ndërkombëtar të vullnetit" për të trajtuar problemin.

“Situata në Ukrainë nuk do të zgjidhet së shpejti; konflikti mund të përfundojë nesër, por tensionet do të zgjasin… Kjo është arsyeja pse rrugët e reja të transportit duhet të konsiderohen dhe të konsolidohen”, tha George Vulcanescu.

Ai tha se në këtë kuptim ka vetëm tri rrugë financiarisht të qëndrueshme për eksportet ukrainase, nëpërmjet Rumanisë, Polonisë ose shteteve baltike.

Megjithatë, shtoi ai, "operatorët e portit kanë nevojë për mbështetje financiare nga autoritetet rumune, por financimi duhet të vijë nga Bashkimi Evropian".

Vulcanescu, tha se nevojitet një kombinim i investimeve të shpejta dhe "minimale, jo maksimale".

"Investimi i madh nuk mund të bëhet shpejt, ne duhet të kërkojmë zgjidhje të shpejta për zgjerimin e kapaciteteve (ekzistuese) dhe trajtimin e kapaciteteve të porteve rumune", shtoi ai. “Nëse duam të ndihmojmë Ukrainën tani, duhet të kërkojmë investime më të vogla për të përmirësuar infrastrukturën që ne tashmë kemi”.

Dolghin i Comvex tha se operatori dëshiron të ndihmojë sa më shumë që të jetë e mundur, por shtoi: "Ne shpresojmë të shohim veprime konkrete, jo vetëm deklarata në mbështetje të operatorëve të portit".

Përktheu: Forca Jashari

Artikuj të ngjashëm