Në Hungari, kryeministri mund të sundojë tani nëpërmjet dekreteve. Në Britani të Madhe, ministrat e kanë atë që një kritik e quajti kompetencë “e dhembshme” e arrestimit të qytetarëve dhe mbylljes së kufijve.
Kryeministri i Izraelit ka mbyllur gjykatat dhe ka nisur përgjimin masiv të qytetarëve. Kili ka nxjerrë ushtrinë në rrugë e sheshe publike, që dikur ishin pushtuar nga protestuesit. Bolivia i ka shtyrë zgjedhjet.
Dhe derisa pandemia e koronavirusit ka vënë botën në zgrip, ndërsa qytetarët janë në ankth dhe u kërkojnë veprime udhëheqësve për t’iu dalë në ndihmë, liderët anembanë botës po i rikthejnë kompetencat ekzekutive dhe po rrëmbejnë autoritetet diktatoriale me pretendimin për t’i mbrojtur qytetarët.
Rrëmbimi i kompetencave në kohë pandemie
Qeveritë dhe grupet e të drejtave të njeriut pajtohen se këto kohë të jashtëzakonshme kërkojnë masa të jashtëzakonshme. Shteteve u duhen kompetenca të reja për të mbyllur kufijtë e tyre, të krijojnë karantina dhe të mbajnë në përcjellje të prekurit. Shumë prej këtyre masave mbrohen sipas të drejtës ndërkombëtare, thonë juristët e së drejtës kushtetuese. Por kritikët thonë se disa prej qeverive po e përdorin krizën e shëndetit publik për të rrëmbyer kompetenca të reja që nuk kanë lidhje me pandeminë, në kohën kur ka pak siguri se autoriteti i ri nuk do të abuzohet. Ligjet po pësojnë ndryshime radikale në krejt sistemet politike – në shtetet autoritare si Jordania, demokracitë në rënie si Hungaria, dhe demokracitë tradicionale si Britania. Dhe ka pak shenja shprese se këto masa do të shfuqizohen, kur kërcënimi i madh të kalojë. “Mund të kemi një pandemi paralele të masave autoritare dhe represive nëse nuk do të kemi kalim të shpejtë të pandemisë shëndetësore”, ka thënë Fionnuala Ni Aolain, raportuese speciale e Kombeve të Bashkuara për antiterrorizmin dhe të drejtat e njeriut. Dhe derisa ligjet e reja po zgjerojnë kompetencat e përgjimit, po u mundësojnë qeverive të arrestojnë qytetarë pa procese gjyqësore dhe po cenojnë liritë e mbledhjes dhe shprehjes, ato mund t’i riformatojnë edhe jetën qytetare, politikën dhe ekonomitë për dekada me radhë, raporton NYT, transmeton KOHA.
Përgjimi masiv izraelit
Pandemia tashmë ka ridefinuar normat. Sistemet e përgjimit masiv në Korenë Jugore dhe Singapor, që do të sanksionoheshin dhe do të konsideroheshin censurë në rrethana normale, janë lavdëruar për kufizimin e rasteve të të prekurve me koronavirus. Qeveritë që fillimisht kishin kritikuar Kinën për karantinimin e miliona qytetarëve, tashmë kanë rënë në të njëjtën kurth.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.