Botë

Nxënësit palestinezë u gëzohen sukseseve, pavarësisht traumës nga lufta

Nxënësit u janë nënshtruar testeve vendimtare. Ata kaluan një seri testesh vetëm disa javë pas një fushate vdekjeprurëse bombardimi nga Izraeli në Rripin tashmë të shkatërruar të Gazës. Ofensiva 11-ditore izraelite, e cila filloi më 10 maj dhe vrau të paktën 260 palestinezë, duke përfshirë 66 fëmijë, ishte një nga sulmet më intensive të Izraelit në Gazë dhe kishte në shënjestër një gamë të gjerë të ndërtesave civile

Mona Zaqout u ul në dhomën e saj të ndejës në Rripin e rrethuar të Gazës me sytë katër në telefon. Ajo po priste t’i merrte rezultatet e provimeve të fundit në shkollë, të njohura në rajon si “Tawjihi". Pranë saj ishte vëllai i saj 18-vjeçar, Ahmed, i cili është një vit më i madh dhe po priste gjithashtu rezultatet e tij. Ata ishin të rrethuar nga anëtarët e familjes, të cilët rishikonin me padurim telefonat dhe laptopët për t’i lexuar rezultatet. Teksa po shikonin, emri i Ahmedit u shfaq i pari. Ai kishte arritur 98.4 për qind, gjë kjo që shkaktoi brohoritje të forta dhe duartrokitje nga të afërmit e tij. Pak më vonë Mona bërtiti duke mos besuar, kur nëna e saj lexoi rezultatin -98,7 për qind. Dyshja nuk mund të besonte se kishin dalë kaq mirë, duke pasur parasysh gjërat që kishin përjetuar në muajt para provimeve përfundimtare, që filluan më 24 qershor dhe përfunduan më 12 korrik.

Ata kaluan një seri testesh vetëm disa javë pas një fushate vdekjeprurëse bombardimi nga Izraeli në Rripin tashmë të shkatërruar të Gazës. Ofensiva 11-ditore, e cila filloi më 10 maj dhe vrau të paktën 260 palestinezë, duke përfshirë 66 fëmijë, ishte një nga sulmet më intensive të Izraelit në Gaz dhe kishte në shënjestër një gamë të gjerë të ndërtesave civile.

Nga ana izraelite 13 persona u vranë nga raketat e lëshuara nga enklava nga grupet palestineze. Ashtu si mijëra të tjerë, Mona dhe Ahmed mësuan pa ndalur, duke e ditur se rezultatet do ta përcaktonin tërë rrugën e arsimit të tyre të lartë.

Nxënësit në rajon zakonisht përgatiten për këto provime që nga fillimi i vitit akademik, por ata me të cilët “Al-Jazeera” foli treguan se sa jashtëzakonisht e vështirë kishte qenë, për shkak të pengesave me të cilat u përballën si palestinezë në veçanti. Gati 83.000 nxënës i dhanë provimet e këtij viti në të gjithë territoret e okupuara palestineze, sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Arsimit, që me përqindje ishte 71. Të paktën katër nxënës u vranë gjatë sulmit, ndërsa 70 të tjerë u plagosën. Ata kanë planifikuar t’i rishikojnë provimet më vonë, sipas autoriteteve në Gazë.

“Ndoshta nuk do të vdisja”

Duke përmendur mbylljen e shkollave për shkak të pandemisë së koronavirusit, rritjes së tensioneve në Jerusalemin lindor të pushtuar dhe sulmin izraelit në Gazë, i cili zgjati nga 10 deri në 21 maj, Mona dhe Ahmed i përshkruan muajt para provimeve si “më të vështirët deri më sot”.

“Presioni psikologjik ishte shumë më ndryshe sesa më parë”, ka thënë Mona për “Al-Jazeera”. “Gjatë luftës 11-ditore, sa herë që dëgjoja zhurmën e një sulmi ajror, përkulesha dhe qaja”, ka thënë ajo. Disa ditë pas sulmit 17-vjeçarja u përpoq të “përshtatej me situatën” dhe të pajtohej me zhurmën e raketave që binin. Ajo përpiqej të mësonte, por menjëherë harronte gjithçka që lexonte.

Në atë kohë Ahmed ishte ndier po aq i pafuqishëm, duke i përshkruar 11 ditët si “makth”. Për pesë ditë radhazi jetoi në frikë të plotë dhe ka thënë se thjesht nuk mund të mësonte.

Më vonë u përpoq të lexonte dy orë në ditë, pavarësisht zhurmës së vazhdueshme të shpërthimeve. Kur u pyet se çfarë e shtyu të mësonte në mes të ofensivës, Ahmed tha: “Mendova me vete: mbase nuk do të vdisja dhe në rast se nuk do të isha duhej të isha i përgatitur”. Përpara sulmit, nxënësit në të gjithë Rripin po shkonin në shkollë vetëm tri herë në javë, si pjesë e një programi të ri mësimi në vend për ta ndaluar përhapjen e koronavirusit.

Për pjesën e mbetur të dy ditëve ata bashkoheshin në klasa virtuale. Sipas mësuesit nga Gaza, Khaled al-Ailah, mësimi nga distanca ishte ndër sfidat më të vështira të këtij viti.

“Shumica e mësuesve nuk janë të trajnuar për të dhënë mësim nga distanca dhe shumë prej tyre nuk kanë qasje në elektronikë dhe kompjuter”, ka thënë mësuesi i gjeografisë. “Dhe sigurisht, arsyeja më e qartë se pse ky ka qenë një model sfidues i të mësuarit është se shumë familje palestineze që kanë kushte të këqija jetese, nuk kanë as qasje në internet”, ka theksuar al-Ailah.

Pavarësisht çasteve të vështira që palestinezët në Gazë i kanë përjetuar kolektivisht, mësuesve - të cilët shpesh shihen si këshilltarë udhëzues - u është dashur gjithashtu të tregohen të fortë dhe të paprekur kur kanë qenë përpara nxënësve të tyre, ka shtuar ai.

“Plotësisht të shkatërruar”

Ata që i kalojnë provimet shumë të vështira zakonisht festojnë me fishekzjarrë, ndeja dhe u bëhen dhurata dhe ëmbëlsira tradicionale. Shtëpia e Sara al-Zebdas ishte e mbushur me kunafa – ëmbëlsirë tradicionale e Lindjes së Mesme – dhe me lule, pasi kishte marrë 95.3 për qind të pikëve. Ishte ëndërr e bërë realitet, duke marrë parasysh se vajza kishte humbur vëllain dhe babanë në një sulm ajror izraelit në muajin maj. “Isha plotësisht e shkatërruar. Nuk mund të mësoja, nuk mund të bëja asgjë për javë të tëra”, ka thënë al-Zebda për Al-Jazeeran.

Image

Ahmed dhe Mona nuk mund të besonin se kishin marrë pikë aq të larta, shkaku i rrethanave për tash e disa muaj, para provimeve përfundimtare

Ajo kujtoi ditën kur e pa babanë për herë të fundit dhe e pa teksa dilte nga shtëpia duke e ditur se mund të mos kthehej. “Zhurmat e sulmeve ajrore përsëriteshin... Nuk kaloi shumë kohë, kur familja ime dhe unë dëgjuam lajmin për vdekjen e tyre”, ka thënë Al-Zebda, që ishte shumë e lidhur me vëllain e saj të vrarë, Usama. “Vëllai im Usama ishte ai që më inkurajoi të jem njeri sa më i mirë. Ai nuk ishte vetëm vëlla - ishte shoku im më i mirë dhe shtylla kurrizore”, ka thënë ajo.

Al-Zebdas iu desh rreth një muaj për të kuptuar se ajo ende kishte nevojë të mësonte për provimet përfundimtare. Duke i lexuar shënimet e saj, e njohu dorëshkrimin e Usamas nga kur ai e ndihmonte të mësonte fizikë dhe matematikë. “Kur e pashë dorëshkrimin e tij dhe kur lexova ato që i kishte shkruar, më udhëzuan kur isha në gjendjen më të keqe”, ka thënë ajo.

Image

 Ofensiva 11-diore, që ka vrarë të paktën 260 palestinezë, përfshirë 66 fëmijë, ishte një nga sulmet më intensive izraelite në Gazë

Të tjerët, si Ahmed Nusair, humbën të gjithë materialin e tyre mësimor gjatë ofensivës. Shtëpia e tij ishte në shënjestër në prag të festës islame të Fitër Bajramit. Mbeturinat dhe rrënojat janë bërë një skenë normale në Gazë, e cila ka qenë nën një rrethim gjymtues izraelit që nga viti 2007.

Sulmet në maj shkatërruan 2.000 vendbanime që tani janë të papërshtatshme për strehim dhe shkatërruan pjesërisht të paktën 22.000 të tjera, duke detyruar dhjetëra mijëra palestinezë që të strehohen gjetkë. Rreth 74 ndërtesa publike, përfshirë bashkitë lokale, gjithashtu u shkatërruan, sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Informacionit e drejtuar nga Hamasi, grupi që sundon Rripin e Gazës. “Mbaj mend që tavani po binte mbi ne”, ka thënë Nusair për “Al-Jazeeran”, duke kujtuar momentin kur shtëpia e tij u sulmua. “Të gjithë u shpërndamë shpejt dhe filluam të vraponim, por nuk kishim ku të shkonim”. “Më pas pashë veten se ishim në spital me motrën time, e cila pësoi lëndime”, ka thënë ai.

Image

Sara al-Zebdas iu desh një muaj kohë pas vdekjes së babait dhe vëllait që ta kuptonte se duhej të përgatitej për provimet përfundimtare

“Kërkuam strehim gjatë 11 ditëve të bombardimeve dhe kur ata shpallën armëpushimin, gjëja e parë që mendova ishte: më duhen libra për të mësuar për provimet përfundimtare”. Pas kthimit në shtëpinë e shkatërruar pjesërisht, Nusair shpresonte të shpëtonte libra, fletore ose “çfarëdo qoftë”, që do ta ndihmonin t’i kalonte provimet. Kur kishin mbetur vetëm tri javë para provimeve, “gjithçka ishte zhdukur”, ka thënë ai, duke shtuar se ishte i kënaqur që kishte arritur 66.4 për qind.

Ai tashmë kishte munguar shumë në shkollë, pasi ishte infektuar me COVID-19 në fillim të këtij viti dhe më vonë, kur shkollat ​​u mbyllën për shkak të pandemisë. Ministria e Shëndetësisë e ktheu shkollën e tij në një objekt karantine dhe e transferoi klasën e Nusairit në një shkollë tjetër me drejtues dhe mësues të rinj. “Donim konsistencë dhe stabilitet”, ka thënë ai. “Ishte thjesht diçka që na pengonte shumë neve si nxënës Tawjihi”.

Përktheu: Liridona Bytyçi