Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Parlamenti irakian i kërkon qeverisë largimin e trupave amerikane

Deputetët e Parlamentit irakian kanë votuar një rezolutë që bën thirrje për largimin e të gjithë trupave të huaja ushtarake pasi SHBA-ja vrau top-gjeneralin ushtarak iranian, Qasem Soleimani, në një sulm me dron në aeroportin e Bagdadit ditë më parë.

Parlamenti në Bagdad po ashtu bëri thirrje për ndalimin e forcave të huaja ushtarake për të shfrytëzuar tokën irakiane, hapësirën ajrore apo ujin për çfarëdolloj arsyeje, raporton BBC.

SHBA-ja ka një staf ushtarak prej rreth 5,000 pjesëtarësh, kryesisht si këshilltarë.

Me mijëra irakianë morën pjesë në funeralin e Soleimanit para se trupi i tij të dërgohej në Iran.

Iraku është në pozitë të vështirë pasi është aleat edhe i Iranit fqinj e edhe i SHBA-së. Me mijëra trupa ushtarake amerikane mbeten në këtë vend për të asistuar në betejën e gjerë kundër ISIS-it të myslimanëve sunit, transmeton Koha.net.

Por qeveria e sheh vrasjen si shkelje të sovranitetit të saj, si dhe të termave për prezencë të koalicionit në Irak.

Rezoluta jo-obliguese u kalua nga parlamenti irakian të dielën pasi kryeministri në detyrë, Adel Abdul Mahdi, bëri thirrje për t’i dhënë fund prezencës së ushtrisë së huaj gjatë një fjalimi para deputetëve.

Ajo i bën thirrje qeverisë që të revokojë kërkesën e saj për asistencë nga koalicioni ndërkombëtar që lufton ISIS-in.

Thotë se “qeveria e Irakut duhet të punojë në dhënien fund të prezencës së çdo trupi të huaj ushtarak në tokën irakiane dhe t’ua ndalojë atyre të përdorin tokën, hapësirën ajrore dhe ujin për çfarëdo arsyeje”.

Tutje, qeveria duhet të paraqesë një ankesë formale në OKB kundër SHBA-së për “shkelje serioze të sovranitetit dhe sigurisë së Irakut”.

Para se të vihej në votim kjo rezolutë, kryeministri tha se prezenca ushtarake amerikane në vend duhet të marrë fund sa më shpejt që të jetë e mundur.

Përfundimi i prezencës së ushtrisë amerikane në Irak është “shumë më i mirë për riorganizimin e marrëdhënieve më të shëndetshme dhe më korrekte me SHBA-në dhe me shtetet tjera”, tha Abdul Mahdi.

Artikuj të ngjashëm