Propozimet për reforma, të cilat liderët e NATO-s pritet që t’i shqyrtojnë në samitin e planifikuar më vonë gjatë këtij viti në Bruksel, synojnë që ta bindin pasuesin e Trumpit, Joe Biden, për ta mbështetur fuqimisht Aleancën ushtarake dhe për t’i zbutur aleatët e zemëruar me atë që e cilësojnë si dështim të koordinimit në nivel politik
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do t’i shpalosë planet e reformimit me qëllim të modernizimit të Aleancës, pas katër vjetësh çarjeje me Washingtonin dhe ballafaqimin me sfidat e një Kine në ngritje ushtarake dhe një Rusie me qëndrime përherë më armiqësore.
Pas retorikës konfrontuese midis Washingtonit dhe aleatëve të saj, gjatë presidencës së Donald Trumpit, Stoltenbergu do të spikatë tetë fusha, në të cilat NATO-ja mund të modernizohet në aspektin afatmesëm – duke nisur prej ndryshimeve klimatike deri te financimi më i qëndrueshëm i operacioneve ushtarake. Një gjë të tillë e kanë konfirmuar të martën dy zyrtarë të lartë të Aleancës, për agjencinë Reuters që raportoi fillimisht për rastin.
Propozimet për reforma, të cilat liderët e NATO-s pritet që t’i shqyrtojnë në samitin e planifikuar më vonë gjatë këtij viti në Bruksel, synojnë që ta bindin pasuesin e Trumpit, Joe Biden, për ta mbështetur fuqimisht Aleancën ushtarake dhe për t’i zbutur aleatët e zemëruar me atë që e cilësojnë si dështim të koordinimit në nivel politik.
Presidenti francez, Emmanule Macron, kishte thënë gjatë fundit të 2019-s se NATO-ja është “duke kaluar nëpër vdekje klinike”, pasi Turqia, aleate e Aleancës, lansoi një ofensivë ndaj rebelëve të mbështetur nga SHBA-ja në Siri.
“E kemi mundësinë unike për ta rigjallëruar dhe fuqizuar lidhjen transatlantike”, ka thënë Stoltenberg para gazetarëve, duke iu referuar procesit të reformimit “NATO 2030”.
Propozimet përfshijnë rifreskimin e dokumentit kryesor zyrtar të strategjisë së NATO-s, për t’i marrë në konsideratë kapacitetet ushtarake në rritje të Kinës dhe konkurrencën strategjike ruse.
Stoltenberg do të propozojë gjithashtu diskutime më politike në NATO, duke i lejuar takimet e shpeshta të ministrave të jashtëm dhe të brendshëm, si dhe të këshilltarëve të sigurisë kombëtare. Shefi i NATO-s, njëherësh ish-kryeministri norvegjez, do të sugjerojë gjithashtu që aleatët t’i financojnë kolektivisht operacionet në territor aleat.
Edhe
Rutte takon Trumpin para samitit të NATO-s
“Sekretari i përgjithshëm është duke menduar se si mund ta bëjmë të qëndrueshme një gjë të tillë, ngase këto aktivitete janë qenësore për sigurinë tonë. Duhet ta gjejmë një mënyrë për ta ndryshuar mënyrën e financimit të këtyre operacioneve”, ka thënë një zyrtar i NATO-s.
Organizata e Traktatit të Veriatlantikut është krijuar në vitin 1949 për konfrontimin e kërcënimit nga Bashkimi Sovjetik komunist, por më pas gjeti synim të ri, pasi Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014.
NATO-ja është vënë nën presion për të ndihmuar në zgjidhjen e disa prej krizave më të vështira botërore, ndërsa Washingtoni e ka vënë përballë sprovës për ta rishqyrtuar qëndrimin e saj kundruall Kinës, e cila po shndërrohet në forcë përherë më e madhe ushtarake në botë. \ AP