Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Parisi zhvillon paradën e 14 korrikut para finales së Botërorit

Presidenti francez, Emmanuel Macron hapi sot festimet për 14 korrikun së bashku me shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë para fillimit të paradës tradicionale ushtarake që zhvillohet për këtë festë kombëtare.

Presidenti francez, i cili hapi paradën e dytë që prej zgjedhjes së tij në maj 2017, bëri shoqërimin e trupave në bulevardin e njohur parizian në bordin e një “automjeti të komandos” para se të mbërrinte në tribunën presidenciale në sheshin Konkorde.

Rreth 12 000 forca sigurie janë mobilizuar në Paris me rastin e festës kombëtare dhe në pritje të ndeshjes të së dielës, ku ekipi i Francës shpreson të mundë Kroacinë për të fituar një kupë të dytë Bote në futboll.

Pas presidentit amerikan, Donald Trump vitin e kaluar, kryeministri i Singaporit, Hsien Loong dhe ministri japonez i Punëve të Jashtme, Taro Kono do të jenë të ftuarit e nderit të presidentit francez, ndërkohë që Franca ka ndërmarrë riforcimin e lidhjeve ushtarake në Azi -Paqësor.

Flamujt e dy vendeve aziatike hapën paradën përkrah emblemës franceze, të drejtuar nga shtatë ushtarë të çdo kombësie.

Në total, rreth 4 290 ushtarë, 220 automjete, 250 kuaj, 64 avionë dhe 30 helikopterë do të marrin pjesë në edicionin 2018 të kësaj parade.

“Parada tradicionale e 14 korrikut është një demostrim i forcës së kontrolluar që shkon përtej përkujtimit”, deklaroi shefi i shtabit të përgjithshëm, gjenerali François Lecointre.

Gjenerali Lecointre mori postin e tij një vit më parë, pas krizës së hapur mes presidentit dhe ish-shefit të shtabit të përgjithshëm për çështjet buxhetore, që shkaktuan largimin e këtij të fundit.

Artikuj të ngjashëm