Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pasojat e ndryshimit klimatik: Vera e ankthit

“Kupolat ​​e nxehtësisë në Kanada, përmbytjet në Gjermani, thatësira në Afrikë dhe Azinë Qendrore: Kjo verë ka sjellë mot shqetësues. Sa të lidhura janë krejt këto situata ekstreme me ndryshimet klimatike? Shkencëtarët në të gjithë botën po përpiqen ta zbulojnë”, shkruan revista gjermane “Der Spiegel” në analizën për fatkeqësitë ekstreme natyrore

Intervista e së hënës e Jan Poldermanit para zjarrit spikati se sa papritur ndryshuan gjërat. Me fytyrën e buzëqeshur, kryebashkiaku i Lyttonit i deklaroi të hënën një gazetari se homologu nga qyteti fqinj Lillooet ia kishte borxh një birrë. Të dy kishin vënë një bast se cili nga dy qytetet në provincën kanadeze të Kolumbisë Britanike do të përjetonte temperaturat më të nxehta, dhe Poldermani ishte krenar që e fitoi bastin, shkruan në krye të shkrimit revista konservative gjermane, “Der Spiegel”, në analizën mbi ndikimin e aktivitetit njerëzor në ndryshimin klimatik. Ai nuk e dinte se vetëm 48 orë më vonë komuniteti i tij nuk do të ekzistonte më.

Nxehtë e më nxehtë

“Lyttoni është i njohur për temperaturat e larta, me një tabelë në autostradën transkanadeze që mirëpret vizitorët në ‘pikun e nxehtë të Kanadasë’. Qyteti shtrihet në rrafshinën e Fraser Canyon, ku nxehtësia ka tendencë të arrijë kulmin në verë. Megjithatë, askush atje nuk ishte i përgatitur për atë që ndodhi në fund të qershorit: Të dielën e 27 qershorit stacioni i motit lokal regjistroi një vlerë që ishte dy gradë më e ngrohtë se rekordi 80-vjeçar, duke arritur në 46.6 gradë celsius”, shkruan “Der Spiegel”.

Ishte edhe më nxehtë ditën tjetër, duke arritur në 47.6 gradë celsius dhe temperatura po vazhdonte të ngrihej. Atë të martë shkoi 49.6 gradë celsius. Një kanion në Kanada po përjetonte papritur temperatura të ngjashme me shkretëtirën dhe ekspertët e motit në të gjithë botën e vunë re këtë.

“Çfarë po ndodh?”, u pyet studiuesi i klimës, Jochem Marotzke, nga Instituti Meteorologji Max Planck në Hamburg.

Edhe Gjithnjë e më nxehtë – klima e re e Evropës Botë 2 j. më parë Gjithnjë e më nxehtë – klima e re e Evropës

Pastaj pasoi zjarri, i përflakur nga kushtet jashtëzakonisht të thata. Më vonë disa supozuan se një shkëndijë prej një treni kalimtar ua vuri zjarrin shkurreve përgjatë shinave. Në orën 6 pasdite kryebashkiaku nënshkroi urdhrin e evakuimit, e përmbledh situatën revista gjermane.

Flakët kaluan shpejt nëpër qytetin e tharë.

“U deshën rreth 15 minuta të tëra nga shenja e parë e tymit, krejt papritur, që zjarri të përfshinte gjithçka”, tha Poldermani për transmetuesin kanadez CBC. Ata që ikën nga flakët filmuan ferrin nëpërmjet dritareve të makinave të tyre, me botën që ndan fatkeqësinë e tyre përmes YouTube. Klipet tregojnë tym, hi dhe prush, me perden e blozës që herë pas here zbulon ndonjë shtëpi, ndonjë pemë ose ndonjë makinë. Vetëm disa orë më vonë asgjë nuk mbeti prej shumicës së ndërtesave.

“Tallja” e natyrës

I nxehti dhe thatësira ekstreme në Bregun Perëndimor të Amerikës së Veriut talli parashikuesit e motit. Dhjetëra regjistrime të reja të nxehtësisë u raportuan në Kolumbinë Britanike dhe në shtetet amerikane të Uashingtonit dhe Oregonit, me disa prej rekordeve të vjetra që ishin pesë gradë më të ulëta - një goditje e temperaturës nuk llogaritet në asnjë nga modelet e parashikimit të zhvilluar nga studiuesit e klimës. Nëse temperaturat e ngjashme mund të shfaqen papritmas në malet e Kanadasë, atëherë me çfarë mund të përballemi më tej? – pyet gazeta.

“Gjatë natës qyteti i Lyttonit, me 250 banorët e tij, u bë simbol për ndryshimin e klimës. Shumë njerëz janë të vetëdijshëm se shteti ishullor i Paqësorit, Kiribati, po fundoset në oqean dhe se shtëpitë siberiane po bëhen të paqëndrueshme për shkak të shkrirjes së ngricës së përhershme. Por një qytet malor në Kanada? Nëse Lytton mund të shkatërrohet, atëherë ne të gjithë jemi në rrezik”, shkruan “Der Spiegel”.

Ndryshimi mbërrin në zemër të Evropës

Vetëm dy javë pasi Lyttoni u ndez në flakë, uji filloi të ngrihej në Hagen dhe Wuppertal. Shirat e dendur - deri në 150 litra në 24 orë në disa vende - ranë në Gjermaninë perëndimore. Ndryshimi i klimës kishte mbërritur në zemër të Evropës. Por edhe kur buldozerët po pastronin rrugët e rajonit nga sendet shtëpiake dhe balta, debakli tjetër i motit në Evropë filloi. Në Mesdhe temperaturat filluan të ngjiten në fillim të këtij muaji në Greqi dhe rajonin e Antalisë në Turqi në mbi 40 gradë celsius. Në disa vende shkoi mbi 30 gradë celsius gjatë natës. Zjarrfikësit po kalojnë kohë të vështira duke luftuar me flakët në shumë zona, dhe meteorologët janë unanimë duke e quajtur atë një valë historike të nxehtësisë.

“Moti i planetit tonë po ndryshon, diçka që po bëhet më e qartë me çdo vit që kalon. Fenomene ekstreme të motit janë raportuar kaherë përtej Kanadasë perëndimore e deri në Gjermani. Situata, me siguri, që prej atëherë është qetësuar në Kolumbinë Britanike, por më në jug - në Kaliforni, Arizona, Nevada dhe Utah - nxehtësia dhe thatësia kanë kohë të gjatë që kanë kapluar zonat. Jugperëndimi amerikan ka vuajtur për dy dekada me radhë. Në Kaliforni moti madje po i çon gjarpërinjtë në zonat e populluara dhe Oregoni po përjeton një murtajë karkalecash”.

Ka edhe më zi!

Edhe Gjermania goditet nga temperatura rekord, ndërsa vala e të nxehtit lëviz drejt lindjes Botë 4 j. më parë Gjermania goditet nga temperatura rekord, ndërsa vala e të nxehtit lëviz drejt lindjes

Kulmi i sezonit të zjarrit nuk ka ardhur ende, por tashmë sasia e dyoksidit të karbonit që është lëshuar nga zjarret në Perëndimin Amerikan po i afrohet totalit të emetimeve të kursyera në Kaliforni gjatë pandemisë së koronavirusit. Zjarret, të cilët po përkeqësohen çdo vit, ​​po tejkalojnë përpjekjet për të zvogëluar emetimet e gazeve serrë.

Vendet si Helsinki dhe Moska gjithashtu kanë regjistruar rekorde të reja temperaturash të larta, duke shënuar ngritje të pashembullta për muajin qershor. Në Siberi mijëra zjarrfikës po përpiqen të kontrollojnë zjarret. Më shumë se një milion hektarë pyje janë në flakë dhe në disa zona, toka tani po digjet gjatë gjithë vitit, kujton revista gjermane.

“Kupola e nxehtësisë” në Lindjen e Mesme i çoi temperaturat në mbi 50 gradë celsius në qershor. Afganistani po përballet me mungesë ushqimi për miliona njerëz për shkak të thatësirës. Programi Botëror i Ushqimit ka paralajmëruar një uri të paparë në Madagaskar. Njerëzit në disa vende po detyrohen të mbështeten tek karkalecat për ushqim. Dhe angolasit po përballen gjithashtu me thatësi të madhe ​​- më e keqja në katër dekada. Një pjesë e madhe e të korrave të vendit tashmë është prishur dhe bagëtia po ngordh nga etja.

“Në Tajvan, normalisht vend i shumë reshjeve, nuk ka pasur tajfunë këtë vit, duke çuar në një periudhë të thatë që nuk është parë që nga viti 1964. Në të vërtetë prodhuesit e kompjuterëve mund të hasin në probleme nëse rezervuarët e Tajvanit thahen, pasi ata furnizojnë prodhuesit e çipave me ujin që u nevojitet në prodhim”, shkruan “Der Spiegel”, duke iu referuar të dhënave të autoriteteve ndërkombëtare dhe vendore.

Keq pa ujë, keq me ujë!

Katër mijë kilometra më tej në perëndim, në shkretëtirën më të madhe të Kinës, më shumë reshje kanë rënë në tokë sesa një total normal dyvjeçar. Në qytetin e Zhengzhout, në Lumin e Verdhë, kemi parë tunele të metrosë të mbushura me ujë, duke bllokuar qindra njerëz brenda trenave. Të paktën 108 njerëz vdiqën në qytet.

Toka është përballur gjithmonë me katastrofa natyrore. Këtë vit, megjithatë, shumë rajone të botës po përballen me fenomene të tilla në të njëjtën kohë. Për më tepër, numri dhe ashpërsia e ngjarjeve të motit kanë lënë përshtypjen e një planeti jashtë ekuilibrit. Klima e Tokës duket se po ndryshon.

Si të tillë, përfaqësuesit e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike dolën me paralajmërime alarmuese para publikut në një moment kritik. Të hënën ata prezantuan pjesën e parë të raportit të tyre të ri, të gjashtin. Raportet në seri janë përmbledhje e hulumtimeve më aktuale mbi ndryshimet klimatike dhe formojnë bazën e strategjive klimatike të ndjekura nga vendet në mbarë botën. Në shumë vende ky raport do të merret parasysh nga një auditor që është shumë më i ndjeshëm ndaj ngrohjes globale sesa raporti i mëparshëm, i cili u publikua më 2013, shkruajnë autorët e shkrimit.

Normaliteti i ri

“Raporti i ri përshkruan në detaje atë me të cilën po përballet bota sipas modeleve të klimës. Trendi mbizotërues është ai i rritjes së temperaturave. Valët e nxehtësisë ka të ngjarë të rriten shumë më tepër se të gjitha ngjarjet e tjera ekstreme të motit. Verat që sot duken ekstreme mund të bëhen normale brenda vetëm 10 vjetësh”, shkruan “Der Spiegel”.

Edhe Evropa përvëlohet nga vala e të nxehtit Botë 1 muaj më parë Evropa përvëlohet nga vala e të nxehtit

“Por nuk janë vetëm temperaturat që po rriten. Për shkak se një botë më e ngrohtë do të thotë më shumë ujë, do të avullojë dhe kondensohet në re, atëherë do të ketë më shumë reshje dhe se reshjet do të shpërndahen ndryshe. Reshjet e rrëmbyeshme që mund të çojnë në përmbytje janë në rritje në shumë vende. Në të njëjtën kohë rajonet e thata mund të mos kenë fare reshje. Rregulli bazë që tani zbatohet për planetin është si më poshtë: Ngjarjet ekstreme do të bëhen më të shpeshta”.

Përgatiti: Rexhep Maloku