Rrethuar prej gardianëve të sigurimit privat, deputetja tuniziane, Abir Moussi, së fundmi u ngjit në një skenë për t’iu adresuar një turme mbështetësish në një tubim të shënjuar me simbole që kujtonin të kaluarën e vendit të Afrikës Veriore.
Prejse fitoi mandatin e deputetit më 2019, Moussi është një prej politikanëve më popullorë – dhe mbase më kundërthënësi – duke i prirë një vale nostalgjie për një kohë më prosperuese dhe më stabile, në kohën kur Tunizia po shënon 10 vjet nga koha kur protestuesit rrëzuan presidentin autokrat, Zine El Abidine Ben Ali.
Retorika nacionaliste
Moussi, avokate dhe ish-zyrtare në partinë në pushtet të Ben Alisë, e njeh mirë mendësinë dhe po mundohet të ofrohet si një mundësi ndryshimi, por duke kujtuar anët e mira të kohës së kaluar. Ajo deklaroi para turmës së mbështetësve në qytezën Monastir, në një pasdite, se “Tunizia po pëson gjakderdhje, se Tunizia është e sëmurë dhe e plagosur. Tunizia dëshiron që ne ta shpëtojmë prej kësaj situate”.
Presidenti tunizian, Kais Saied, i zgjedhur me shumicë dërrmuese në vitin 2019, mban qëndrim të fortë antidiktaturë. Por disa e shohin Moussin dhe lëvizjen që kërkon kthimin e kohës së dikurshme që ajo e paraqet si kërcënim për demokracinë e re të Tunizisë. Ajo po përballet me kritika të ashpra edhe për refuzimin për ta denoncuar si represion flagrant nën Ben Alinë, që ishte rrëzuar më 14 janar 2011 në një revolucion që kishte nxitur kryengritje në mbarë vendin, duke u bërë të njohura me emrin Pranvera Arabe.
Ben Ali u arratis turpshëm në Arabinë Saudite dhe vdiq më 2019. Një komision i së vërtetës ka dëshmuar se ai ishte përgjegjës për mijëra viktima të torturës, ekzekutime dhe korrupsion flagrant nën sundimin e tij dhe të pararendësve.
Zhgënjimi i madh
Derisa vendet në transicionin demokratik shpesh përjetojnë nostalgji të ngjashme, Moussi ka materializuar frustrimin e madh të nxitur nga dështimi i qeverive, të zgjedhura në mënyrë demokratike pas revolucionit, për të luftuar varfërinë e madhe.
Prej vitit 2011, Tunizia është pllakosur nga pagat e ulëta, ngritja e lartë e papunësisë dhe përkeqësimi i shërbimeve publike. Papunësia është ngritur në kulmin e pandemisë së koronavirusit. Prej 15 për qind ka shkuar në 18 për qind shkalla e papunësisë në mesin e tunizianëve. Përpjekjet për migrim në Evropë kanë shënuar ngritje të madhe.
“Nuk është nostalgji për një diktator – tunizianët ende e urrejnë këtë regjim – është nostalgjia për sigurinë e humbur”, ka thënë Michawl Bechir Ayari, analist i lartë i Tunizisë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
“Njerëzit duan shërbime publike”, ka theksuar ai. “Ata ndiejnë se nën Ben Alinë ishte më e lehtë, sepse sistemi paternalist ishte më i besueshëm se tani”.
Loja e dyfishtë
Moussi shpesh denoncon legjitimitetin e revolucionit tunizian dhe thekson se lëvizja islamike, “Ennahda”, partia më e madhe në parlament, është grup terrorist që duhet të ndalohet. Ajo avokon kthimin e presidencës së fuqishme dhe aparatin e sigurisë, por është e kujdesshme të mos e teprojë me lavdërimet për Ben Alinë.
Dhe ka hasur në tunizianët të shumtë që e mirëpresin këtë qasje: Paraqitjet e drejtpërdrejta në Facebook midis debateve në parlament shikohen dhe shpërndahen prej mijëra mbështetësve. Partia e Lirë Destouriane, e njohur me shkurtesën franceze, FDL, ka fituar shtatëmbëdhjetë mandate më 2019, por dy anketime të kryera së fundmi sugjerojnë se do të mund të fitonte shumicën e mandateve nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin tani.
“Abiri e thotë të vërtetën. Ajo është luaneshë. Është ajo që do ta shpëtojë Tunizinë”, thekson Morad Jaaidi, menaxher i pensionuar banke, që merr pjesë në tubime të Abirit.
“Çfarë ka ndodhur nuk është revolucion, çfarë ka ndodhur ishte grusht shtet”, thekson Abir Jlassi, 27- vjeçarja që po studion që të bëhet avokate. “Programi i Abirit për rimëkëmbje është vizion i qartë për të ardhmen”.
Mungesa e programit politik
Por kritikët thonë se pikërisht për shkak se asaj i mungon një program konkret politik, ka ndarë mendjen të ndjekë retorikë populiste.
Simbolet për kthimin e lavdisë së dikurshme të Tunizisë janë parë edhe në tubimin e Monastirit. Portreti i liderit të parë të vendit, Habib Bourguiba – i cili i priu Tunizisë drejt pavarësisë nga Franca – qëndronte dominueshëm sipër kokave të mbështetësve. Folësit lëshuan edhe një këngë popullore gjatë diktaturës së Ben Alisë, me vargje të lehta për plazhet e përsosura dhe motin me diell. Madje disa syresh brohoritën “Zoti e bekoftë Ben Alinë!”
Mohammed Jegham punoi nën administratën e Ben Alisë për trembëdhjetë vjet me radhë, përfshirë edhe në detyrën e ministres së Brendshme, ministres së Mbrojtjes dhe shefe e kabinetit të presidentit.
“Nëse provoni t’u bëni një vlerësim 23 vjetëve në pushtet të Ben Alisë, ka të mira dhe të këqija”, thekson Jegham, që drejton një kompani për kondicionerë ajri në periferi të kryeqytetit Tunis. “Vendi pa asnjë dyshim se avancoi gjatë atyre viteve. Kishte shumë investime”.
Informatore e diktaturës
Por Komisioni i së vërtetës dhe dinjitetit, themeluar më 2013 prej qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike, ka shpalosur abuzime të pafundme në një hetim që u ka bërë qeverive të Bourguibas dhe Ben Alisë, dhe kaosit pas revolucionit të vitit 2011.
Komisioni ka pranuar 63 mijë ankesa, identifikoi 30 mijë viktima të shkeljeve serioze dhe i transferoi 200 raste korrupsioni, torture, dhunimi dhe vrasje në gjykata. Raporti i tij detajon metodat torturuese të ish-aparatit të sigurisë, përfshirë ekzekutimet, fundosjet e simuluara, dhunimet dhe elektroshokun. Në një dëshmi dëshmohet se si një grua shtatzënë ishte rrahur derisa kishte abortuar dhunshëm fëmijën, një tjetër se si një burrë ishte ngujuar në qeli, ishte djegur me cigare dhe rrjepur për së gjalli.
Moussi vetë përmendet në raport, në dokumente që tregojnë se ajo ishte paguar për t’i dhënë qeverisë së Ben Alisë informacione për kolegët e saj avokatë. Më parë ka sulmuar punën e komisionit; ka hedhur poshtë kërkesën e agjencisë amerikane të lajmeve “Associated Press” për intervistë lidhur me këto pretendime.
Kur është pyetur për akuzat se Moussi kishte kryer shkelje të ngjashme, bashkëpartiaku dhe deputeti i PDL-së, Mohammed Krifa, ka thënë: “Nëse na ofroni lirinë e shprehjes dhe ne po vdesim, çfarë kuptimi ka kjo?”
“Edhe me këto gabime të regjimit të vjetër, me gjëra të këqija, ngritja ekonomike e vendit ishte 7 për qind”, ka shtuar ai.
Shenja e shpresës
Aktivistja e të drejtave të njeriut, Sihem Bensedrine, e cila i ka prirë komisionit, e pranon se Tunizia ka telashe të mëdha ekonomike, por thekson: “Qyteti ka nevojë për të dyja, për sigurinë dhe për lirinë e tij. Nuk mund ta kesh njërën pa tjetrën”.
Ajo spikat sukseset që janë shënuar në Tunizi prej vitit 2011: themelimi i institucioneve demokratike, sistemi i pavarur i drejtësisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme – por e pranon se ende ka punë për t’u bërë dhe paralajmëron kundër ngecjes.
Megjithatë, analisti Ayari e quan “shenjë të shëndetit të mirë të demokracisë tuniziane” që njerëzit si Moussi lejohen të marrin pjesë në debatin publik.
“Është më mirë të ketë ide, qofshin edhe ekstremiste, të kornizuara prej partive dhe konflikteve politike që janë paqësore, por brenda parlamentit e jo në rrugë”, thekson ai. “Çfarë përbën kërcënim është gjendja sociale dhe ekonomike. Kjo është larg më e rrezikshme”. \ AP