Sundimi 12-vjeçar i kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu pritet të përfundojë të dielën, pasi ligjvënësit atje do të votojnë qeverinë e re, të dalë nga zgjedhjet e fundit.
Koalicioni i ri qeverisës i cili do të përbëhet nga tetë fraksione politike, sot do të betohet në Parlamentin izraelit, pas një votimi të fshehtë.
Netanyahu, 71-vjeçar ka shërbyer si kryeministër i Izraelit që nga viti 2009, por nuk arriti të bllokojë pushtetin që tashmë kanë krijuar mes veti dy kundërshtarët e tij kryesorë politikë, lideri opozitar i qendrës Yair Lapid, dhe ish-ministri i Brendshëm i krahut të djathtë, Naftali Bennett.
Lapid dhe Bennett javën e kaluar arritën një marrëveshje për të ndarë detyrat e kryeministrit gjatë katër viteve të ardhshme, pasi aleatët tradicionalë të qeverisë së Netanyahut dështuan të bashkohen, pas zgjedhjeve të katërta parlamentare të Izraelit, këtë pranverë, që u zhvilluan brenda dy vitesh.
Sipas marrëveshjes, Bennett do ta udhëheq qeverinë në dy vitet e para ndërkaq, pas dy vitesh, postin do ta marrë Lapid.