Ndërsa Bashkimi Europian ka bërë thirrje për një dialog dhe proces pajtimi në Malin e Zi pas zgjedhjeve parlamentare të 30 gushtit, aktori më i rëndësishëm ndikues në këtë vend, Kisha Ortodokse Serbe ka shpallur se do të ringrejë simbolet serbe në shtetin që ka fituar pavarësinë në vitin 2006.
Siç bën të ditur televizioni publik i Malit të Zi, Metropoliti dhe Litorali i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Amfilohije Radoviq, njoftoi rinovimin e kishës së Aleksandër Karagjorgjeviqit, mbretit të Serbisë, i cili pas Luftës së Parë Botërore përfshiu edhe Malin e Zi e trojet shqiptare me ndihmën e Rusisë.
Gjithashtu Amfilohije ka bërë të ditur se do të ndërtojë kishën e Patriarkut Gavril, i cili ashtu si pasardhësi i tij sot ishte determinant në bashkimin e Malit të Zi me Serbinë.
Njeriu i parë i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi ka kërkuar një tempull në Zlatica, i cili ishte ndërtuar para skizmës së krishterë në 1054, për të cilin qeveria e Malit të Zi ka vendosur që t’ia japë Kishës Ortodokse Autoqefale vendase.
Në njoftimin për shtyp të Kishës Serbe, të cilën e bën publike televizioni malazez, Amfilohije u bën thirrje besimtarëve të gjejnë frymëzim në deklaratat e Princit Llazar, që ishte edhe sovrani që krijoi Serbinë e Madhe pas dobësimit të Bizantit. "Besnikët janë të bekuar dhe marrin jetën e përjetshme", thekson mitropoliti serb.
Ndërkaq, kreu i partisë proserbe që pritet të marrë edhe mandatin për krijimin e qeverisë së re të Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, ka deklaruar se ai synon që të japë një mesazh pajtimi në vend dhe shton se Mali i Zi është shtet i tij edhe pse ai kombësinë e ka serbe.
Ndërkaq, Partia Boshnjake ka sjellë një propozim të ri në skenën politike, duke bërë thirrje për krijimin e një qeverie pakice pa partitë serbe.
Rafet Hysoviq i ka bërë thirrje kreut të partisë së dytë opozitare në vend, Aleks Beçiqit, kreut të koalicionit “Paqja, kombi ynë” që të bashkohet me Dritan Abazoviqin dhe partitë e pakicave në një qeveri “pakice”, ku partia e Gjukanoviqit do të jetë jashtë pushtetit, me kusht që të mbështesë reformat.
“Paqja është Kombi Ynë” është koalicioni i partive që trashëgojnë Partinë Socialiste Popullore të ish-Presidentit të Malit të Zi, Momir Bullatoviq i cili ishte një aleat i ngushtë i Sllobodan Millosheviqit/Gazeta Shqip (https://www.gazeta-shqip.com/ne-fokus/pas-fitores-se-opozites-amfilohije-rinderton-simbolet-e-serbise-ne-mal- )