Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se trupat e Kievit nuk kanë gjasa ta fitojnë luftën kundër Rusisë, raportoi të martën “Al Jazeera”.
Duke folur në Forumin Ekonomik të Katarit në Doha, Orbani ka thënë se konflikti i nisur në shkurt të vitit të kaluar mund të zgjidhet vetëm me diplomaci.
“Duke parë realitetin, shifrat, rrethinat, faktin që NATO-ja nuk është gati të dërgojë trupa, është e qartë se nuk ka asnjë fitore për ukrainasit në fushën e betejës. Ky është qëndrimi im. Lufta mund të ndalet vetëm nëse rusët arrijnë një marrëveshje me SHBA-në. Në Evropë, ne nuk jemi të kënaqur me këtë, por është e vetmja rrugëdalje”, ka thënë ai.
Hungaria, e cila është anëtare e BE-së dhe NATO-s, ka mbajtur një qëndrim të ndryshëm prej vendeve të tjera që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Budapesti ka refuzuar të ndërpresë lidhjet me Moskën dhe ka kundërshtuar zgjerimin e NATO-s. Ashtu si Turqia, Hungaria nuk e ka ratifikuar ende anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake.
Javën e kaluar, Orbani ka kundërshtuar dërgimin e më shumë ndihmave ushtarake të BE-së në Ukrainë pasi autoritetet në Kiev e vendosën OTP Bankën e Hungarisë në një listë të “sponsorëve të luftës” dhe në listën e zezë.