Kjo gjë ngre pyetjen: Si Evropa, e cila importon sasinë më të madhe të energjisë së saj, do të shpëtojë gjatë dimrit pa pasur një katastrofë gazi, e veçanërisht nëse dimri rezulton të jetë më i ftohtë apo më i gjatë se zakonisht?
Kriza e Evropës për gazin natyror nuk po zgjidhet. Rezervat janë të ulëta, ndërsa çmimet e larta dhe konsumatorët po përballen me fatura të shtrenjta. Kompania e madhe ruse e industrisë së gazit, “Gazprom”, nuk po shet gaz si më parë.
Kjo gjë ngre pyetjen: Si Evropa, e cila importon sasinë më të madhe të energjisë së saj, do të shpëtojë gjatë dimrit pa pasur një katastrofë gazi, e veçanërisht nëse dimri rezulton të jetë më i ftohtë apo më i gjatë se zakonisht?
Ja se si Bashkimi Evropian, shtëpia e 447 milionë njerëzve, do të përpiqet të përballet me krizën:
Rezervat e vogla të gazit
Problemi qëndron në rezervat e vogla të gazit. Shërbimet publike që furnizojnë komunitetin me gaz, përdorin gazin rezervë nëntokësor për të përballuar kërkesat e papritura për gaz për ngrohje apo energji elektrike. Evropa ka filluar vitin 2021 me vetëm 56% gaz rezervë, në krahasim me 73% të vitit paraprak.
Arsyet janë të ndryshme: moti i ftohtë gjatë dimrit të kaluar, mungesa e dërgesave ruse në treg dhe kërkesa e lartë në Azi për gazin natyror të lëngshëm që bartet me anije. Shoqata evropiane e operatorëve të tubacioneve thotë se moti i ftohtë do të nënkuptonte nevojën për të importuar 5% deri në 10% më shumë gaz se vëllimet maksimale të vërejtura në vitet e fundit për të shmangur rrezikun e mbylljes.
Rritja e çmimeve
Si rezultat, çmimet e gazit janë rritur: çmimi standard i gazit në Evropë është rreth 80 euro për një Megavat orë, katër herë më i lartë se çmimi 19 euro që ishte në fillim të vitit 2021. Çmimet janë ulur nëntë herë më shumë se çmimi në fillim të vitit të kaluar dhe kjo po shokon e alarmon konsumatorët dhe politikanët.
Çmimet e larta në Evropë po tërheqin më shumë furnizues. Analistët në kompaninë “Rystad Energy” kanë përdorur të dhënat e gjurmimit të anijeve në muajin e kaluar dhe kanë parë 11 tankierë, që sjellin gaz natyror të lëngshëm në Azi, duke bërë kthesa të panevojshme nëpër oqean, në mënyrë që të përfitojnë nga shitjet fitimprurëse në Evropë.
Qendra Lakhta, rrokaqiell 87-katësh, është seli e monopolit rus të gazit, “Gazprom” në Shën Petërburg
Me çmime kaq të larta, tregtarët ishin të nxitur për të devijuar rrugën gjatë transportimit të ngarkesave për në Evropë edhe nëse u duhej të ofronin 100% të çmimit si kompensim, thonë analistët në kompaninë e të dhënave “Energy Intelligence”.
“Nuk do të thosha që gazi natyror i lëngshëm është 100% i mjaftueshëm, por do të luajë një rol shumë të rëndësishëm” në zgjidhjen e problemit të energjisë në Evropë, tha Xi Nan, kreu i tregut të gazit natyror të lëngshëm në Rystad.
Dërgesa e pamjaftueshme e gazit nga Rusia
Rusia nuk ka dërguar gaz të mjaftueshëm. Kompania “Gazprom”, në pronësi shtetërore, ka shitur më pak gaz dhe nuk ka përmbushur rezervat e Evropës si zakonisht, por zyrtarët rusë kanë theksuar se kompania i ka kryer obligimet e saj të furnizimit sipas kontratave afatgjate.
Analistët besojnë se Rusia mund të jetë duke theksuar dëshirën e saj që Evropa ta miratojë tubin gazsjellës “Nord Stream 2” që arrin në Gjermani. Po ashtu, tensionet janë të rritura për shkak të vendosjes së ushtarëve rusë afër kufirit të Ukrainës.
Shefi i antitrustit të BE-së tha të enjten se kufizimet e kompanisë “Gazprom” mbi furnizimet mendohen të jenë “provokuese”, dhe kërkon nga kompania dhe furnizuesit e tjerë një shpjegim. Komisionerja Margarethe Vestager ka përshkruar sjelljen e kompanisë “Gazprom” si “një sjellje mjaftë e rrallë në treg”.
Zgjidhja është një dimër jo i ashpër
Moti në Evropë dhe Azi deri tani ka qenë relativisht i butë, më shumë gaz natyror i lëngshëm po vjen dhe çmimet e larta kanë detyruar industritë të përdorin më pak gaz duke zvogëluar prodhimin. Ndërkohë, Norvegjia, e cila është njëra ndër furnizueset e Evropës, ka rritur furnizimin me më shumë gaz tubacioni.
“Kjo do të thotë se ne mund të kalojmë këtë dimër edhe me furnizime ruse po aq të ulëta sa janë” tha James Huckstepp, menaxher për analitikën e gazit në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë në kompaninë energjetike “S&P Global Platts”.
Një punëtor në stacionin ukrainas të gazit, Volovets në Ukrainën Perëndimore
“Nuk mund të them se kriza ka kaluar, sepse ende ekziston rreziku i temperaturave të ulëta dhe ka shumë pak hapësirë të magazinimit”. Nëse ndodh ndonjë bllokim i papritur, “mund të përdorim skenarin ekstrem duke bërë ndërprerje të detyruara të gazit, duke filluar me industritë, por eventualisht edhe konsumatorët do të ishin të rrezikuar”, tha Huckstepp.
Si zgjidhje afatshkurtër, qeveritë evropiane shohin ofrimin e subvencioneve të para për konsumatorët për ta zbutur gjendjen.
Zgjidhja afatgjatë është investimi në burime të ripërtëritshme si era dhe rrezet e diellit. Megjithatë, zyrtarët e pranojnë se gazi do të luajë një rol për vite të tëra gjatë këtij ndryshimi.
Ndikimi politik
Shqetësimet politike në Kazakistan nuk po ndihmojnë. Shteti i Azisë Qendrore, i pasur me burime, furnizon BE-në me naftë - por jo edhe me gaz - dhe sjellja e naftës nuk u ndikua nga protestat e dhunshme që filluan për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit, por këto protesta u shpërndanë shpejt duke reflektuar pakënaqësi të mëdha rreth qeverisë autoritare të Kazakistanit.
Alternativa e fundit
Nëse të gjitha dështojnë, legjislacioni i BE-së ka kërkuar që shtetet të ndihmojnë njëra-tjetrën në rast të mungesës së gazit. Qeveritë mund të shpallin një emergjencë gazi dhe të ndërpresin furnizimin e klientëve industrialë për të kursyer familjet, duke dëmtuar ekonominë por duke shpëtuar nga një fatkeqësie njerëzore dhe politike.
Teorikisht, shtetet mund të kërkojnë furnizime me gaz ndërkufitar nga njëri-tjetri. Vitet e fundit, Evropa ka ndërtuar më shumë tubacione, por jo aq sa për të mbuluar të gjithë kontinentin, duke i lënë disa shtete më të ekspozuara se të tjerat. Megjithatë, ky sistem nuk është testuar asnjëherë dhe ekzistojnë pyetje rreth çështjes se sa të gatshme do të ishin shtetet të ndajnë gazin gjatë një krize.
Komisioni Evropian, si dega ekzekutive e BE-së, po punon për rishikimin e rregullave, në mënyrë që këto rregulla të përfshijnë blerjet e përbashkëta të gazit, por në mënyrë vullnetare, tha Ruven C. Fleming profesor asistent në Universitetin e Groningenit në Holandë. Fakti që rregullat po rishikohen "është një tregues mjaft i qartë se edhe ata që instaluan mekanizmin nuk mendojnë se do të funksiononte shumë mirë", tha Fleming.
Përktheu: Marigona Avdimetaj