Përhapja e madhe e lisë së majmunëve në më shumë se 70 shtete është situatë e jashtëzakonshme, që e kualifikon atë si emergjencë globale, ka thënë shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deklaratë që mund t’i përshpejtojë investimet në trajtimin e sëmundjes, dikur të rrallë.
Emergjenca globale është niveli më i lartë i OBSH-së, por deklarimi i saj nuk do të thotë se sëmundjet mund të jenë të bartshme apo vdekjeprurëse. Deklarime të ngjashme ka pasur edhe për virusin Zika në Amerikën Latine gjatë vitit 2016 dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të zhdukur Polion, pandeminë e Covid-19 dhe përhapjen e Ebolas gjatë vitit 2014.
Drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebrejesus, ka marrë vendimin për ta cilësuar linë e majmunëve si emergjencë globale, ani pse kishte mungesë pajtueshmërie mes ekspertëve në komitetin e agjencisë shëndetësore të OKB-së. Kjo ishte hera e parë që shefi i një agjencie të Kombeve të Bashkuara merr vendim të njëanshëm pa rekomandimin e ekspertëve.
Shefi i emergjencave në OBSH, Michael Ryan, ka thënë se drejtori i përgjithshëm ka deklaruar linë e majmunëve si emergjencë globale për t’u siguruar se bota do ta marrë seriozisht përhapjen e tanishme të lisë.
Ani pse lija e majmunëve ka qenë e pranishme në pjesët qendrore dhe perëndimore të Afrikës për dekada me radhë, nuk njihej për përhapje të madhe përtej kontinentit deri në muajin maj, kur autoritetet konfirmuan raste në Evropë dhe Amerikën Veriore.
Në muajin qershor, komiteti i ekspertëve të OBSH-së kishte deklaruar se përhapja e lisë së majmunëve nuk kishte arritur në nivelin për t’u deklaruar si emergjencë ndërkombëtare, por paneli është mbajtur këtë javë për ta rivlerësuar situatën.
Sipas qendrave amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, më shumë se 16 mijë raste të lisë së majmunëve janë raportuar në 74 shtete që prej muajit maj. Deri më tani, vdekjet nga lia e majmunëve janë raportuar në Afrikë. Në kontinentin afrikan varianti më i rrezikshëm i virusit është përhapur në Nigeri dhe Kongo.
Në Afrikë, lija e majmunëve është përhapur te njerëzit nga infektimi me kafshët e egra, ndërkaq në Evropë dhe Amerikë, lija është përhapur mes njerëzish ani pse nuk kanë pasur kontakt me kafshët apo udhëtime në Afrikë.
Ekspertja e OBSH-së për linë e majmunëve, Rosamund Lewis, ka thënë se 99 për qind e rasteve përtej Afrikës janë burra dhe 98 për qind e tyre janë burra që kanë kryer marrëdhënie seksuale me burra. Ekspertët dyshojnë se lija e majmunëve në Evropë dhe Amerikë është përhapur nëpërmjet marrëdhënieve seksuale.
“Ani pse po e deklaroj si emergjencë globale, kjo është përhapje kryesisht e përqendruar në mesin e burrave që kanë marrëdhënie seksuale me burra, sidomos te ata me partnerë të shumëfishtë”, ka thënë Tedros. “Kjo do të thotë se është përhapja që mund të ndalet me strategjitë e duhura”.
Britania së fundmi ka ulur ndjeshëm alarmin për linë, pasi nuk ka vërejtur shenja të përhapjes përtej burrave që janë gay, biseksualë, apo që kanë kryer marrëdhënie me burra të tjerë.
Qendrat amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve e kanë përkrahur deklarimin e OBSH-së. SHBA-ja ka raportuar më shumë se 2 mijë e 800 raste me linë e majmunëve dhe ka dërguar 370 mijë doza të vaksinave në shtetet që i kanë raportuar rastet me linë e majmunëve.