Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Për Putinin mund të votohet edhe në SHBA

Rusia do të hapë qendrat e votimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në tre nga misionet e saj diplomatike ose konsullore për zgjedhjet presidenciale në mars, ka njoftuar të mërkurën ambasadori rus në Uashington.

Njoftimi vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Ftohtë për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Rusia, e shënjestruar nga një sërë sanksionesh perëndimore për sulmin ndaj Ukrainës në vitin 2022, nuk ka vendosur ende nëse qendrat e votimit do të hapen edhe në vendet evropiane që i konsideron “armiqësore”. Zgjedhjet janë caktuar për 17 mars. Vladimir Putin, i cili ka drejtuar Rusinë që nga viti 2000, ka shprehur synimin për të kandiduar për mandatin e pestë.

Nëse fiton, do të qëndrojë në Kremlin të paktën deri në vitin 2030, kur do të jetë 78 vjeç. Rizgjedhja e tij është pothuajse e kryer në një vend ku e gjithë opozita e vërtetë është shtypur.

“Në Shtetet e Bashkuara, ne planifikojmë të hapim tre qendra votimi: në ambasadën tonë në Uashington, si dhe në konsullatat tona në New York dhe Huston”, ka thënë ambasadori rus Anatoly Antonov.

Shtetet e Bashkuara kanë furnizuar Ukrainën me armë kundër forcave ruse dhe vendet perëndimore kanë vendosur sanksione të rënda ekonomike ndaj Moskës. Rusia tregoi javën e kaluar se nuk ka vendosur ende për hapjen e qendrave të votimit në Evropë. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë se vendimi do të merret para fundit të janarit.