Botë

Oligarkët rusë humbën 95 miliardë dollarë gjatë 2022-s

Oligarkët më të pasur rusë kanë humbur 95 miliardë dollarë këtë vit mes sanksioneve të vendosura nga vendet perëndimore për luftën në Ukrainë – apo 330 milionë dollarë në ditë që kur Kremlini nisi pushtimin e tij, shkruan The Guardian..

Roman Abramovich, ish-pronari i Chelsea FC, ishte humbësi më i madh, me pasurinë e tij që ra me 57 për qind në 7.8 miliardë dollarë këtë vit, sipas indeksit të miliarderëve të Bloombergut.

Abramovich ishte një nga oligarkët e parë që iu nënshtrua sanksioneve të Britanisë së Madhe, pasi ministrat e akuzuan atë se kishte "lidhje të qarta" me regjimin e Putinit dhe se ishte në mesin e një grupi biznesmenësh të pasur rusë që kishin "gjak në duart e tyre".

Pasuria e Gennady Timchenko, një investitor miliarder në energji dhe mik i ngushtë i Putinit, është ulur me 48 për qind në 11.8 miliardë dollarë dhe Suleiman Kerimov, një tjetër prej aleatëve të presidentit rus, ka humbur 41 për qind, duke rënë në 9 miliardë dollarë.

Qeveria e Britanisë ka ngrirë më shumë se 18 miliardë euro asete që u përkasin oligarkëve dhe rusëve të tjerë, totali i parë zyrtar i zbuluar së fundmi. Sanksionet janë vendosur ndaj 1271 personave – duke përfshirë Abramovichin dhe “Mbretin e Nikelit”, Vladimir Potanin, personi i dytë më i pasur i Rusisë.

Megjithatë, humbjet e tyre janë të zbehta në krahasim me ato që çfarë kanë përjetuar miliarderët e teknologjisë amerikane këtë vit. Pasuria e Elon Muskut ra gati 50 për qind në 138 miliardë dollarë pas rënies së aksioneve në kompaninë e tij të veturave elektrike, Tesla. Ai humbi vendin si personi më i pasur në botë në dhjetor. Francezi Bernard Arnault, shefi ekzekutiv i grupit luksoz LVMH, është i pari.

Pasuria e Mark Zuckerbergut ra me 65 për qind në 45 miliardë dollarë. Ai ka rënë me 19 vende në indeksin e Bloombergut, duke përfunduar vitin 2022 në vendin e 25-të, pozicioni i tij më i ulët që nga viti 2014.

Në total, 500 njerëzit më të pasur në botë humbën pothuajse 1.4 trilionë dollarë në vitin 2022.