Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Paralajmërimet e injoruara polake për pushtimin rus

Pas Luftës së Parë Botërore, Piłsudski kishte shpresuar se Lituania, Bjellorusia dhe Ukraina do të mund të formonin aleancën për t’iu kundërvënë Rusisë në stilin e bashkimit mes Polonisë dhe Lituanisë që kishte ekzistuar për shekuj para vitit 1795. Mirëpo, ukrainasit dhe lituanët ishin të kujdesshëm ndaj pretendimeve polake në territoret e tyre dhe vizioni i Piłsudskit për aleancën kundër Rusisë kurrë nuk u bë realitet

(AP) - Njëqind vjet më parë, një patriot revolucionar nga Polonia kishte thënë se uria e Rusisë për më shumë territor do të vazhdonte ta destabilizonte Evropën vetëm nëse Ukraina do ta fitonte pavarësinë nga Moska.

Marshali polak, Józef Piłsudski, kurrë nuk ia doli të përmbushte shpresën e tij për Ukrainën e pavarur dhe të lidhur me Evropën. Mirëpo, largpamësi dhe shtetasi analitik ia doli ta largonte shtetin e tij nga grushti i carizmit dhe dy fuqive të tjera, Austrisë dhe Prusisë.

Në kohën kur shumë polakë ishin dorëzuar për ëndrrën e pavarësisë së plotë, Piłsudski e vendosi shtetin sovran të Polonisë në hartën evropiane në fund të Luftës së Parë Botërore, pas më shumë se një shekulli shtypjeje.

Historia e Piłsudskit, me gjithë të metat, arritjet dhe jehonën e luftës së ditëve të sotme në Ukrainë, është sjellë në jetë me biografinë e fundit, “Józef Piłsudski Founding Father of Modern Poland”, të shkruar nga Joshua D. Zimmerman, profesor i Studimeve të Holokaustit dhe historisë së Evropës Lindore në Universitetin Yeshiva të New Yorkut. Libri i publikuar nga “Harvard University Press”, gjithashtu, rishikon lidhjet e Piłsudskit me Ukrainën.

Me mustaqe të trasha, vetulla të rënda dhe fytyrë si të skifterit, Piłsudski jetoi në modesti dhe frymëzoi ushtrinë e tij duke u prirë në beteja. Në kohën e tij, ishte i njohur brenda dhe jashtë Polonisë, por kujtimi për të jashtë shtetit polak është shuar.

Edhe Zelensky bojkoton konferencën për Ukrainën për shkak të tensioneve me Poloninë Botë 1 muaj më parë Zelensky bojkoton konferencën për Ukrainën për shkak të tensioneve me Poloninë

Pasi shpalli republikën e re polake, Piłsudski dhe legjionarët e tij zhvilluan një sërë luftërash për të përcaktuar, siguruar dhe mbrojtur kufijtë e saj, duke kulmuar me fitoren e tij më të madhe: dëbimin e ushtrisë bolshevike në vitin 1920, e cila po kërcënonte të shkonte deri në Berlin dhe të organizonte revolucion komunist në zemër të Evropës industriale.

Pushtimi i Ukrainës

Para kësaj beteje të njohur si “Mrekullia në Vistula”, forcat e Piłsudskit kishin marshuar thellë në Ukrainë dhe pushtuan Kievin duke bërë aleancë me liderin nacionalist Symon Petliura, i cili gjithashtu po luftonte kundër bolshevikëve në kohën e pavarësisë jetëshkurtër të Ukrainës mes viteve 1918-1921.

Siç tregon Zimmerman, Piłsudski kishte vizion për Poloninë shumëgjuhëshe dhe shumë etnike që do të respektonte të drejtat e pakicave, sidomos hebrenjtë. Kjo i dha atij armiqësinë me nacionalistët që donin Poloni me shumicë polake.

Pas Luftës së Parë Botërore, Piłsudski kishte shpresuar se Lituania, Bjellorusia dhe Ukraina do të mund të formonin aleancën për t’u kundërvënë Rusisë në stilin e bashkimit mes Polonisë dhe Lituanisë që kishte ekzistuar për shekuj para vitit 1795. Mirëpo ukrainasit dhe lituanët ishin të kujdesshëm ndaj pretendimeve polake në territoret e tyre dhe vizioni i Piłsudskit për aleancën kundër Rusisë kurrë nuk u bë realitet.

Me gjuhën që mund të përdoret edhe në diskursin e sotëm, Piłsudski konceptoi Ukrainën sovrane jo thjesht për të parandaluar agresionin rus, por postbllok të demokracisë liberale perëndimore.

“Nuk mund të ketë Poloni të pavarur pa Ukrainën e pavarur”, citohet të ketë thënë ai në vitin 1919.

Piłsudski nisi fushatën ushtarake në vitin 1920 në përkrahje të nacionalistëve ukrainas kundër regjimit bolshevik, veprim që nga shumë burrështetas u cilësua si i tepërt. Zimerman besonte se kishte arsyetim që jehon edhe sot, kur Polonia, Lituania, shtetet baltike si Finlanda dhe Suedia mendojnë se Rusia e presidentit Vladimir Putin duhet të frenohet.

Më 7 maj të vitit 1920, kalorësia e Piłsudskit hyri në Kiev, e ndjekur nga këmbësoria polake dhe ukrainase. Në kulmin e fushatës së tij në Ukrainë, ai urdhëroi komandantët që të tërhiqeshin “sa më shpejt që të jetë e mundur” me qëllim që të vendosnin marrëdhëniet fqinjësore me shtetin e ri ukrainas, vlerëson Zimmerman.

“Pikëpamja ime është se ai qartësisht mbrojti Ukrainën e pavarur, një që do të shërbente si postbllok i demokracisë në kufi me Rusinë, amortizator mes Rusisë dhe Perëndimit, por gjithashtu aleate e vendosur e Polonisë që ndante vlerat demokratike të Piłsudskit dhe vlerat e pasuesve të tij të fundit”, thotë autori.

Polonia dhe Lituania, dy shtete që dolën nga regjimi sovjetik, janë përkrahëset më të mëdha diplomatike të Ukrainës kundër Rusisë së Putinit.

Image

Përplasjet mes nacionalistëve

Edhe “Ata janë të izoluar… janë vetëm” - Zelensky flet për Rusinë dhe gënjeshtrat e Putinit Botë 1 muaj më parë “Ata janë të izoluar… janë vetëm” - Zelensky flet për Rusinë dhe gënjeshtrat e Putinit

Libri i Zimmermanit jep kontribut të ekuilibruar dhe të rëndësishëm për të kuptuar Piłsudskin, thotë Michael Fleming, historian dhe drejtor i Institutit të Kulturës Evropiane në “Polish University Abroad” në Londër.

“Piłsudski ishte i vetëdijshëm për sfidat e paraqitura nga gjeografia e Polonisë dhe erdhi në përfundim se një Ukrainë e pavarur do të ndante interesin e Polonisë për të kufizuar tendencat ekspansioniste të Rusisë”, thotë Fleming. “Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të kujtojmë se Galicia perëndimore (përfshirë Lvivin) ishte kontestuar shumë mes polakëve dhe ukrainasve”.

Në fakt, nacionalistët polakë dhe ukrainas u përplasën në fillim të viteve 1900 dhe përsëri gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Disa armiqësi etnike kanë vazhduar.

Gjatë luftës civile në Rusi mes Ushtrisë së Kuqe dhe Ushtrisë së Bardhë anti-bolshevike, Piłsudski u rezistoi lutjeve që Polonia të ndihmonte Ushtrinë e Bardhë ruse. Pavarësisht se kush do të fitonte, besonte ai, Rusia do të mbetej “egërsisht imperialiste”.

Kishte pak për të përfituar nga negociatat sepse “ne nuk mund të besojmë asgjë që premton Rusia”, citohet të ketë thënë Piłsudski.

Piłsudski, i lindur në vitin 1867 dhe i rritur në Lituaninë e sotme, ishte i zhytur në romantizmin e pavarësisë polake. Ai fitoi urrejtje të zjarrtë ndaj autoritetit carist që mbante nën kontroll Poloninë, Lituaninë, Bjellorusinë dhe Ukrainën. Së bashku me vëllain u përfshin në komplotin për të vrarë carin dhe u burgosën.

Zimmerman gjurmon se si, pas lirimit të tij, Piłsudski, u bë aktivisti kryesor i partisë së ndaluar socialiste në Poloni. Për vite me radhë botoi gazetën e kësaj partie, u arratis nga burgu, duke u shtirur si i çmendur dhe më pas krijoi forcën ushtarake në Poloninë e sunduar nga Austria, e cila luftoi përfundimisht kundër Rusisë gjatë Luftës së Parë Botërore.

Ani pse luftoi nën Austrinë dhe Gjermaninë, këmbëngulja e Piłsudskit për pavarësinë e Polonisë çoi në burgosjen e tij nga gjermanët, sakrificë që rriti legjendën e tij mes polakëve. Pas lirimit, ai u vlerësua si lider i vendit dhe themelues de fakto i Polonisë moderne më 11 nëntor të vitit 1918, ditë që tani festohet si dita e pavarësisë polake.

Pasi kufijtë e Polonisë u siguruan dhe u formua qeveria civile, Piłsudski u tërhoq nga jeta publike. Mirëpo pas disa vjetësh, ai me radhën e tij nisi sundimin e një njeriu të vetëm.

I shqetësuar se Polonia demokratike po rrëshqiste dhe i neveritur nga 13 qeveritë e dështuara polake, ai organizoi puçin ushtarak në vitin 1926 për të rivendosur rend. Pas imponimit të sistemit të demokracisë së “menaxhuar” dhe diktaturës së butë, vitet e fundit Piłsudski i kaloi me rëndim të shëndetit dhe shqetësimeve të tij se si të pozicionohej Polonia mes Bashkimit Sovjetik në rritje dhe Gjermanisë së Hitlerit.

Zimmerman kap vështirësitë e bashkimit të Polonisë dhe detajon konfliktet e saj, duke përfshirë masakrat kundër hebrenjve nga disa prej trupave të Piłsudskit. Megjithatë, ai e sheh Pilsudskin si një mbrojtës të hebrenjve dhe pluralizmit.

Edhe Kolumne 4 muaj më parë Përvjetori i paaftësisë ruse

Autori thotë se Piłsudski, edhe pse me të meta, zotëronte gjykimin dhe aftësitë për të mbrojtur interesat e Polonisë. Vdekja e tij më 1935 e la Poloninë me një vakum në udhëheqje, të paaftë për t’i shmangur pushtimet gjermane dhe sovjetike të 1939-s.

Megjithatë, krijimi i një Polonie të pavarur nga Piłsudski pas Luftës së Parë Botërore ndihmoi të sigurohej që kur të përfundonte Lufta e Dytë Botërore dhe të tërhiqej sundimi sovjetik, nuk do të kishte dyshim se një Poloni e pavarur do të rishfaqej.