Polonia e ka miratuar ligjin kundërthënës i cili e bën më të lehtë shkarkimin e gjyqtarëve kritikë për reformat gjyqësore të partisë qeverisëse.
Legjislacioni u miratua me 233 vota ‘për’ dhe 205 kundër, në Dhomën e Ulët të Parlamentit në Varshavë. Miratimi u bë vetëm disa orë pasi Komisioni Evropian i kërkoi Polonisë t’i rishqyrtojë ndryshimet e propozuara, transmeton KTV.
Mijëra demonstrues u mblodhën në Poloni në fillim të këtij muaji, për të protestuar kundër ligjit. E këtë javë, Gjykata Supreme e vendit paralajmëroi se Polonia mund të detyrohet të largohet nga BE-ja, për shkak të reformave.
Sipas ligjit të hartuar nga qeveria e partisë qeverisëse, gjyqtarët mund të dënohen për përfshirje në veprimtari politike.