Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pesë të vdekur përfshirë një polic nga një sulm me armë në Karolinë të Veriut

Pesë persona u vranë nga një sulmues i cili hapi zjarr përgjatë një shtegu shëtitës në Karolinën e Veriut të enjten dhe iu shmang oficerëve për orë të tëra para se të futej në një shtëpi dhe të arrestohej, tha policia.

Një polic jashtë detyrës ishte në mesin e të vrarëve nga i dyshuari, të cilin policia e përshkroi vetëm si një mashkull të bardhë, të mitur, raportoi Associated Press të premten.

Ai u arrestua rreth orës 21:37, thanë autoritetet. Identiteti dhe mosha e tij nuk u publikuan.

Të shtënat me armë kanë ndodhur rreth orës 17:00, përgjatë lumit Neuse Greenway në një zonë banimi në verilindje të qendrës së qytetit, tha kryebashkiaku i Raleigh, Mary-Ann Baldëin.

Oficerët e agjencive të shumta të zbatimit të ligjit u mblodhën në zonë, duke mbyllur rrugët dhe duke paralajmëruar banorët që të qëndronin brenda ndërsa ata kërkonin për të dyshuarin.

Dy persona, mes tyre edhe një oficer policie, u dërguan në spital. Oficeri më vonë u la i lirë, por i mbijetuari tjetër mbeti në gjendje kritike.