Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, tha se është koha që udhëheqësit në Ballkanin Perëndimor të kuptojnë rolin e tyre dhe t’i udhëheqin vendet e tyre drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
“Synimi i Shteteve të Bashkuara, i Bashkimit Evropian dhe i vendeve të rajonit është i njëjtë – përparimi. Por, ndikimit rus, në anën tjetër, më shumë i konvenon që në këto vende të ketë korrupsion dhe gjendje të paqëndrueshme”, tha Palmer në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.
Ai qëndroi në Sarajevë, ku takoi liderët e Bosnje dhe Hercegovinës dhe udhëheqës të tjerë të rajonit, që ishin mbledhur për një forum të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Bosnja dhe Hercegovina ka bërë shumë përparim, por duhet të bëjë edhe më shumë, para së gjithash, në sferën e qeverisjes së mirë, në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik, në rritjen e transparencës dhe në përmirësimin e klimës për investime”, tha Palmer.
I pyetur nëse ekziston një politikë unike ndërmjet SHBA-së dhe BE-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Palmer u përgjigj pozitivisht.
Edhe
Palmer: Rusia e do Ballkanin me një element kaosi në të
“Para ardhjes sime në Sarajevë kam qenë në Bruksel dhe kam pasur rastin të takohem me disa përfaqësues të Bashkimit Evropian. Synimi ynë, kur është fjala për Ballkanin Perëndimor, mbetet i pandryshueshëm. Ne duam të ndihmojmë rajonin që të lëvizë më tej drejt integrimit perëndimor, që të realizojë me sukses reformat e nevojshme për integrimin euro-atlantik”, tha Palmer.