Erdogani, në pushtet tash e 18 vjet, fillimisht si kryeministër dhe pastaj si president, ka ndalur retorikën e tij kundër Perëndimit në periudhën kur Qeveria e tij po përballet me një rënie të madhe ekonomike, të përkeqësuar edhe më shumë nga pandemia e koronavirusit. Partia e tij në pushtet, AKP, është tronditur në muajt e fundit nga një seri akuzash për korrupsion, përfshirë trafikimin e drogës dhe kontrabandën e armëve. Këto akuza i ka bërë një bos i arratisur i mafisë, mirëpo deri më tani nuk ka ofruar prova
Presidenti Joe Biden dhe homologu i tij turk Rexhep Tayyip Erdogan prej kohësh e njohin njëri-tjetrin, por takimi i së hënës do të jetë i pari si liderë shtetesh. Përballja e tyre vjen në një periudhë të tensionuar të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë.
Lista e mosmarrëveshjeve është jashtëzakonisht e gjatë për dy aleatët e NATO-s: Nga mbështetja e SHBA-së për luftëtarët kurdë në Siri e deri te blerja e sistemit raketor të Rusisë nga Turqia. Marrëdhëniet u përkeqësuan edhe më shumë në muajin prill, kur Bideni nxiti pakënaqësi tek Ankaraja, duke i cilësuar si “gjenocid” vrasjet dhe dëbimin e armenëve gjatë periudhës osmane.
Presidentët e mëparshëm të SHBA-së kishin shmangur përdorimin e këtij termi nga shqetësimi se do të komplikonte lidhjet me Turqinë, e cila është shumë krenare për historinë e saj osmane dhe këmbëngul se ata që u vranë në fillim të shekullit 20 ishin viktima të luftës civile dhe trazirave.
Sidoqoftë, përveç kundërshtimit të cilësimit nëpër fjalime, Erdogani nuk e përmendi Washingtonin. Heshtja tregon se ai dëshiron një marrëdhënie të mirë me Bidenin, thotë Rachel Ellehuus, analiste në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Washington.
“Ai ka nevojë për atë marrëdhënie ekonomike me SHBA-në dhe shfaqjen e një marrëdhënieje bashkëpunimi në mënyrë që të ruajë bazën e tij, e cila është e ndërtuar mbi një ekonomi funksionale turke që është e lidhur me Perëndimin”, thotë Ellehuus.
Në një intervistë me transmetuesin shtetëror turk TRT më 1 qershor, Erdogani pranoi se kishte marrëdhënie të përzemërta me presidentët e mëparshëm të SHBA-së, veçanërisht me Trumpin
Zbutja e Erdoganit
Erdogani, në pushtet tash e 18 vjet, fillimisht si kryeministër dhe pastaj si president, ka ndalur retorikën e tij kundër Perëndimit në periudhën kur Qeveria e tij po përballet me një rënie të madhe ekonomike, të përkeqësuar edhe më shumë nga pandemia e koronavirusit. Partia e tij në pushtet, AKP, është tronditur në muajt e fundit nga një seri e akuzave për korrupsion, përfshirë trafikimin e drogës dhe kontrabandën e armëve. Këto akuza i ka bërë një bos i arratisur i mafisë, mirëpo deri më tani nuk ka ofruar prova.
“Gjëja më e rëndësishme për udhëheqësin turk në këtë kohë është t’u japë një shtytje marrëdhënieve me SHBA-në për shkak të imazhit të Turqisë”, thotë Merve Tahiroglu, koordinator i Programit të Turqisë në Projektin për Demokracinë në Lindjen e Mesme. “Ai duket se e kupton që për të marrë çdo lloj investimi ndërkombëtar në Turqi, do të duhej të projektonte një imazh të marrëdhënieve pozitive me SHBA-në”, shtoi ai.
Biden shpesh ka përmendur marrëdhëniet personale që ai ka krijuar me udhëheqësit botërorë për gati 50 vjet, si faktor që i ofron mundësi të mirë për të rigjallëruar reputacionin e Shteteve të Bashkuara pas presidencës së Donald Trumpit.
Në ditët e fundit ai u ka përmendur ndihmësve se ka zhvilluar një raport të fortë me Erdoganin gjatë viteve, sipas një zyrtari të lartë të administratës, i cili foli në kushte anonimiteti.
Kujdesi personal
Biden ende e kujton me kënaqësi një telefonatë në shtëpinë e Erdoganit gjatë vitit 2011, kur atëherë zëvendëspresident amerikan ndodhej në Turqi për Samitin Global të Sipërmarrësve, thotë zyrtari amerikan në kushte anonimiteti. Erdogani nuk mori pjesë, sepse ishte duke u rikuperuar nga një ndërhyrje kirurgjike, por Bideni u ndal për një vizitë. Biseda e tyre supozohej të ishte e shkurtër, por zgjati mbi dy orë.
Mirëpo që prej atëherë marrëdhënia ka qenë shumë e komplikuar. Në 2014, teksa shërbente si zëvendëspresident i SHBA-së, Biden i kërkoi falje Erdogani pasi deklaroi se Turqia ndihmoi në formimin e ISIS-it kur i lejoi shtetasit e huaj të kalonin kufirin e Turqisë me Sirinë. Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2020, Biden nxiti pakënaqësi në mesin e zyrtarëve turq kur në një intervistë për gazetën prestigjioze “The New York Times” e quajti Erdoganin “autokrat”.
Erdogan gëzoni marrëdhënie më të mira me Trumpin që nuk e shqetësonte kur Turqia shkelte të drejtat e njeriut dhe u pajtuan që të tërhiqnin trupat amerikane nga veriu i Sirisë në vitin 2019, me qëllim që të hapej rruga për sulmin ushtarak të Turqisë kundër luftëtarëve kurdë që përkrah SHBA-së luftuan militantët e ISIS-it. Biden ishte fort kritik ndaj këtij vendimi, duke akuzuar Trumpin për shitjen e aleatëve të SHBA-së.
Erdogan priti disa ditë para se të uronte Bidenin për fitoren e tij në zgjedhje teksa Trumpi sfidonte rezultatin. Në të njëjtën kohë, Erdogani i dërgoi një mesazh Trumpit duke e falënderuar për “miqësinë e tij të ngrohtë”.
Biden ende e kujton me kënaqësi një telefonatë në shtëpinë e Erdoganit gjatë vitit 2011, kur atëherë zëvendëspresidenti amerikan ndodhej në Turqi për Samitin Global të Sipërmarrësve
Heshtja e Bidenit
Pasi mori detyrën, njëjtë veproi edhe Bideni. Priti fiks tre muaj para se t’ia bënte një zile Erdoganit. Ky veprim nga Turqia shihej si një shmangie totale. Për herë të parë folën kur Bideni e telefonoi për ta lajmëruar Erdoganin se kishte ndërmend ta cilësonte “gjenocid” rastin e armenëve.
Në një intervistë me transmetuesin shtetëror turk TRT më 1 qershor, Erdogani pranoi se kishte marrëdhënie të përzemërta me presidentët e mëparshëm të SHBA-së, veçanërisht me Trumpin, dhe se do ta ndalte Bidenin në një kënd të samitit të NATO-s në Bruksel për ta pyetur se përse marrëdhëniet Turqi-SHBA janë të tensionuara.
Dy presidentët pritet të bisedojnë për blerjen e sistemit të avancuar rus S-400 nga Turqia. Kjo blerje ngjalli pakënaqësi në Washington, që e hoqi Ankaranë nga programi i prodhimit të aeroplanëve luftarakë F-35 dhe vuri sanksione ndaj zyrtarëve të lartë të mbrojtjes në Turqi. Washingtoni ka deklaruar se sistemi është një kërcënim për sigurinë e NATO-s dhe këmbëngul se sanksionet nuk mund të hiqen derisa Turqia të heqë qafe sistemin, i cili i ka kushtuar 2.5 miliardë dollarë.
Turqia vazhdimisht ka bërë thirrje për dialog për të zgjidhur çështjen. Raportet e mediave turke thonë se Turqia është vendosur të propozojë vendosjen e S-400 në bazën ajrore Incirlik, e cila është shtëpia e një krahu të Forcës Ajrore të SHBA-së. Kjo do të bëhej me qëllim që sistemi mbrojtës rus të mbikëqyrej nga ushtria amerikane. Ministri i Jashtëm, Mevlut Cavusoglu, u kishte thënë gazetarëve se S-400 do të ishte “100% nën kontrollin turk” dhe se asnjë zyrtar ushtarak rus nuk do të ishte në Turqi.
Erdogani gjithashtu pritet të ngrejë çështjen e mbështetjes ushtarake amerikane për luftëtarët kurdë sirianë, për të cilët Ankaraja ka argumentuar se janë të lidhur me kryengritjen kurde në Turqi.
Këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan, thotë se Bideni dhe Erdogani do të diskutojnë mbi Sirinë dhe Iranin, si dhe mbi atë rol që Turqia mund të luajë në Afganistan pas tërheqjes së trupave amerikane. Gjithashtu në rendin e ditës është mënyra se si Washingtoni dhe Ankaraja “merren me disa nga ndryshimet tona të rëndësishme mbi vlerat dhe të drejtat e njeriut dhe çështje të tjera”, thotë Sullivan.
Shton se Bideni e njeh shumë mirë presidentin turk Erdogan.
“Të dy liderët kanë kaluar një kohë të mirë së bashku, dhe të dy, mendoj, po presin me padurim mundësinë për t’u takuar me qëllim që të rishikojnë plotësisht marrëdhënien SHBA-Turqi”, thotë Sullivan.
Përktheu: Gent Mehmeti