Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Partia e ekstremit të djathtë në Gjermani s’do të marrë fonde shtetërore

Gjykata më e lartë gjermane ka vendosur të martën se partia e vogël e ekstremit të djathtë “Die Heimat” nuk do të marrë fonde shtetërore për gjashtë vjetët e ardhshme, sepse i konsideron vlerat dhe qëllimet e saj jokushtetuese dhe synon të shfuqizojë demokracinë.

Gjykata Kushtetuese Federale ka thënë se partia, e njohur dikur si Partia Kombëtare Demokratike e Gjermanisë (NDP), “shpërfill rendin themelor demokratik” dhe se qëllimet e saj dhe mënyra se si sillen mbështetësit e saj janë “të drejtuara drejt eliminimit të demokracisë”.

Nënkryetarja e gjykatës, Doris Koenig, deklaroi se vendimi është marrë unanimisht për shkak se koncepti politik i partisë nuk është në përputhje me garantimin e dinjitetit njerëzor, siç përcaktohet nga kushtetuta gjermane.

Sipas gjykatës, partia “Die Heimat” i përmbahet konceptit etnik të identitetit gjerman dhe idesë se bashkësia shtetërore kombëtare bazohet në origjinë.

“Promovimi i një komuniteti të përcaktuar etnikisht çon në neglizhencën e të huajve, emigrantëve dhe pakicave, gjë që cenon dinjitetin njerëzor dhe parimin e barazisë elementare ligjore”, ka thënë Koenig.

Qeveria gjermane dhe të dy dhomat e parlamentit e çuan partinë në gjykatë dhe paraqitën prova se “Die Heimat” është organizatë raciste, se ajo propagandon ideologji anti-myslimane dhe antisemitike dhe refuzon transgjinorët.

Edhe AfD-ja padit inteligjencën gjermane Botë AfD-ja padit inteligjencën gjermane

Udhëheqësi i partisë Frank Franz nënvlerësoi rëndësinë e vendimit, duke thënë se megjithëse nuk ishte i mirë për partinë, ai nuk do të përjashtohej ose ndalohej.

Partitë politike në Gjermani marrin mbështetje financiare kryesisht në bazë të përfaqësimit në parlament.

Politikanët kryesorë gjermanë kanë diskutuar gjithashtu kohët e fundit përpjekjen për të ndaluar ose ndërprerë fondet shtetërore për një parti tjetër të ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila po rritet në popullaritet kohët e fundit.