Pentagoni ka deklaruar se është duke e mbikëqyrur aktivitetin e pazakontë ushtarak të Rusisë në kufi me Ukrainën.
Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, në një konferencë për media ka thënë se gjerësia dhe madhësia e këtij aktiviteti ushtarak është e pazakontë dhe se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për këtë. Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka thënë të mërkurën se rreth 90 mijë ushtarë rusë janë stacionuar në afërsi të kufirit në lindje të Ukrainës.
Rusia në vitet e fundit ka qëndruar prapa separatistëve në lindje pas aneksimit të Krimesë. Shteti rus vazhdimisht ka mohuar prezencën ushtarake në lindje të Ukrainës, shkruajnë mediat e huaja.
Në fillim të këtij viti, një aktivitet i madh ushtarak ka nxitur shqetësime në Ukrainë dhe në shtetet perëndimore. Zyrtarët rusë janë arsyetuar se grumbullimi i trupave është bërë për disa manovra ushtarake. Këto janë pjesë e masave kundër kërcënimit që sipas tyre po i kanoset nga forcat e NATO-s të vendosura në kufi me Rusinë.
Pentagoni i ka bërë thirrje Rusisë që të jetë më transparente me komunitetin ndërkombëtar për aktivitetet ushtarake.