Botë

Papa Françesku po trajtohet për inflamacion të mushkërive, shtyn disa takime

Papa Françesku po merr antibiotikë në mënyrë intravenoze për të trajtuar një inflamacion të mushkërive dhe do t’i shtyjë disa takime, por ai nuk ka pneumoni apo ethe, tha Vatikani të hënën.

Vetë Françesku të dielën ka zbuluar se vuante nga problemi i inflamacionit, duke shpjeguar pse nuk e mbajti takimin e tij javor në dritare për të përshëndetur njerëzit në Sheshin e Shën Pjetrit. Në vend të kësaj, ai dha bekimin e tij nga kisha e hotelit në territorin e Vatikanit ku jeton.

Drejtori i zyrës së shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, ka theksuar në një deklaratë me shkrim të hënën se inflamacioni po shkaktonte disa vështirësi në frymëmarrje për Françeskun, ditëlindja e 87-të e të cilit është muajin e ardhshëm.

“Gjendja e Papës është e mirë, ai nuk ka temperaturë dhe gjendja e frymëmarrjes është duke u përmirësuar”, tha Bruni. Një skanim CT, të cilit Papa iu nënshtrua të shtunën pasdite në një spital të Romës, përjashtoi mundësinë e pneumonisë, shtoi Bruni.

Për të ndihmuar rimëkëmbjen e Papës, “disa angazhime të rëndësishme që priten për ditët në vijim janë shtyrë në mënyrë që ai të mund t’i kushtojë kohën dhe energjinë e dëshiruar” shërimit të tij, tha zëdhënësi.

Në komentet televizive të dielën, Françesku tregoi se do të vazhdonte një udhëtim tre-ditor, duke filluar më 1 dhjetor, në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të mbajtur një fjalim mbi ndryshimin e klimës në bisedimet e ardhshme të klimës COP28 të Kombeve të Bashkuara. /AP