Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pedro Sanchez është kryeministër i ri në Spanjë

Qeveria e Mariano Rajoy është rrëzuar në Spanjë pas miratimit të mocionit të mosbesimit paraqitur nga partia kryesore opozitare, ndërsa kryeministri i ri i vendit u bë kreu i Partisë Socialiste të Punës (PSOE), Pedro Sanchez.

Dhoma e Përfaqësuesve të Spanjës u mblodh për të votuar mocionin e paraqitur nga PSOE për shkak se disa anëtarë të Partisë Popullore (PP) në pushtet kanë marrë dënime me burg në një rast korrupsioni në vend.

Kryeministri Mariano Rajoy në fjalimin e tij para votimit tha se, “është nder ta lë Spanjën më mirë nga ajo që e kam gjetur. I falënderoj të gjithë spanjollët. Paçi fat”. Ai e përgëzoi liderin e PSOE, Pedro Sanchez i cili do të zgjidhej si kryeministër me votim.

Në votimin e hapur të bërë në Dhomën e Përfaqësuesve me 350 karrige, mocioni i mosbesimit u miratua me 180 vota pro dhe 169 kundër. Një anëtar abstenoi, raporton AA. Mocionin e PSOE e mbështetën partia e majtë Podemos dhe partitë pro pavarësisë Katalane dhe Baske.

Me këtë drejtimi 6 vjeçar i qeverisë nga Rajoy përfundoi, ndërsa socialistët erdhën sërish në pushtet pas humbjes së tyre në zgjedhjet e vitit 2011. Sipas legjislacionit spanjoll lideri i partisë që ka paraqitur mocionin, në këtë rast Sanchez, mori postin e kryeministrit.