Numri i të vdekurve pas përmbytjeve në Vietnam është rritur në 72 ndërsa 33 të tjerë janë shpallur të humbur , njoftuan sot autoritetet, transmeton ATSH raportimin e AFP-së.
Një ciklon tropikal ka shkaktuar shira të rrëmbyeshëm në pjesën qendrore dhe veriore të Vietnamit, me intensitet prej 700 milimetrash, gjatë këtyre pesë ditëve të fundit.
Sipas Komitetit për Parandalimin e Fatkeqësive Natyrore, trembëdhjetë persona kanë vdekur të enjten në mëngjes , në krahinën e Hoa Binh, si pasojë e rrëshqitjeve të tokës pranë banesave të tyre, ndërsa pesë persona të tjerë janë shpallur të humbur.
Sipas raporteve, rreth 50 000 banesa janë prekur nga rrëshqitjet e tokës, në pjesën qendrore dhe veriore të vendit.
Gjithashtu, përmbytjet kanë shkaktuar ngordhjen e rreth 9 300 derrave, lopëve dhe buajve, si dhe gati 300 000 shpendëve.
Ndërsa, cikloni është zhvendosur drejt Laosit dhe reshjet e dendura të shiut kanë vazhduar edhe sot, autoritetet kanë paralajmëruar se vendi do të përfshihet përsëri nga rrëshqitje të tokës, si pasojë e thithjes së një sasie të madhe uji nga toka në zonat malore.