Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia janë aq thellësisht të ndara në vizionet e tyre përplasëse rreth rendit botëror, interesave gjeopolitike dhe vlerave, saqë disa mund të thonë se nuk mund të vijë as në konsideratë një partneritet i ri mes tyre. Më e mira që të gjitha palët mund të shpresojnë është armiqësia e paepur, shoqëruar me përpjekjet për ta shmangur një luftë bërthamore përfunduese për njerëzimin, apo përshkallëzimin e një konflikti të paqëllimshëm ushtarak.
Ky, sipas revistës politike amerikane “Foreign Policy”, duket të jetë pikërisht ai lloj bashkëpunimi që presidenti amerikan, Joe Biden, kishte synuar në telefonatën e tij të parë me liderin rus, Vladimit Putin, e cila ishte përqendruar në zgjatjen e traktatit “New START” para se të kalohej në një listë të gjatë të veprimeve malinje të Rusisë – arrestimi (dhe tani burgosja) i liderit opozitar Alexei Navalny, arrestimi masiv i protestuesve, sulmet kibernetike, ndërhyrjet në zgjedhje e kështu me radhë.
“Mirëpo, marrëdhëniet SHBA-Rusi ia vlejnë një përpjekjeje tjetër për krijimin e një relacioni më të thellë – të tillë që e thyen qarkun e shkeljeve dhe hakmarrjeve që i kishin karakterizuar lidhjet SHBA-Rusi gjatë tri dekadave të fundit, që prej kohës së përkeqësimit fillestar me rënien e Murit të Berlinit e deri në përfundimin e Luftës së Ftohtë”, ka shkruar “Foreign Policy”, në analizën e vet. “Për ta bërë këtë ekzistojnë disa hapa të qartë politikë që të dyja palët mund t’i hedhin për t’i përmbushur interesat e tyre të përbashkëta”.
“Ndjenja e tradhtisë”
E para, analistët shpesh fokusohen në “putinizmin” dhe në korrupsionin e agresionin që ai ngërthen. Bideni, nga ana e tij, ka deklaruar se SHBA-ja nuk do të “ngrysë më fytyrën karshi veprimeve agresive të Rusisë”. Nuk do mend se veprimet agresive të Rusisë i kanë shkaktuar dëm SHBA-së dhe më tej.
Edhe Asgjë e re nga Washingtoni“Megjithatë, nga këndvështrimi i zgjidhjes së konfliktit, është me rëndësi që të kuptohet se ajo çfarë Putini ka bërë nuk është shfaqur thjesht prej gjëkundi. Strategjitë e tij e kanë pikënisjen në tradhtinë që shumë rusë e ndjenë kur NATO-ja u zgjerua kah lindja, pas garancive të dhëna se nuk do ta bënte”, ka shkruar gazeta politike. “Dhe më pas u shkaktua armiqësim edhe më i madh, kur SHBA-ja bombardoi Serbinë aleate të Rusisë më 1999-n, vendimeve për të vendosur sisteme të mbrojtjes raketore në Rumani dhe Poloni, mbështetjes dhënë për liderin antirus në Gjeorgji pas 2003-s, si dhe mbështetjes për opozitën properëndimore të Ukrainës më 2004 dhe më pas më 2013-2014”, numëron revista amerikane arsyet e të çarave Washington-Moskë.
Në këtë vazhdë, gazeta përmend se ka qenë gjithashtu edhe vendimi i SHBA-së për të shkuar përtej madantit të OKB-së për rrëzimin e regjimit të Muammar al-Gaddafit në Libi më 2011, si dhe natyrisht, mbështetja e SHBA-së për figurat opozitare në Rusi.
Analiza e “Foreign Policy” shkruan se është goxha ndihmuese që të kuptohet se nuk ishte vetëm Putini, por edhe pararendësit e tij – Boris Yeltsin dhe Mikhail Gorbachev – të cilët janë ndier të tradhtuar nga veprimet amerikane.
Në të shkuarën, në librin me kujtime, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Strobe Talbott, e kujton një bashkëbisedim kur presidenti i atëhershëm, Bill Clinton, e vuri vetën në pozitën e Yeltsinit: “Vazhdojmë të themi Ol’ Boris: ‘OK, ja çfarë duhet të bësh më pastaj – ja edhe ca mut fytyrës tënde’. Dhe kjo gjë ia bën punë përnjëmend të vështirë, duke e pasur parasysh se me kë ka të bëjë dhe me kë ai merret”.
Dhe, gjatë mesit të presidencës së tij, “FP” shkruan se edhe Yeltsini fillimisht pro-perëndimor do ta shprehte pendimin e tij më të thellë: “Nuk më pëlqen kur SHBA-ja i kapardiset superioritetit të saj... Rusia do të ngrihet përsëri’, ka thënë ai, për të përsëritur: “E përsëris: Rusia do të ngrihet përsëri!”.
Pranimi
Bazuar në këtë këndvështrim, nuk është mister pse Yeltsini i butë e zgjodhi Putinin e çeliktë për “ta ngritur Rusinë nga gjunjët”.
“Me çehren në dhembje, Gorbachevi më kishte thënë dy vjet më parë se – pasi e lanë Murin e Berlinit të binte dhe pasi kishin punuar që t’i jepej fund Luftës së Ftohtë – Shtetet e Bashkuar vazhdimisht janë përpjekur që ta lënë Rusinë larg gjeopolitikave”, ka shkruar autori i analizës së “Foreign Policy”, Bruce Allyn.
Kësisoj, problemi në marrëdhënien SHBA-Rusi nuk është vetëm “putinizmi”, apo ideja se Putini i druan demokracisë dhe ka nevojë për një armik të jashtëm për të mbetur në pushtet. Në vend të kësaj, problemet kanë ekzistuar kaherë dhe do të vazhdojnë edhe shumë kohë më pas.
Një tjetër hall në nisjen e procesit të pajtimit është se negociatorët duhet ta shikojnë “të gjithë peizazhin”, të gjithë sistemin e konfliktit veprim-reagim. Qëndrimi se Rusia është e rrezikshme dhe duhet të frenohet deri në dobësim është shndërruar kryesisht në një profeci të vetëpërmbushjes. Po, reagimet hakmarrëse të Putinit luajnë një rol kritik në këtë mes dhe u kanë shërbyer synimeve të regjimit për ta portretizuar një kërcënim të jashtëm për popullatën e brendshme. Por, mund t’u shërbejë interesave të SHBA-së që të ndalojnë së shtypuri butonin e sulmit dhe të rishikojnë se ku mund t’i rivlerësojnë vetë veprimet e tyre.
Edhe
Rusia akuzon SHBA-në se nuk ka përmbushur “mirëkuptimet” e arritura në samitin Trump-Putin
“Për ta përdorur atë që unë mendoj se është metaforë e mrekullueshme prej një thënieje të vjetër ruse: ‘Të gjithë shikojmë prej kullës së kishës sonë’. Kjo thënie shumëshekullore i shkon goxha për shtati ‘paragjykimit nga ana ime’ të asaj që ne e quajmë ‘narcizëm strategjik’”, ka shkruar Allyn.
Më produktive, sipas revistës amerikane, do të ishte sikur bota të shikohej me “empati strategjike”. Në rrafshin e negociatave dhe ndërmjetësimit, ekspertët politikë kanë studiuar për dekada me radhë se si dhe pse njerëzit bien në reagime dhe konflikt dhe si mund të sprapsen dhe të shikohen opsionet kreative për ta shmangur rënien në zemër të betejës.
“Për administratën Biden, në aspektin e menjëhershëm, një opsion do të ishte mbajtja e një fjalimi sikurse adresimi i përkushtimit për ‘Strategjinë e Paqes’, mbajtur më 1963 nga presidenti John F. Kennedy në Universitetin amerikan”, ka shkruar “Foreign Policy”.
Asokohe, Kenney mori qëndrim të sertë në mbrojtjen e vlerave demokratike, duke e kundërshtuar vendosmërisht komunizmin dhe duke bërë thirrje për empati e analizë të vetvetes. Nuk është në pyetje vetëm retorika – me këtë u thye bllokada tetëvjeçare në negociatat SHBA-Bashkim Sovjetik rreth testimeve bërthamore dhe u hap rruga, vetëm dy muaj më vonë, për Traktatin historik të ndaljes së pjesshme të testimeve.
Sot, Bideni mundet jo vetëm që ta denoncojë autoritarizmin në Rusi dhe të përsërisë se SHBA-ja nuk do ta ngrysë më fytyrën karshi agresionit rus, por edhe të pranojë, sikurse bëri Kennedy, se të dyja palët i kontribuuan qarkut tragjik veprim-reagim të konfliktit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Administrata Biden, sipas revistës politike amerikane, mund për më tepër t’i shikojë mundësitë për bashkëpunim në pandemi, ndryshime klimatike, gjithësi, diplomaci kibernetike, transitin Arktik dhe gjetkë.
Fjalimin e famshëm të 1963-s, Kennedy e kishte mbajtur pas krizës së raketave kubane në tetorin e 1962-s. Ai i përdori fjalët: “Dhe nëse nuk mund t’u japim fund tani dallimeve tona, të paktën mund ta bëjmë botën të sigurt në shumëllojshmëri. Kjo pasi që, sipas analizës më të fundit, lidhja jonë më e madhe e përbashkët është se të gjithë jemi banorë të të njëjtit planet. Të gjithë e thithim të njëjtin ajër. Të gjithë i gëzohemi të ardhmes së fëmijëve tanë. Dhe të gjithë jemi të vdekshëm”.
Kur liderët e kuptojnë vetë se çfarë është në rrezik, marrëveshjet arrihen.
Presidenti amerikan, Ronald Reagan, i ndikuar me të madhe nga filmi i ABC-së, “The Day After”, e pranoi rrezikun bërthamor. Ai dhe Gorbachevi i nënshkruan marrëveshjet më të mëdha të kufizimit të armëve në histori.
Edhe
Putini i thotë Xi-së se marrëdhëniet Rusi-Kinë kanë arritur një nivel të paparë
Padyshim, Bideni dhe Putini sot e pranojnë se armiqësia SHBA-Rusi nuk është e mirë as për rusët, as për amerikanët.
Që të dy, sipas ‘FP”-së, duhet të shikojnë prej vetë kullave të kishave të tyre për ta gjetur një vend ku të gjithë mund të takohen.