Pavarësisht aktivitetit të madh nga zyrtarë të nivelit të lartë në ditët e fundit, të dyja palët janë larg arritjes së marrëveshjes. Hamasi ka insistuar se nuk do të lirohen më pengje derisa të përfundojë lufta dhe pritet të insistojë në lirimin e një numri të madh të të burgosurve palestinezë
(AP) - Udhëheqësi më i lartë i Hamasit ka udhëtuar për në Kajro të mërkurën për bisedime mbi luftën në Gazë, pjesë e përpjekjeve të shpejta diplomatike që synojnë të sigurojnë armëpushimin dhe shkëmbimin e pengjeve në një moment kur militantët po bëjnë rezistencë të ashpër ndaj ofensivës së Izraelit.
Vizita e Ismail Haniyehut erdhi një ditë pasi Hamasi lëshoi raketa që ndezën sirenat e sulmit ajror në Izraelin qendror, një shfaqje e forcës gjatë një lufte 10-javore që ka shkatërruar pjesën më të madhe të Gazës veriore, ka vrarë afro 20 mijë palestinezë dhe ka përzënë rreth 1.9 milionë - gati 85% e popullsisë - nga shtëpitë e tyre.
Izraeli i ka bërë thirrje pjesës tjetër të botës që të vendosë Hamasin në listën e zezë si një organizatë terroriste, duke thënë se duhet të çrrënjoset në vazhdën e tërbimit të tij të 7 tetorit në Izraelin jugor që shkaktoi luftën.
Mirëpo palët kanë rifilluar kohët e fundit bisedimet indirekte, të ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari, që synojnë vendosjen e një armëpushimi tjetër dhe lirimin e më shumë pengjeve të kapura në atë sulm në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.
Shërbimi i telefonisë dhe i internetit është ndërprerë përsëri në Gaza të mërkurën dhe kjo ka mundur të komplikojë përpjekjet për të komunikuar me udhëheqësit e Hamasit brenda territorit, të cilët u fshehën pas 7 tetorit.
Insistimi i Netanyahut
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka insistuar se do të vazhdojë luftën deri në eliminimin e plotë të grupit militant të Hamasit. Të mërkurën është raportuar se kanë nisur bisedimet e reja për armëpushim mes Hamasit dhe Izraelit për lirimin e pengjeve izraelite në shkëmbim të të burgosurve palestinezë. Mirëpo Netanyahu ka deklaruar se lufta do të vazhdojë deri në asgjësimin e gjithë kërcënimit nga Gaza. Ai ka konfirmuar se edhe të mërkurën ka pasur bombardime dhe se po bëhet përpjekje në asgjësimin e të gjithë atyre që kanë lidhje me Hamasin. Ai në fund se Hamasi ka dy opsione: ose të dorëzohet ose të vdesë.
Bisedimet për pengjet
Pavarësisht aktivitetit të madh nga zyrtarë të nivelit të lartë në ditët e fundit, të dyja palët janë larg arritjes së marrëveshjes. Hamasi ka insistuar se nuk do të lirohen më pengje derisa të përfundojë lufta dhe pritet të insistojë në lirimin e një numri të madh të të burgosurve palestinezë, duke përfshirë militantë të nivelit të lartë.
Egjipti, së bashku me Katarin, ndihmuan në ndërmjetësimin e armëpushimit njëjavor në nëntor, në të cilin Hamasi liroi mbi 100 pengje në këmbim të lirimit të Izraelit të 240 të burgosurve palestinezë. Hamasi dhe militantë të tjerë ende mbajnë rreth 129 pengje.
Hamasi ka njoftuar se Haniyeh – i cili besohet se është i vendosur në Katar, por lëvizjet e të cilit publikohen rrallë – do të diskutonte luftën me zyrtarët egjiptianë, pa dhënë më shumë detaje.
Ziad Nakhaleh, lideri i grupit më të vogël militant të Xhihadit Islamik Palestinez, i cili mori pjesë në sulmin e 7 tetorit dhe po mban gjithashtu pengje, ka theksuar se ai ishte ftuar gjithashtu në Egjipt për bisedime dhe do të udhëtonte atje në ditët në vijim.
Egjipti, i cili kufizohet me Gazën, është thellësisht i shqetësuar për një fluks të mundshëm të refugjatëve palestinezë, nga frika se Izraeli nuk do t’i lejojë ata të kthehen.
“Spastrimi përfundimtar”
Të paktën 46 njerëz u vranë dhe më shumë se 100 u plagosën herët të mërkurën pasi Izraeli vazhdoi të bombardonte kampin urban të refugjatëve Jabaliya pranë qytetit të Gazës, sipas Munir al-Bursh, zyrtar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë.
Në Gazën jugore, disa gra dhe fëmijë ishin midis atyre që u sollën në spitalin Nasser në qytetin Khan Younis pas sulmeve gjatë natës dhe të mërkurën. Një djalë mund të shihej duke qarë pranë nënës së tij të plagosur, e cila ishte shtrirë në barelë.
Ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant ka theksuar të martën se forcat izraelite po hynin në rrjetin e tuneleve të Hamasit në Gazën veriore si pjesë e një “spastrimi përfundimtar” të militantëve nga rajoni. Veriu urban i ndërtuar dendur - duke përfshirë qytetin e Gazës, më i madhi i territorit - ka parë luftime të egra, me zyrtarët palestinezë të shëndetësisë që raportojnë dhjetëra njerëz të vrarë nga bombardimet në ditët e fundit.
Gallant ka thënë se në Gazën jugore, ku ushtria nisi një inkursion tokësor të fokusuar në Khan Younis në fillim të dhjetorit, operacionet do të zgjasin me “muaj”.
Ministria e Shëndetësisë në Gazën e drejtuar nga Hamasi ka njoftuar të martën se numri i të vdekurve që nga fillimi i luftës ishte rritur në më shumë se 19 mijë e 600.
Hamasi dhe militantë të tjerë vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, në sulmin e 7 tetorit.
Ushtria izraelite thotë se 134 ushtarë të saj janë vrarë në ofensivën tokësore në Gazë. Izraeli thotë se ka vrarë rreth 7 mijë militantë, pa dhënë prova, dhe fajëson Hamasin për vdekjet e civilëve, duke thënë se i përdor ata si mburoja njerëzore kur lufton në zonat e banuara.
Negociatat për rezolutën
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së po negociojnë një rezolutë të sponsorizuar nga arabët për t’i ndalur luftimet në mënyrë që të lejojë një rritje të dërgesave dëshpëruese të ndihmave humanitare në Gazë. Një votim për rezolutën, i planifikuar fillimisht për të hënën, u shty përsëri deri të mërkurën pasi bisedimet vazhduan me shpresën për të bërë që SHBA-ja të abstenonte ose të votonte “po” për rezolutën pasi ajo vuri veton ndaj një thirrjeje të mëparshme për armëpushim.
Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania – disa nga aleatët më të ngushtë të Izraelit – iu bashkuan thirrjeve globale për një armëpushim gjatë fundjavës. Në Izrael, protestuesit kanë bërë thirrje për negociata me Hamasin për të lehtësuar lirimin e shumë pengjeve që ende mbahen nga grupi.
Izraeli thotë se do të vazhdojë të luftojë derisa të largojë Hamasin nga pushteti, të çmontojë krahun e tij të armatosur dhe të kthejë të gjitha pengjet. Administrata e Presidentit të SHBA-së Joe Biden i ka bërë thirrje Izraelit të ndërmarrë hapa më të mëdhenj për t’i mbrojtur civilët, por ka vazhduar të ofrojë mbështetje diplomatike dhe ushtarake për ofensivën.
Përktheu: Blerta Haxhiu
LEXO EDHE: